Gara për kryetarin, Ristani: Basha shkeli statutin e PD-së

Shqipëria

Gara për kryetarin, Ristani: Basha shkeli statutin e PD-së

Më: 30 qershor 2017 Në ora: 09:31
Arben Ristani

Zgjedhjet e kreut të PD-së shkaktojnë përplasje mes drejtuesve të mbetur të demokratëve.  Lulzim Basha vendosi të mos japë dorëheqje, por të ngrijë postin e kreut të Partisë Demokratike, duke ia deleguar kompetencat për organizmin e zgjedhjeve për postin që ai mban aktualisht dy nënkryetarëve, Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Por, ngrirja e kompetencave të kryetarit Basha ka nxitur jo vetëm kritika të shumta nga eksponentë të rëndësishëm të PD-së, por edhe përplasje brenda kupolës drejtuese.

Jo të gjithë janë pro largimit të Bashës, por ka edhe shumë figura që kritikojnë qëndrimin e tij për të ngrirë postin e kryetarit dhe jo për t’u dorëhequr. Veç kësaj, edhe pse u përfolën shumë emra për të garuar për postin e kryetarit, deri më tani vetëm Eduard Selami ka deklaruar ambicien për t’u zgjedhur. Gjatë këtyre ditëve është përfolur emri i Jozefina Topallit, Majlinda Bregut por askush prej këtyre figurave nuk ka deklaruar hyrjen në garë.

Topalli dhe Bregu e kanë konsideruar vendimin e Bashës për të ngrirë postin dhe për të hyrë në garë si kryetar sërish, si të padrejtë dhe si mundësi për një garë jo të barabartë. Kjo duket se është edhe arsyeja pse figurat pretendente janë stopuar të hynë në garë, të cilën e konsiderojnë të padrejtë dhe të pa pabazuar në statut. Gara për kreun e PD-së është e hapur prej ditësh por janë vetëm dy kandidatë, Lulzim Basha dhe Eduard Selami, ndryshe nga ç’pritej. Ndërkaq, ngrirja e kompetencave të Bashës, duke ia deleguar të gjithë organizimin e garës dy nënkryetarëve të PD-së, ka krijuar përplasje në kupolën drejtuese të Partisë Demokrate, shkruan shekulli.

Sekretari i Përgjigjëm, Arben Ristani ka dalë dje kundër Lulzim Bashës, duke thënë se vendimin për t’ia deleguar kompetencat e organizimit të zgjedhjeve dy nënkryetarëve, është në shkelje të statutit. Në një reagim, ai tha se është Sekretari i Përgjithshëm ai që organizon garën dhe jo nënkryetarët. Ristani citon edhe nenet e statutit që qartësojnë procedurën. Disa orë më vonë reaguan dy të deleguarit e Bashës, Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Në një reagim të përbashkët, dy nënkryetarët thënë se gara është e hapur dhe garanton konkurrencë të lirë dhe zgjedhje sipas parimit, “një anëtar, një votë”.

Ristani kundër Bashës

Numri dy i Partisë Demokratike, Arben Ristani është rreshtuar kundër Lulzim Bashës. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së ka kërkuar rihapjen e procesit për garën, në mënyrë që të sigurohet integriteti dhe besimi tek anëtarët për një proces të rregullt dhe statutor. Në vijim, ai ka qartësuar procesin sipas statutit. “Me qëllim sqarimin e opinionit publik dhe mbi të gjitha të anëtarësisë së PD-së dhe situatës së krijuar së fundmi me procesin zgjedhor për kryetar të PD-së, ndjej detyrimin dhe përgjegjësinë si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së të bëj me dije se: Delegimi i kompetencave organizative nga Kryetari tek nënkryetarët është jo statutor dhe pa përmbajtje, sepse kompetencat organizative i takojnë në bazë të statutit Sekretarit të Përgjithshëm.

Neni 43 thotë se ne rast dorëheqje etj të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë. Pra, kompetenca e komandimit i takon Këshillit Kombëtar i cili thirret nga Sekretari i Përgjithshëm”, reagoi Ristani. Sekretari i Përgjithshëm shton se vendimi i Bashës që procesin ta organizojnë dy nënkryetarët është e pabazuar në statut. “Vendimi i dy nënkryetarëve për të thirrur zgjedhjet, caktimin e datës se zgjedhjeve dhe datës së paraqitjes se kandidaturave është vendim i pa mbështetur në statut.

Në bazë të nenit 40/2 të statutit të Partisë, shpallja e datës së zgjedhjeve dhe e datës së paraqitjes se kandidaturave është kompetencë e Kryesisë së Partisë”, u shpreh Ristani. Në fund ai thekson domosdoshmërinë që gara të rinis nga fillimi. “Për ta vendosur situatën në shtratin statutor, për të garantuar integritetin e zgjedhjeve në Parti dhe për të rifituar besimin e anëtarësisë, është e nevojshme rinisja e procesit mbi bazat e statutit të PDSH-së”, thotë numri dy i PD-së.

Të deleguarit

Dy nënkryetarët e deleguar nga Basha për t’u marrë me procesin organizativ të zgjedhjeve për kryetarin, e kanë kundërshtuar Sekretarin e Përgjithshëm të partisë. Në një reagim të përbashkët, nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho thanë se janë të gjitha kushtet që gara të jetë e drejtë. Sipas tyre, gara është e hapur për çdo anëtar. “Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë të hapura dhe çdo anëtar i Partisë Demokratike ka të drejtë të kandidojë. Kjo garë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për reflektim, diskutim idesh dhe konkurrencë vizionesh për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e tyre.

Paloka dhe Spaho shtojnë se diskutimi për kreun e PD-s duhet të zhvillohet në mënyrë reflektive dhe të mos krijohen përçarje. “Mendimi ndryshe, debati dhe përplasja e ideve janë vlera themelore të Partisë Demokratike. Por, diskutimet duhet të zhvillohen në mënyrë reflektive, të qytetëruar dhe etike duke respektuar të drejtën dhe dinjitetin e gjithkujt, përmes frymës së bashkimit dhe gjithë përfshirjes dhe jo përçarjes e përjashtimit. Ndryshimet në qëndrime dhe në mendime në Partinë Demokratike zgjidhen vetëm përmes konkurrencës së kandidatëve dhe vendim-marrjes së anëtarëve”, thuhet në deklaratën e tyre.

Dy nënkryetarët citojnë edhe nenet përkatëse për zgjedhjet. Në fund dy nënkryetarët sqarojnë se, është kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ai që ka deleguar procesin e zgjedhjeve tek ata. Të deleguarit sqarojnë edhe një herë se gara do të mbahet më 22 korrik, pra nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve, sikur kërkoi Ristani. “Kryetari i Partisë Z.Lulzim Basha ka autorizuar publikisht delegimin e të gjithë vendim-marrjes organizative tek dy Nënkryetarët e PDSH dhe Sekretari i Përgjithshëm. Zgjedhjet e fundit për Kryetari e Partisë janë zhvilluar në 22 korrik 2013. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve respekton këtë afat fundor për kryerjen e zgjedhjeve të radhës më 22 korrik 2017.

Gara dhe votimi për kryetarin e PDSH do të zhvillohen në mënyrë të hapur, të ndershme dhe të barabartë. Nga ky proces, Partia Demokratike do të dalë më e fortë dhe më demokratike për t’i paraprirë ndryshimeve të mëdha që ka nevojë vendit”, mbyllet deklarata. Ditën e martë, kreu i PD-së deklaroi hapjen e garës për kreun e ri të Partisë Demokratike, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit. Humbja katastrofike e PD-së i dha të drejtë kritikëve të Bashës për marrëveshjen që bëri me Ramën, mos shuarjen shpejtë të zërave për një koalicion të mundshëm post zgjedhor dhe lënien mënjanë të problematikave të ngritura nga PD-ja përgjatë katër viteve të fundit që vendi drejtohej nga Rama, si kanabisi, korrupsion, cenimi i zgjedhjeve etj.

Por, Basha nuk dha dorëheqje, ai deklaroi ngrirjen e funksionit të tij si kryetar dhe sërish ai do të jetë kandidat për postin e të parit të partisë më të madhe opozitare. “Unë ngrij të gjitha funksionet e mia organizative si kryetar dhe do të ketë garë për kryetar sipas parimit “një anëtar, një votë”. Unë kam projekt dhe projektin tim e vlerësojnë demokratët. Unë mbaj përgjegjësi jo duke ikur, por duke luftuar deri në fund me ta e për ta”, tha Basha në reagimin e parë pas humbjes së zgjedhjeve të partisë së tij”, tha Basha në deklaratën e tij, e cila është kundërshtuar fort dhe ka krijuar përplasje të shumta në PD.

Statuti i PD për zgjedhjen e kryetarit

Neni 43, pika 1 dhe 2

Nënkryetarët e Partisë:

PDSH ka dy Nënkryetarë të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të Nenit 37 të Statutit.
Në mungesë të zgjatur të Kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (Dorëheqje etj.) Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar.

Neni 58

Afati i Zgjedhjeve:

Të gjitha organet e Partisë duhet t’u nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo katër vjet.

Neni 35, Kompetencat e Kuvendit Kombëtar

Kuvendi Kombëtar:

Pika 3- zgjedh me votim të fshehtë Këshillin Kombëtar nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues sipas modaliteteve të përcaktuara nga Kryesia e Partisë;

Pika 4- vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar;

Pika 8- Të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar e kanë:

Kryetari i Partisë;

Këshilli Kombëtar;

Kryesia e Partisë;

Kryesia e Degës të Partisë;

Jo më pak se pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të Kuvendit me të drejtë vote, të shpërndarë të paktën në pesë degë të PD. Kërkesat për propozim kandidaturash sipas kësaj germe, duhet ti nënshtrohen të njëjtave procedura si të tre germave të para.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat