Kanabisi, Rama: Të pamëshirshëm ndaj policëve që nuk bashkëpunojnë

Shqipëria

Kanabisi, Rama: Të pamëshirshëm ndaj policëve që nuk bashkëpunojnë

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 13:29
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama është i vendosur për t’i dhënë fund kultivimit të kanabisit në vendin tonë. Në kuadër të realizimit të këtij objektivi, kreu i qeverisë ka mbledhur sot në Kryeministri strukturat e policisë dhe drejtuesit e tyre më të lartë.

Ndërsa pranon se disa punonjës të policisë kanë qenë të përfshirë në këto raste, Rama thotë se kjo nuk do të tolerohet. Kryeministri i ka kërkuar kreut të Policisë së Shtetit ndëshkim maksimal për çdo efektiv që shkel ligjin e bëhet palë me krimin.

“Është i njohur tashmë qëndrimi i punonjësve të policisë ndaj këtij fenomeni. Disa kanë qëndruar pasiv në rastin më të mirë, e disa janë përfshirë në rastin më të keq. Në disa zona të vendit janë konstatuar raste të kultivimit të bimëve narkotike, dhe nëse këto raste përsëriten në këto zona, bëjnë përgjegjës ata që kanë për detyrë të luftojnë fenomenin. I them kreut të Policisë së Shtetit që të tregohet i pamëshirshëm me ata që shkelin ligjin dhe mbyllin sytë ndaj fenomenit”, u shpreh kryeministri Rama.

Gjatë diskutimit të tij para drejtuesve të institucioneve dhe sigurisë kombëtare, kryeministri u shpreh se lufta anti-kanabis kërkon kohë dhe se nuk mbyllet menjëherë.

“Të dhënat për kontrolle e asgjësime të lëndës narkotike janë inkurajuese. Kjo është një betejë që zhvillohet çdo ditë e çdo orë dhe nuk mbyllet menjëherë. Është një operacion i përbashkët me partnerët italianë. Duhet ta fshijmë njollën që i ka mbetur Shqipërisë, por policia duhet të jetë e gatshme në çdo moment, edhe pse është goditur nga faktorë të ndryshëm politikë”, – vijoi kryeministri.

Rama ka shtuar se pas 10-12 ditësh do të ketë një tjetër takim me të dhëna të përditësuara.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako tha se nuk do të tolerohet asnjë punonjës që ndihmon apo kontribuon në forma të ndryshme të kultvimit të kanabisit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat