“Lamtumira” e Bregut: Ka politikanë që janë paturpësisht koti e shpërfillës

Shqipëria

“Lamtumira” e Bregut: Ka politikanë që janë paturpësisht koti e shpërfillës

Më: 9 korrik 2017 Në ora: 14:31
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Majlinda Bregu

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Majlinda Bregu përmes një postimi në Facebook ka thënë se më 9 shtator i mbaron mandati në krye të këshillit.

Po ashtu, ajo ka thënë se është bindur se këto vite edhe më shumë se pjesa më e madhe e politikanëve-koti, janë paturpësisht shpërfillës ndaj fuqisë reale transformuese që bart ky proces.

Postimi i plotë i Bregut:

Shkolla Verore Evropiane 2017!

Në 2015, kur në Parlament ngritëm për herë të parë Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, të parin forum ku jemi ulur të gjithë: Maxhorancë, Opozitë, Presidencë Prokurori, Biznes, Universiteti, Media, Shoqëri Civile dhe të gjitha institucionet e tjera të pavarura, pakkush besonte se do të arrinte të gjente vend e të merrte kuptim në panoramën e strukturave ekzistuese të procesit të gjatë të të bërit Shqipërinë si gjithë Evropa.

Por pas dy vitesh, brenda “panairit tonë politik rraskapitës” , siç thotë Kadare, -ia dolëm t’ i japim këtij forumi, ngjyrën e debatit të hapur e jo monoton, larg patetizmit pa brumë e logjikë fëminore, ” vese” këto politikanësh që shkëlqejnë me kotësinë e tyre.

U binda këto vite edhe më shumë se pjesa më e madhe e politikanëve-koti, janë paturpësisht shpërfillës ndaj fuqisë reale transformuese që bart ky proces. E thënë ndryshe, nuk janë serioze në përkushtimin e tyre ndaj Evropianizimit të Shqipërisë. Nuk di kush do ta drejtojë në vitet në vijim nga Parlamenti, Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, por shpresoj shumë që ta forcojë e t’i japë dinamikë sfidave të procesit të negocimit për anëtarësim që Shqipëria duhet të përballë.

Pa droje, pa mëri, pa urrejtje dhe pa u dorëzuar sigurisht. Detyra ime në krye të këtij Këshilli, përfundon më 9 shtator. Dhe në vend të Mirupafshim, aty, në Parlament, do të organizojmë Raundin e Dytë të Shkollës Verore Evropiane, për të identifikuar të tjerë shqiptarë me “kokëfortësi të qëndrueshme” që e duan Shqipërinë si gjithë Evropa!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat