Koordinatori i PD jep alarmin: Në parti ka nisur strategjia për të goditur Sali Berishën

Shqipëria

Koordinatori i PD jep alarmin: Në parti ka nisur strategjia për të goditur Sali Berishën

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 20:47
Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Aktori Julian Deda, i cili mban edhe postin e Koordinatorit Kombëtar për Artin e Kulturën në PD dhe njëkohësisht është zgjedhur me votë në Këshillin Kombëtar të kësaj partie, ka folur për një skemë e cila po aplikohet sot në PD-në e cila mbështet Lulzim Bashën. Në postimin e tij, Deda flet për një strategji e cila synon goditjen e figurës së Sali Berishës, ndërsa thotë se urdhëri i brendshëm është “Të kritikohet pa kompromis çdo elemet politik i para viteve 2013 në PD, kohë në të cilën drejtonte Sali Berisha”.

I rreshtuar tashmë qartazi në krah të grupit të kritikëve ndaj linjës së Lulzim Bashës dhe mënyrës sesi ai i ka marrë peng procesin e zgjedhjeve për kryetar në PD, Deda ka edhe një mesazh të fortë kur lë të kuptohet se Basha dhe Rama kanë firmosur bashkë një aleancë okulte e cila nuk është as në të mirë të demokratëve dhe as në të mirë të Shqipërisë.

E pas kësaj, Deda shkruan: “Na duhet një lider, që nuk bën pakte të fshehta me kundërshtarin dhe linçon mendimin ndryshe brenda partisë. Na duhet dikush, që aleancën e bën me popullin opozitar jo me satrapin e pushtetit”.

Reagimi i plotë i Julian Dedës në “Facebook”

Urdhër i komandës së Republikës se Re.

Të denigrohet çdo anetar partie, që nuk mendon si shefi. Të kritikohet pa kompromis çdo elemet politik i para viteve 2013 në PD, kohë në të cilën drejtonte Sali Berisha. Pra, të vazhdojmë shembullin e vëllezërve rilindas, ku për çdo gjë thuhej se “fajin e ka Saliu”.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.Po si nuk ju vjen zor? Po si mund të shkelni mbi punën e tjetrit kështu? Fakti, që kryetari i ngrirë e ka kompleks Doktorin, nuk është faji i këtij të fundit.

Shikoni pak ku shkon hileja. Lexoni pak një nga pikat e manualit të deputetit, shikoni se çfarë u kërkohej kandidatëve për deputetë nga zyra e propagandës e Republikës së re, që ta artikulonin në takime me njerëzit:

“Flisni për arritjet e Bashës, rruga Durrës-Kukës, liberalizimi i vizave, Tuneli i Elbasanit, NATO”. Qesharake. Të gjithë e dijnë se këto u bënë me iniciativë personale të Berishës dhe për të qenë korrekt deri në fund, meritat i takojnë atij, që merr dhe përgjegjësitë për deshtimin jo dikujt, që sukseset e të tjerëve ja krediton vetes dhe dështimet e veta ja faturon të tjerëve.

Nëse duam bashkimin dhe ringritjen duhet të flasim me zë të lartë për shkaqet e vërteta të humbjes. Na duhet një lider, që di të mbajë fjalën e dhënë dhe të imponon respekt si në fitore ashtu dhe në humbje. Na duhet një lider, që nuk bën pakte të fshehta me kundërshtarin dhe linçon mendimin ndryshe brenda partisë. Na duhet dikush, që aleancën e bën me popullin opozitar jo me satrapin e pushtetit. Na duhet dikush, që del në fushën e betejës i pastër, pa komplekse, pa frikë, se nuk është as i shitur as i blerë, sepse paktin e ka me popullin jo me pushtetin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat