Deklarimi i ndryshimit të vendbanimit do të jetë falas deri në 28 Korrik

Shqipëria

Deklarimi i ndryshimit të vendbanimit do të jetë falas deri në 28 Korrik

Më: 12 korrik 2017 Në ora: 14:52
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile njofton se më 27 Korrik 2017 përfundon pezullimi i masës së gjobës për mosrespektimin e afatit 1-mujor për deklarim të vendbanimit.

Kjo masë u pezullua me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të miratuara në ligjin nr. 134/2016, datë 22.12.2016 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar, sipas dispozitës kalimtare të parashikuar në nenin 24.

Nisur nga data 28 Korrik 2017, pas periudhës 6-mujore të amnistisë për çdo mosdeklarim të ndryshimit të vendbanimit, DPGJC njofton se nga shërbimi i Gjendjes Civile, zyrat e Gjendjes Civile në bashki dhe në njësi administrative, do të aplikohet masa e gjobës prej 10. 000 (dhjetë mijë) lekësh.

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u kujton të gjithë shtetasve shqiptarë të cilët nuk kanë deklaruar ende vendbanimin, ose nuk kanë kryer veprime të ndryshimit të vendbanimit në zyrën e Gjendjes Civile nën juridiksionin e së cilës ndodhet godina e vendbanimit të tyre, të kryejnë sa më shpejt veprimet në përmbushje të këtij detyrimi ligjor.

Amnistia ose mosaplikimi i masës administrative (gjobë) përfundon në datë 27 korrik 2017.

Për t’i shërbyer sa më mirë personave të cilët nuk kanë mundësi të kryejnë këtë shërbim gjatë ditëve të javës, ky shërbim do të ofrohet dhe në ditët e pushimit në dy fundjavat në vijim përkatësisht më 15–16 dhe 22–23 korrik 2017, ditë në të cilat zyrat e Gjendjes Civile do të qëndrojnë të hapura.

Për procedurën e ndryshimit të vendbanimit (e cila realizohet në zyrën pritëse nën juridiksionin territorial të së cilës ndodhet ndërtesa, godina e vendbanimit), kërkesa për ndryshimin ose deklarimin e vendbanimit duhet të shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:

· fotokopje të letërnjoftimit për çdo person madhor, anëtar të familjes;

· dokumentin e pronësisë së banesës, ose kontratë qeramarrje / huadhënieje / përdorimi / banimi, apo çdo dokument tjetër të ligjshëm të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, që i jep shtetasit të drejtën e përdorimit të banesës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat