Lulzim Basha përballet me revoltë brenda partisë pas humbjes në zgjedhje

Shqipëria

Lulzim Basha përballet me revoltë brenda partisë pas humbjes në zgjedhje

Më: 28 qershor 2017 Në ora: 15:43
Lulzim Basha

Pas rezultatit katastrofik të Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit, pozicioni i kryetarit aktual të PD është në rrezik, ku pritet që zgjedhjet partiake të korrikut të vendosin fatin e tij.

Lulzim Basha, lideri i partisë kryesore në opozitë në Shqipëri, PD, ka ngrirë funksionet e tij në parti pas mundjes shkatërrimtare në zgjedhjet e 25 qershorit.

Të martën, Basha ia hodhi fajin rezultatit të ulët në zgjedhje blerjes së votës, por tha se merrte përgjegjësi për mundjen dhe se po e ngrinte mandatin e tij si kryetar partie, për t’i hapur rrugën një gare të re për postin e liderit në korrik, ku ai do të konkurrojë me platformën e tij.

“Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar nuk e përcaktoj unë, por këtë nuk mund ta përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e Partisë Demokratike – Këtë do ta përcaktojnë demokratët,” tha ai.

Demokratët u përballën me një stuhi të martën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lajmëroi rezultatin paraprak.

Partia fitoi vetëm 43 vende në parlament, shtatë më pak se zgjedhjet e përgjithshme 2013 dhe do të ketë 31 deputetë më pak në parlamentin tjetër se rivali kryesor, Partia Socialiste e Edi Ramës.

Koalicioni i drejtuar nga PD siguroi rreth 457,000 vota në zgjedhje. Në 2013, ata mblodhën rreth 635,000 vota.

Një listë prej 18 anëtarësh të kryesisë së partisë shpërndanë një deklaratë ku e nxisnin Bashën të merrte përgjegjësi për humbjen dhe të hiqte dorë, duke e akuzuar atë se ka krijuar përçarje brenda partisë.

Vetëm disa minuta më pas, një listë tjetër prej 74 anëtarësh të partisë, kryesisht ish-deputetë dhe ministra gjithashtu i bënë thirrje Bashës të dorëhiqet, duke i quajtur rezultatet e zgjedhjeve katastrofike dhe duke kërkuar që lideri të marrë përgjegjësi.

Gjatë ditës, krerët e partive të vogla aleate me demokratët gjithashtu shprehën zemërim mbi organizimin teknik të partisë opozitare gjatë zgjedhjeve.

Sipas strategjisë së Bashës, ata hynë në listën e deputetëve të PD – dhe tani disa prej tyre nuk ia kanë dalë të marrin një mandat deputeti.

 

Megjithëse Basha ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe ka zgjedhur një rrugë të mesme duke ngrirë funksionet e tij, mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë në krye të demokratëve për katër vite të tjera.

Basha u zgjodh kryetar pas një zgjedhje të brendshme në korrik 2013, pasi lideri historik i partisë, Sali Berisha e humbi përpjekjen për të marrë një mandat të tretë si kryeministër.

Katër vite më pas, në korrik, Basha përballet me zgjedhje të brendshme në një pozicion më të vështirë, duke qenë se shumë demokratë janë të zemëruar nga humbja e madhe.

Basha ka caktuar dy zv.kryetarë partie, Edi Palokën dhe Arben Ristanin për të përgatitur zgjedhjet, që do të mbahen sipas parimit “një anëtar, një votë”.

Të martën, i pari kandidat që sfidoi Bashën u shfaq – ish kryetari i partisë nga 1992 derinë 1995 dhe ish deputeti [i lënë jashtë listës zgjedhore të Bashës] Eduard Selami.

“Demokratë të nderuar, me ndjenjë përgjegjësie dhe synim për t’i rikthyer së bashku PD, lavdinë e merituar, shpall kandidaturën për Kryetar!” shkroi Selami në Twitter.

Burime i thanë BIRN se kandidatë të tjerë do t’i bashkohen garës në ditët e ardhshme, ku do të shpallin platformat e tyre për të forcuar partinë dhe për t’i rikthyer pozicionin partisë që qeverisi Shqipërinë për 14 nga 25 vitet e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat