Arsyeja/ Rama nis ndarjen e posteve, pse zgjodhi Ruçin për kryetar Kuvendi

Shqipëria

Arsyeja/ Rama nis ndarjen e posteve, pse zgjodhi Ruçin për kryetar Kuvendi

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 08:33
Edi Rama

Partia Socialiste do të zgjedhë Gramoz Ruçin në krye të Parlamentit të ri. Burime pranë selisë rozë thanë dje se numri dy në Partinë Socialiste është personi i duhur për të përballuar në Kuvend betejën e ashpër politike që pritet pas daljes në opozitë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shkruan “Panorama”.Me përvojën e gjatë si deputet, që nga viti 1992, por dhe në krye të Grupit Parlamentar socialist për disa legjislatura, Ruçi është autoriteti i duhur për të ruajtur balancat e duhura në Kuvendin e ardhshëm, kur vetë socialistët do të kenë 74 mandate deputetësh.

 

Njohja e mirë me procedurat parlamentare, por dhe rregulloren e Kuvendit, do t’ia bëjë më të lehtë detyrën kreut të Grupit Parlamentar socialist për të përmbushur këtë detyrë.

Zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit do të bëhet me votim të fshehtë me kuti, ndërsa për të duhet shumicë e thjeshtë prej 71 deputetësh.

Në shtator 2013, Ilir Meta u zgjodh në krye të Kuvendit në seancën e parë pas zgjedhjeve të 2013, duke marrë 91 vota pro, pasi ishte votuar edhe nga 8 deputetë të opozitës.

PËRPLASJA

Por duket se arsyeja kryesore që ka çuar kryetarin e PS-së Edi Rama për të propozuar Ruçin në krye të Kuvendit është situata konfliktuale me LSI-në, e cila do të ketë 19 deputetë në Kuvend, por edhe paqartësia e qëndrimit të Partisë Demokratike, pas ftesës që kreu i qeverisë bëri për të vijuar bashkëpunimin në frymën e marrëveshjes së 18 majit.

Por, prezenca e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit është një premisë e mirë për të vendosur marrëdhënie normale bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Presidencës, kur Ilir Meta më 24 korrik do të marrë mandatin 5-vjeçar për të qenë në krye të shtetit.

Gjatë debatit elektoral, Ruçi kërcënoi Presidentin e zgjedhur Meta se mund të shkarkohet nga Partia Socialiste nëse do të shkelë Kushtetutën e vendit. Meta ishte shprehur se nuk do të dekretonte asnjë ministër dhe asnjë Kryeministër që dilte nga zgjedhje jo të lira.

Autoriteti i Ruçit në Kuvend ka çuar në zgjidhjen e disa ngërçeve të krijuara. Ishte paralajmërimi i kreut të Grupit socialist pas djegies së raundit të tretë pa kandidatë për zgjedhjen e presidentit, duke i kërkuar Metës ose zgjedhjen e kreut të shtetit ose zgjedhjet e parakohshme.

Pas kësaj deklarate, në seancën e radhës, Kuvendi zgjodhi presidentin e ri të vendit. Nga ana institucionale, Ruçi ka arritur të ndërtojë marrëdhënie korrekte si me opozitën në Kuvend, aleatin në qeveri, presidentin Nishani, por dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat