KQZ paralajmëron procedime penale për 14 KZAZ-të që s’kanë dorëzuar rezultatet përfundimtare

Shqipëria

KQZ paralajmëron procedime penale për 14 KZAZ-të që s’kanë dorëzuar rezultatet përfundimtare

Më: 30 qershor 2017 Në ora: 12:46
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar procedime penale për komisionerët e disa KZAZ-ve që nuk kanë dorëzuar ende tabelat e rezultateve për zgjedhjet e 25 qershorit.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj pohoi se bëhet fjalë për 14 KZAZ që nuk kanë dorëzuar ende rezultatin final.

“Është e paparanueshme që një numër i caktuar i Komisioneve të Zonave të Administrimit zgjedhor ende nuk kanë dorëzuar në KQZ-së materialet zgjedhore dhe tabelat e rezultateve me vendimet përkatëse”, tha ajo në një dalje publike para mediave.

“Kjo situatë është e patolerushme, pasi jemi në datën 30 qershor, 3 ditë pasi ka përfunduar procesi i numërimit dhe KQZ po pengohet për të vijuar procedurat e miratimit të tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo qark sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor. Janë KZAZ të cilat nuk kanë dorëzuar materialet zgjedhore, ndërkohë KZAZ nr. 42 Kavajë, akoma nuk ka miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjet për Kuvendin dhe për zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë Kavajë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkon KZAZ-ve, që në mënyrë urgjente të përmbyllin tabulimin e rezultateve dhe dërgimin e tyre në KQZ. Refuzimi i plotësimit të tabelave të rezultateve dhe vendimeve përkatëse, si edhe dorëzimi i menjëhershëm në KQZ nga ana e komisionerëve, do të konsiderohet shpërdorim detyre dhe do të merren masat e nevojshme nga KQZ”, theksoi Hoxhaj para mediave.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat