Demiraj: Shumica e zjarreve të qëllimshme, para ligjit përgjegjësit

Shqipëria

Demiraj: Shumica e zjarreve të qëllimshme, para ligjit përgjegjësit

Më: 18 korrik 2017 Në ora: 17:37
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj

Në fshatin Rragam të njësisë administrative Gur i Zi, aty ku ndodhet një prej vatrave aktive të zjarrit që prej 24 orësh po rrezikon edhe disa shtëpi banimi, Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj shprehu vendosmërinë për të ndjekur deri në fund zjarrvëniet e qëllimshme, e për t’i vënë përpara ligjit përgjegjësit.

Dritan Demiraj: Jemi të vendosur që Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë të ndjekim me precedencë këto zjarrëvënie shumica e të cilave janë të qëllimshme, me qëllim çuarjen para ligjit të gjithë personave.

Situatën në vend e cilësoi të rëndë dhe tha se për përballimin e kësaj emergjence të shkaktuar nga zjarret, shteti shqiptar i ka kërkuar ndihmë partnereve europianë dhe NATO-s.

Dritan Demiraj: Jemi në lidhje me të gjitha strukturat e NATO-s, kemi bërë kërkesat tona, po presim që këto kërkesa të realizohen. Jemi në bashkëpunim dhe me Malin e Zi, gjithashtu me Greqinë, në mënyrë që të vendosim nën kontroll të gjitha këto zjarre.

Krah tij në këtë inspektim, drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha se 90% e rasteve kanë rezultuar zjarrvënie, prandaj të gjitha organizmat duhet të veprojnë për ti zbardhur.

Gjithashtu ai kërkoi që të zgjohet vullnetarizmi në popull, për të ndihmuar në kapërcimin e emergjencës.

Shemsi Prençi: Duhet që të gjithë së bashku të zgjojmë vullnetarizimin, edhe në këtë lagje ku jemi po të ishin bashkuar 10 vullnetarë, 10 banorë të zonës me mjete rrethanore qoftë edhe me çanta shpine uji mund ta bëjnë përpunimin e një perimetri zjarri që të mos rrezikohen banesat.

Për zonat e djegura, Prençi theksoi detyrimin që u lind Bashkive të veprojnë, duke hartuar projekte që tani për ti zbatuar me buxhetin e 2018-es. 1 helikopter nga Greqia dhe 1 nga NATO pritet të mbërrijnë ditët e ardhshme në Shqipëri, ndërsa Shkodra listohet si një prej qarqeve më të riskuara, ku aktualisht numëron 4 vatra aktive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat