Ish-kampionia në ‘listën e zezë’ të Ramës për abuzime: Kam ende perdet e kohës së Enverit

Shqipëria

Ish-kampionia në ‘listën e zezë’ të Ramës për abuzime: Kam ende perdet e kohës së Enverit

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 00:51
Mimoza Ibrahimi

Ish-volejbollistja kampione e “Dinamos”, Mimoza Ibrahimi, aktualisht pedagoge e edukimit fizik në Akademinë e Rendit, shprehet e indinjuar që emri i saj figuron në listën e publikuar nga Kryeministri Rama si nëpunës me veprime joetike në administratë.

Në një intervistë për “Panorama”, Ibrahimi kërkon që të saktësohet se cili është personi i vërtetë në listë dhe nëse është ajo, kërkon hetim administrativ dhe jo publikime portalesh.

Emri juaj figuron në 100 emrat që Kryeministri Rama ka publikuar në “Facebook”-un e tij si persona që nuk kanë dhënë shërbimet e duhura për qytetarët. Si jeni ndjerë kur keni parë emrin tuaj?

Si unë dhe të gjithë njerëzit e mi, por dhe shoqëria ime u ndjemë shumë të indinjuar. Unë e njoh shumë mirë veten time, të gjithë më njohin, dhe kur e lexuan emrin tim në këtë listë, vetëm kanë qeshur. Shpresoj të mos jem unë ajo që është denoncuar, por më vjen keq edhe për atë tjetrën, për këtë lloj mënyre. Ishte shokuese dhe indinjuese. Fillimisht e mora pak si me sportivitet, por kur filluan telefonatat nga të katër anët e botës, pasi të njohurit e mi kishin lexuar në “Facebook”, por dhe në media, atëherë u shqetësova dhe e pashë situatën shumë të rëndë.

Si reaguan kolegët tuaj dhe eprorët aty ku ju punoni?

Image
Mimoza Ibrahimi, kampione me ekipin e volejbollit “Dinamo”

Ata e morën me të qeshur, duke më thënë se është një gjë koti, është totalisht qesharake dhe më thoshin që të mos mërzitem. Por unë vetë brenda meje ndihem shumë keq.

Nëse nuk është bërë gabim, dhe jeni ju personi i denoncuar nga ndonjë qytetar, si do të donit të veprohej?

Nëse do të kishte një akuzë reale, me emër, emër babai dhe mbiemër, do të doja shumë të hetohej deri në fund për të dalë e drejta, por jo përmes fletërrufeve. Do të isha e gatshme të ballafaqohesha me këdo që do të ngrinte një akuzë ndaj meje.

Nuk keni ndonjë ide se kush mund të ketë ndonjë rezervë ndaj jush, nëse jeni ju personi i listës?

Vetëm qeni, nëse më ka denoncuar, pse i kam bërtitur dhe i kam kërkuar që të rrijë urtë, askush tjetër. Nuk kam asnjë gjë në dorë, nuk kam asnjë post që të kem interesa. Kam pasur poste, dhe sot unë jam ai njeri që mezi më del që të ushqehem.

Mos ka akuza nga studentët tuaj për ndonjë provim, për ndonjë notë?

Jo, nuk e besoj. Në Akademinë e Policisë unë jap edukimin fizik, u flas dhe jam kërkuese për përgatitjen fizike të policeve të reja, të punojnë për fizikun që u duhet. Nëse kanë shkruar për këtë gjë, le të më ballafaqojnë. Nëse duan që unë t’i lë të luajnë me celularë në orën e mësimit dhe u kam prishur lojën, kjo është çështje tjetër.

Cili ka qenë reagimi i drejtuesve, eprorëve tuaj, sepse në Prokurori, zoti Llalla i shkarkoi dy prokurorë të listës?

Unë nuk krahasohem me prokurorët. Unë kam në shtëpi akoma perdet e kohës së Enverit. Unë vajta dhe te drejtori dhe i kërkova që të dalë dikush në emër të institucionit tonë që të thotë të vërtetën dhe të mos ua lëmë këtë punë portaleve. I thashë ose merrni masë ndaj meje, ose mbani qëndrim ndaj kësaj njollosjeje. Dikush më tha se në regjistrin e Gjendjes Civile janë shumë Mimoza Ibrahimi dhe se nuk jam unë. Por njerëzit mua më kanë marrë në telefon, nuk e di se kush tjetër është me këtë emër.

Ju jeni pedagoge në Akademinë e Policisë prej sa kohësh?

Po, që prej 1995.

Mendoni se mund të jetë ndonjë pakënaqësi me ndonjë koleg aty?

Duhet të vini t’i pyesni, por kam prej shumë vitesh një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje asnjëherë se mund të kem ndonjë njeri kundër në punën time.

Kjo lloj forme e denoncimit e nëpunësve të shtetit, duke përfshirë dhe rastin tuaj, si ju duket?

Aty në fakt më thanë se kanë dalë edhe njerëz që kanë katër vjet që nuk janë fare në punë. Nëse analiza e punës së secilit do të bëhet përmes portaleve, le të hiqen rregulloret që kanë institucionet, se unë dhe gjithë të tjerët në punën time respektojmë këtë rregullore të brendshme.

Keni pasur ndonjë telefonatë me kryeministrin apo SMS për të sqaruar rastin tuaj, meqenëse të dy keni luajtur në klubin “Dinamo”?

Jo, kontakte nuk kemi, jam takuar me të kur ka pasur ndonjë takim në Kryeministri me sportistë të dalluar ndër vite. Nuk kemi kontakte personale. Por kjo histori është qesharake dhe mua më ka prishur terezinë. Sepse nëse është dikush tjetër, duhen përcaktuar qartë emri i babait, institucioni ku punon, që të mos ngatërrohen njerëzit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat