Forca për zgjedhjet 2017: Presim raport të detajuar për rastet e denoncuara

Shqipëria

Forca për zgjedhjet 2017: Presim raport të detajuar për rastet e denoncuara

Më: 25 qershor 2017 Në ora: 23:40
Foto arkiv

Nën drejtimin e zv/kryeministres Ledina Mandija u zhvillua sot mbledhja e gjashtë e Task-Forcës.

Në njoftimin për shtyp bëhen të ditura çështjet e shqyrtuara dhe masat e marra në mbledhjen e radhës.

Në vijim  deklarata e plotë:

Referuar nenit 28 të VKM 473, datë 1.06.2017 “Për marrjen e masave dhe marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, TASK FORCA komunikon me publikun në lidhje me cështjet e shqyrtuara dhe masat e marra në mbledhjen e saj të datës 25 Qershor 2017.

Sot u zhvillua mbledhja e gjashtë e Task-Forcës (grupit ndërinstitucional) të ngritur me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”. Kjo mbledhje u thirr nga ana e kryetarit të Task-Forcës, referuar ngjarjeve në ditën e votimit si dhe të rasteve të denoncuara nga ana e saj, Ministrive, Institucioneve dhe qytetarëve në Policinë e Shtetit.

Si pikë e parë e Rendit të Ditës u raportua nga Ministri i Brendshëm dhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Z. Qato, për procedurat e ndjekura për rastet e denoncuara nga ana e Kryetarit te Task Forcës përmes pikës se kontaktit te njoftuar për subjektet elektorale dhe qytetarët, referuar planit të masave të miratuar në mbledhjen e fundit të saj, si dhe për rastet e tjera të denoncuara nga Ministritë apo institucionet e tjera.Zyra e kryetarit të Task-Forcës ka adresuar në Polici 20 raste të denoncuara nga subjekte elektorale dhe qytetarë të ndryshëm, nga të cilat nga ana e policisë është raportuar vetëm për dy raste, ndërkohë që Policia e Shtetit është e përfaqësuar në Task-Forcë përmes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe është angazhuar për të qenë në gatishmëri dhe raportuar në çdo rast para Task Forcës. Policia e Shtetit është justifikuar me faktin që kishte marrë dijeni për mbled hjen para dy orëve dhe nuk mund te sillte informacionin sipas kërkesës.Gjithashtu, Policia ka dështuar të tregojë numrin në total të të gjitha denoncimeve të bëra nga zyra e kryetarit të Task-Forcës, të Ministrive apo Titullarëve të tjerë të Institucioneve në lidhje me përfshirjen e administratës shtetërore në shitblerjen e votës, intimidimin e votueseve nga elementë kriminal apo rasteve të përfshirjes së policisë në aktivitet të paligjshëm.

Policisë së Shtetit iu kërkua informacion dhe sqarime për rastet konkrete për të vlerësuar efektivitetin e policisë dhe mënyrën e ndjekjes dhe trajtimit të denoncimeve prej saj.Nga policia nuk u dhanë sqarime konkrete, nëse rastet e adresuara nga zyra e kryetarit të Task Forcës ishin verifikuar në vend dhe nëse ishin marrë masa për parandalimin e shitblerjes së votës siç pretendohej nga denoncimet.Nga ana tjetër, Policia e Shtetit nuk arriti të jepte një numër të rasteve të regjistruara të shitblerjes së votës në ditën e sotme, por raportoi për 14 vepra penale në fushën e zgjedhjeve.Theksohet se vetëm nga zyra e kryesuesit të Task-Forcës janë referuar 35 emra personash në polici nga të cilat 15 ishin drejtues të administratës shtetërore në Korçë. Nuk u raportua lidhur me verifikimet e kryera për personat në fjalë.

Në mungesë të raportimit nga Policia për rastet e referuara nga Task Forca si dhe të efektivitetit të koordinimit për parandalimin e procesit të shitblerjes së votës në vijim nga momenti i referimit nga Task Forcë, u diskutua lidhur me implikimin e strukturave të policisë apo rrjedhje të informacioneve.Z. Qato dhe Ministri Brendshëm pranuan mundësinë për rrjedhje informacioni gjatë referimit të denoncimeve për ndjekje nga strukturat e policisë në qendër drejt atyre në bazë.

Në këtë kuadër u diskutua lidhur me implikimin e punonjësve të policisë në mbështetje të forcave politike të caktuara apo edhe për implikimin e mundshme të tyre me elementë kriminalë. Përmendim këtu raportimet e Ministrit të Brendshëm lidhur me implikimin e disa shefave të komisariateve në mbështetje të hapur të subjekteve të caktuar të policisë, raste të cila i janë referuar kësaj të fundit nga ministri në fjalë. Fakte të tilla vënë në dyshim efektivitetin e trajtimit të rasteve të denoncuara deri në këtë fazë të procesit zgjedhor, por edhe gjatë procesit të transportimit të kutive dhe të numërimit të votave.

Të gjitha sa më sipër, vënë në diskutim efektivitetin e koordinimit dhe marrjen e masave në kohë nga policia me qëllim parandalimin apo frenimin e fenomenit të shitblerjes së votës dhe intimidimit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.Sipas Ministrit të Brendshëm angazhimi i strukturave të policisë ka qenë maksimal, ndërkohë që rezultati ka qenë i ulët.

Në mungesë të raportimit të plotë në lidhje me rastet e adresuara nga Task -Forca, Policisë iu kërkua të sjellë raport të detajuar që më pas do të vlerësohet në mbledhjen e ardhshme të Task-Forcës.Gjithashtu Task-Forca garantoi policinë për mbështetjen e saj gjatë ushtrimit të funksioneve sipas ligjit duke e konsideruar që policia është e depolitizuar dhe njëkohësisht i kujtoi detyrimin ligjor të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve demokratike.

Task-Forca i kujtoi Policisë së Shtetit që në asnjë rast të mos përfshihet në mbështetje të subjekteve zgjedhore, çka përbën vepër penale të dënueshme nga ligji dhe të verifikojë rastet e denoncuara për mbështetje të subjekteve elektorale apo edhe të bashkëpunimit me elementë kriminalë nga persona të caktuar pjesë e strukturave të policisë së shtetit të të gjithave niveleve, përfshirë shefa komisariatesh.

Duke marrë situatën sa më sipër, Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit iu kërkua të marrin masa në fazën e procesit të transportimit të kutive nga qendrat e votimit dhe sigurimin e procesit të numërimit.

Nga ana tjetër, Task Forca i bën thirrje subjektet elektorale dhe qytetarëve që nëse kanë të dhëna, fakte apo prova për përfshirjen e policisë gjatë këtij procesi zgjedhor të njoftojnë menjëherë Task-Forcën me qëllim marrjen, sipas rastit, të masave administrative apo referimin e çështjeve në prokurori.

Gjatë mbledhjes së Task-Forcës u diskutua edhe për disa raste konkrete të përfshirjes së punonjësve të administratës shtetërore në veprime të kundërligjshme.

Rasti i parë i diskutuar është ai i një punonjësi të OSHEE Vorë, i cili si komisioner i Partisë Socialiste është përfshirë në shitblerje votash sipas filmimeve video të regjistruara dhe të bëra publike. Diskutimi u bë mbi bazën e kërkesës së subjektit zgjedhor Lëvizja Socialiste për Integrim. Task-Forca la si detyrë të merren masa të menjëhershme nga Ministri i Ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE dhe Drejtori i OSHEE. Nga ana tjetër, drejtuesi i Task-Forcës do të referojë këtë rast në prokurori.

Rasti i dytë kishte të bënte më përdorimin e faqes zyrtare të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), e cila është institucion i lartë i administratës, për propagandë zgjedhore në favor të subjektit zgjedhor Lëvizja Socialiste për Integrim duke përdorur asete të institucioneve publike. ATSH në shkelje të heshtjes zgjedhore ka publikuar në faqen e saj zyrtare të internetit një fletë-votimi ku tregohet qartë votimi për subjektin zgjedhor Lëvizja Socialiste për Integrim. Rasti është adresuar në Polici për verifikime nga Task Forca dhe në vijim pritet të merren masa administrative dhe penale.

Rasti i tretë është ai i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, i cili në shkelje të heshtjes zgjedhore, sipas denoncimeve të shumë qytetarëve përmes fotove dhe dëshmive ka shpërndarë fletë-palosje nëpër shtëpi me lutjen për të votuar Partinë Socialiste me premtimin se buxheti i Bashkisë Tiranë do të përdoret për investime në favor të tyre. Ky rast është referuar në polici për verifikim dhe në vijim do të ndërmerren masa të tjera procedurale të tjera sipas ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat