Fundjava në plazh e rëndon trafikun

Shqipëria

Fundjava në plazh e rëndon trafikun

Më: 8 korrik 2017 Në ora: 15:22
Shqipëri

Qytetarët i drejtohen plazheve në fundjavë çka sjellë dhe një rritje të qarkullimit të mjeteve, ku në disa raste ka edhe situata të vogla trafiku.

Policia në Shqipëri bën të ditur se të gjitha akset rrugore që i drejtohen plazheve, si në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Fier, Vlorë e Lezhë janë me trafik normal. Konkretisht, autostrada Tiranë- Maminas në orët e para të mëngjesit ka pasur fluks mjetesh nga kryeqyteti drejt Durrësit dhe Gjirit të Lalëzit. Janë shënuar katër përplasje mjetesh, fatmirësisht vetëm me dëme materiale, dhe vetëm një person i plagosur. Për pasojë, kryerja e veprimeve në këto aksidente ka shkaktuar vonesë të përkohëshme dhe bllokim të trafikut. Situata u përmirësua për një kohë relativisht të shkurtër dhe tani trafiku po rrjedh normalisht.

Ndërkaq, përsa i përket qarkut të Durrësit, ka trafik normal dhe të pandërprerë dhe nuk janë shënuar aksidente, apo bllokime në zonën e plazhit të Durrësit dhe Gjirit të Lalëzit.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të shërbimeve të tjera janë vendosur sipas planizimit për sezonin turistik. Në ndihmë të shërbimeve të Durrësit në zbatim të planit të masave janë 5 punonjës të Policisë Rrugore Tiranë, ndërkohë që në zonën e Golemit në Kavajë janë planizuar për ditën e sotme dhe në vijim 6 punonjës të Policisë Rrugore Tiranë, të cilët monitorojnë trafikun në këtë zonë bregdetare.

Në Shkodër në të gjithë akset rrugore të qarkut ka trafik normal të pandërprerë të mjeteve, nuk janë regjistruar aksidente dhe bllokime të trafikut në zonën e Velipojës.

Në qarqet e Lezhës, Fierit dhe Vlorës nuk ka pasur bllokime apo ngadalësim të trafikut deri në orët e drekës. Ka patur shërbime të përforcuara në rrugë nga policia Rrugore, ajo e Rendit dhe FLO.

Edhe në brendësi të zonave turistike, plazhet e Divjakës, plazhet e zonave të Himarës dhe të gjithë bregut të jugut, Sarandës, të Shengjinit janë nën kontroll normal të shërbimeve të Policisë Rrugore.

Policia vëren se pasdite pritet rëndim i situatës dhe ngarkesë mjetesh në aksin rrugor Gjiri i Lalëzit – Mbikalimi-Maminasit si dhe në aksin Durrës -Tiranë. Policia Rrugore pas orës 16.00 do të përforcohen me të tjera shërbime shtesë për të përballuar flukset e kthimit dhe të hyrjes në Tiranë.

Madje policia e shtetit këshillon drejtueit e mjeteve që padite në rast fluksi të përdorin rrugë kthimi atë të Ndroqit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat