Rama tur dëgjesash gjatë korrikut: Platforma e Bashkëqeverisjes me njerëzit, të jetë gati bashkë me Qeverinë e Re

Shqipëria

Rama tur dëgjesash gjatë korrikut: Platforma e Bashkëqeverisjes me njerëzit, të jetë gati bashkë me Qeverinë e Re

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 06:29
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama lajmëron se ditën e hënë do të mbajë një mbledhje me skuadrën e PS-së të dalë pas 25 qershorit, deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë për të vendosur piketat e qeverisjes për mandatin e dytë.

Rama deklaron se grupi i punës do të zhvillojnë një tur 30-ditor për të dëgjuar qytetarët për shqetësimet që kanë ndaj qeverisë dhe institucioneve dhe në bazë të tyre do të hartohet raporti që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap.

“PER KOALICIONIN KUNDËR TEPSISË, Të hënën do të mblidhemi me deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë, pra me të gjithë skuadrën tonë të 25 qershorit, për nisjen e turit të dëgjesave në bazë të çdo qarku gjatë gjithë muajit korrik. Një aspekt i rëndësishëm i këtij turi dëgjesash, do të jetë mbledhja e të dhënave për punën e zyrave të administratës shtetërore. Për këtë qëllim do të përdoret edhe mbledhja e informacionit online nga njerëzit e zakonshëm, lidhur me zyrat e shërbimeve për publikun dhe punonjësit e drejtuesit e tyre. Në këtë fazë ky informacion do të mblidhet përmes kësaj faqeje, apo faqeve online të udhëheqësve tanë në çdo qark. Ndërsa më pas, kur Platforma e Bashkëqeverisjes me njerëzit, SHQIPËRIA QË DUAM, të jetë gati bashkë me Qeverinë e Re, një seksion i veçantë i saj do t’i shërbejë posaçërisht çdo qytetari; për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për punën e zyrave të shtetit në çdo pikë të vendit apo vënë alarmin në qeveri, për raste konkrete të abuzimit me detyrën ose sjelljes së padenjë të nëpunësve të shtetit me njerëzit”, shkruan Rama në facebook.

Pas këtij turi 30 ditor, deklaron Rama, të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark.

Kryeministri nënvizon se mbi bazën e tyre do të përgatitet një raport ku do pasqyrohet cilësia e punës, niveli i shërbimit dhe reputacionit publik të çdo dege të administratës shtetërore e të çdo drejtuesi përkatës. “Ky raport do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re që në ditën e parë të punës, si një nga dokumentat bazë që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap”, përfundon postimin në facebook, kryeministri Rama

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat