Idrizi jep sinjalin parë të bashkimit me Ramën

Shqipëria

Idrizi jep sinjalin parë të bashkimit me Ramën

Më: 1 korrik 2017 Në ora: 18:45
Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka dhënë sinjalin e parë e futjes në koalicion me Partinë Socialiste, forcës politike që fitoi zgjedhjet e 25 qershorit me 74 mandate, duke garantuar qeverisjen edhe e vetme.

“Kam refuzuar të flas për tepsi, por meqë e ka marrë vetë të shohim çfarë do bëjë me të. Ai është fitues, dhe e urojmë. PDIU është e gatshme të bashkojë votat e saj për çështjen e emigrantëve, për një ministri të Diasporës, apo për ligje që i mundësojnë shqiptarëve të drejtën të votojnë me referendum. Por po presim certifikimin e rezultatit zgjedhor”, tha Idrizi i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24.

I pyetur lidhur me zërat se tre deputetët e PDIU do t’i bashkohen PS, ai u shpreh: “Nuk mendoj se mund të ndodhë diçka e tillë pa një diskutim në gjithë strukturat e partisë. Ata kanë garuar nën siglën e PDIU”.

Sakaq, Idrizi ka folur edhe për qëndrimin e tij para fushatës zgjedhore, kur kërkonte edhe përfshirjen e opozitës në zgjedhje

“Në asnjë rast nuk jemi bashkuar me kurrkënd. Ajo që kemi bërë, është se nuk ka qenë logjike që ne të hynim në zgjedhje pa përfaqësimin e gjysmës së shqiptarëve. Një vend që aspiron për në BE, nuk mund të hyjë në zgjedhje pa opozitën. Mos harrojmë që PDIU ka paraqitur një pakt kombëtar. Ne jemi regjistruar në zgjedhje, por fakti që kërkonim që edhe opozita t’i bashkohej këtij procesi, nuk do të thotë se jemi bashkuar me njeri”, u shpreh Idrizi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat