Hapet ambasada e re në Tiranë, Japonia dhuron 129 makina të prodhimit të fundit

Shqipëria

Hapet ambasada e re në Tiranë, Japonia dhuron 129 makina të prodhimit të fundit

Më: 17 korrik 2017 Në ora: 19:28
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë Nobuo Kishi.

Ky takim vjen në një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, të cilat kurorëzohen me hapjen e Ambasadës së Japonisë në Shqipëri.

Ministri Bushati nënvizoi se qeveria shqiptare vlerëson hapjen e Ambasadës Japoneze në Tiranë si një ngjarje tepër të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, e cila do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimeve ekonomike, kulturore, por edhe të kontakteve mes dy popujve. Ai falënderoi Ministrin Kishi në mënyrë të veçantë për asistencën që qeveria japoneze ka dhënë gjatë dy dekadave të fundit, nëpërmjet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe shprehu interesin e palës shqiptare për të intensifikuar më tej bashkëpunimin me JICA-n dhe institucione të tjera japoneze, duke nënvizuar se biznesi japonez do të gjejë një legjislacion bashkëkohor dhe klimë të favorshme për investime në Shqipëri.

Ministri i Shtetit Kishi, duke nënvizuar interesin e Japonisë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, vlerësoi rolin e Shqipërisë në këtë drejtim si një faktor stabiliteti. Ai vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për të promovuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës, si edhe përshëndeti zhvillimin paqësor dhe demokratik të zgjedhjeve të fundit parlamentare., duke theksuar se Japonia do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të reformave dhe integrimit europian.

Duke iu referuar hapjes së Ambasadës në Shqipëri, Ministri Kishi shprehu sigurinë se kjo do të ndikojë në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe njohjen më të mirë midis dy kulturave dhe dy popujve.

Më tej, ministrat vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si për përvojën e mirë të mbështetjes reciproke të kandidaturave ashtu edhe në formulimin e qëndrimeve për çështje të nxehta globale dhe shprehën gatishmërinë për rritjen e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Në këtë kontekst, ministrat Bushati dhe Kishi shkëmbyen mendime mbi çështje që kanë të bëjnë me rajonet respektive.

Në vijim, ministrat morën pjesë në ceremoninë e dhurimit nga Qeveria Japoneze të 129 automjeteve japoneze të prodhimit të fundit, një donacion i mundësuar nëpërmjet një granti prej 500 milionë YEN ose 4.6 milionë dollarë dhe atë të hapjes së Ambasadës së Japonisë në Shqipëri në prani edhe të MZHTTS Milva Ekonomi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat