Ngacmonte seksualisht gratë në rrugë, gjykata liron nga burgu autorin pasi…

Shqipëria

Ngacmonte seksualisht gratë në rrugë, gjykata liron nga burgu autorin pasi…

Më: 27 qershor 2017 Në ora: 07:24
ilustrim

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar lirimin nga qelia të një personi të akuzuar “ngacmim seksual”.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësore është vlerësuar se i pandehuri me iniciale A.D. ka çrregullime psikike dhe se nuk ka qenë i përgjegjshëm mendërisht gjatë kryerjes së veprës penale. I pandehuri i kësaj çështjeje akuzohej se në shtator të vitit 2016 kishte ngacmuar seksualisht një femër 45-vjeçare në rrugë, duke e kapur në pjesën e gjoksit.

Duke iu referuar një akt-ekspertimi psikiatriko-ligjor gjykata ka vlerësuar se i pandehuri A.D. nuk është i përgjegjshëm para ligjit. Në vendim gjykata ka vlerësuar se i pandehuri paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe ka caktuar ndaj tij masën mjekësore “mjekim i detyruar ambulator”. Në të njëjtin vendim gjykata urdhëron heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij dhe lirimin e tij nga paraburgimi. “Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit A.D. nga ambientet e IEVP ‘Mine Peza’ Tiranë, me kusht që në ngarkim të tij të mos ketë masa të tjera sigurimi personal ‘arrest ne burg’, ose çdo dënim tjetër penal me burgim”, thuhej në vendimin e gjykatës.

Sipas vendimit të gjykatës, ngjaja për të cilën qëndroi gati 10 muaj në qeli i pandehuri A.D. ka ndodhur më 7 shtator 2016. Ai ka ngacmuar seksualisht një femër pranë një stacioni autobusi urban në zonën e Kamzës. Sipas kallëzimit të së dëmtuarës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30, kur ajo po priste autobusin. Një person i është afruar dhe e ka kapur te gjoksi duke e shtrënguar fort. Ajo ka treguar se e ka goditur me çadër dhe personi është larguar me nxitim. Për shkak të kësaj ndodhie kallëzuesja ka shkuar në shtëpi duke qarë, për shkak të poshtërimit që ka ndier nga ky lloj veprimi.

Rreth orës 10:00 të së njëjtës ditë, ajo ka dalë nga banesa në të njëjtën zonë në rrugën kryesore të Kodër Kamzës ka parë të njëjtin person, duke kapur në pjesën e gjoksit një tjetër vajzë që po kalonte në rrugë. Për këtë shkak kallëzuesja e ka ndjekur të pandehurin në distancë dhe ka njoftuar policinë përmes telefonit të saj. Pas njoftimit dhe lokalizimit, policia ka bërë të mundur arrestimin e personit. Gjatë hetimit i pandehuri i është nënshtruar një akt-ekspertimi psikiatriko-ligjor, ku ka rezultuar se ai vuan nga probleme mendore.

Ai nuk ka qenë i përgjegjshme në kohën e kryerjes së veprës penale dhe se nuk është i përgjegjshëm para ligjit.

“Nga përmbajtja e aktit rezulton se gjendja e tij aktuale është e tillë që duke vlerësuar kompliancën me trajtimin dhe historinë për violencë rekomandohet masa mjekësore e mjekimit të detyruar ambulator, nën ndikimin e psikiatrit dhe kujdesin e një familjari. Ai paraqet rrezikshmëri shoqërore për shkak të sëmundjes që ai ka dhe rekomandojnë mjekim ambulator”, citohej përfundimi i aktit psikiatriko-ligjor në vendimin e gjykatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat