Komuniteti LGBT i çon paketën me 15 pika kryeministrit Rama, ja kërkesat e tyre

Shqipëria

Komuniteti LGBT i çon paketën me 15 pika kryeministrit Rama, ja kërkesat e tyre

Më: 30 qershor 2017 Në ora: 16:51
Komuniteti LGBT

Vetëm pak orë nga ftesa që kryeministri Edi Rama u bëri shqiptarëve, për të thënë mendimin e tyre lidhur me çfarë nuk është realizuar, çfarë nuk është bërë mirë e plotësisht në 4 vitet që kaluan dhe se çfarë mund të ofrohet e realizohet në katër vitet e mandatit të dytë të “Rilindjes”, Komuniteti LGBT i ka paraqitur atij një paketë me 15 pika sociale-ligjore, duke i kërkuar plotësimin e tyre në këtë mandat qeverisës, për të mos vuajtur më peshën e rëndë të diskriminimit dhe mohimin e të drejtave sociale.

E hartuar në formën e një letër-proteste, kjo paketë kërkesash nis me kujtesën që ky komunitet i bënë kryeministrit, lidhur me faktin se në 4 vitet e para të qeverisjes së tij, përveç denigrimit nga shoqëria e shpesh edhe nga rrethi i tyre fisnor e familjar, ata janë përballur me diskriminimin dhe përjashtimin që u është bërë institucioneve shtetërore!

Komuniteti LGBT, ka vendosur t’i përgjigjet thirrjes së kryeministrit Rama, duke i parashtuar 15 kërkesa sociale-ligjore jo si privilegj por si detyrim ligjor që duheshin zbatuar qysh pas miratimit të ligjith për plotësimin e të drejtave të këtij komuniteti, garanci që pas vitit 2013 u dha edhe prej kryeministrit Rama. Por realiteti vazhdon të jetë shqetësim ekstrem në Shqipëri, siç e ka deklaruar Avokati i Popullit Igli Totozani, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku ka thënë: “Këto të drejta janë të mohuara e të nëpërkëmbura, mbasi Komuniteti LGBT në Shqipëri bën një jetë të vështirë për shkak të paragjykimeve dhe diskriminimit e përjashtimit total nga çdo e drejtë publike e private, deri me sjellje dhune e gjuhë të ashpër urrejtje dhe nga politikanët që bëjnë ligjet për të mbrojtur të drejtat e tyre…”.

Në në letrën drejtuar kryeministrit pas thirrjes për bashkëbisedim, pjesëtarët e komunitetit LGBT, thonë: Ne konstatojmë se këto detyrime që na takojnë si qytetarë të lirë e të barabartë të këtij vendi nuk na janë plotësuar, ndaj kërkojmë të plotësohen në këtë mandate qeverisës, siç ndodh në çdo vend të BE, ku janë detyruar të shkojnë shumë prej nesh”. Po cila është paketa me 15 kërkesa të plotësuara, që ata kanë paraqitur për t’u bërë pjesë e programit qeverisës “Shqipëria që duam-2017-2021?

Komuniteti LGBT, të jetë pjesë e Këshillit Kombëtar të Punës që funksionon brenda Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barbarta, ashtu siç janë pjesë e këtij këshilli komunitetet, sindikatat dhe organizatat e tjera shoqërore.

Të jemi prezent (të atashuar) në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale, si grup interesi në projekt-ligjet që miraton ky komision
Të jemi pjesë konsultimi dhe debati në çdo projekt-ligj, projekt-udhëzim dhe projekt-vendim që ideojnë, hartojnë dhe miratojnë ministritë për problemet që kanë lidhje me integrimin e komunitetit tonë.

Të konkretiozhet njohja e identitetit tonë gjinor në regjistrat e Gjendjes Civile dhe të zbatohet ligji për martesat brenda gjinisë
Bashkitë të nisin aplikimin e procedurave zyrtare në Zyrat Martesore, për martesat brenda gjinisë, duke promovuar rastet e këtyre lidhjeve martesore, siç veprohet në vendet e BE.

Siç veprohet për komunitetet e tjerë, qeveria të planifikoj në buxhet, fonde për strehimin e familjeve që krijohen prej martesave brenda gjinisë
Shteti të ndaloj me urdhër dhe me masa ndëshkuese, diskriminimin e punonjësve të komunitetit tonë në administratën publike
Ashtu si për gjykimet e vjedhjes së energjisë, për ndërtime pa leje e për dhunën ndaj grave, shteti të miratoj një ligj për përshpejtimin e proceseve gjyqësore ndaj dhunuesve tanë, duke na garantuar edhe urdhër mbrojteje.

Bashkitë të urdhërojnë krye-pleqtë dhe administratorët e pallateve, që të denoncojnë çdo rast në lidhje me diskriminim apo dhunimin tonë e të familjeve tona
Të nis projekti “Pilot” në shkolla për të futur në programet mësimore informacionin dhe aktet e sjelljes evropiane ndaj komunitetit LGBT, si pjesë e barabartë e shoqërisë

Marrëdhëniet tona intime, të mos cilësohen e të mos trajtohen si vepër penale
Qeveria, nëpërmjet institucioneve të së drejtës e atyre sociale, të realizoj fushata sensibizimi e promocioni për të drejtat tona
Të ndalen largimet nga puna dhe kufizimet e pranimeve në punë ndaj anëtarëve të komunitetit tonë nga administrata publike dhe nga subjektet private
Qeveria të hap qendra sociale, për trajtimin e anëtarëve të komunitetit tonë që janë në kushtet të vështira ekonomike.

Shteti të ndaloj me ligj diskriminim tonë në programet televizive analitike e humoristike dhe të detyroj televizionet publike, të bëjnë promovimin e problematikave dhe të integrimit tonë shoqëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat