Basha: Nuk bëjmë koalicion me Ramën

Shqipëria

Basha: Nuk bëjmë koalicion me Ramën

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 15:38
Lulzim Basha

Në takimin me demokratët gjatë turit për kreun e PD, Lulzim Basha u ndal për herë të parë tek zërat mbi një koalicion të mundshëm me Partinë Socialiste.

“Marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Ramën kryeministër prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua. Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, ai është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”, deklaroi Basha.

Në Kukës, Has e Tropojë, Basha ritheksoi zotimin për të pasur parasysh çdo demokrat gjatë drejtimit të tij.

“Ju siguroj që do të vazhdoj t’ju shërbej me sakrificë totale çdo sekondë të drejtimit tim, duke luftuar me ju dhe për ju, për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar, me të gjithë demokratët e bashkuar në një betejë e cila nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë përfundim tjetër, përveç fitores së të drejtës, zgjedhje të lira e të ndershme e përmes tyre, fitores së projektit tonë”, tha Basha.

Ndërsa rivali i tij në zgjedhjet për kryetar partie, Eduard Selami u ndal tek zgjerimi i PD dhe rikthimi i marrëdhënieve të mira me ndërkombëtarët.

“Ejani të hapim një dialog vlerash me gjithë shtresat dhe qytetarët, ta kthejmë PD në një parti popullore jo thjesht të qendrës së djathtë, por dhe më gjerë. Të rikthejmë besimin me partnerët tanë ndërkombëtarë që sot nuk e kemi. Me përjashtim të vitit ‘97, lidershipi i PD sot është më i izoluar se kurrë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Na dolën kundër në mënyrën më flagrante për shkak të gabimeve tona”, tha Selami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat