Prokurori në “listën e zezë” të Ramës, Llalla e emëron në vendlindje

Shqipëria

Prokurori në “listën e zezë” të Ramës, Llalla e emëron në vendlindje

Më: 19 korrik 2017 Në ora: 20:42
Prokuroria

Emri i tij u publikua në listën e “zezë” të Kryeministrit Edi Rama pas denoncimit të qytetarëve të Bulqizës. Por Kryeprokurori Adriatik Llalla e shkarkon si kryeprokuror të Kurbinit dhe e emëron në krye të organit të akuzës në rrethin e Matit. Kështu ndodhi me prokurorin Hysni Vata i cili është prezantuar sot përpara prokurorëve dhe oficerëve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat.

Rreth orës 08.30 ka hyrë në zyrën e ish kryeprokurorit Abaz Muça dhe i ka dorëzuar një zarf. Besohet se brenda saj ishte vendimi i Adriatik Llallës për shkarkimin e tij nga posti që mbante dhe emërimin në këtë detyrë të prokurorit Hysni Vata. Mësohet se Muça ka dorëzuar zyrën dhe materialet që ishin në inventarin e tij dhe është larguar në drejtim të spitalit “Xhavit Mara” Burrel pasi nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore. Mjekët bënë me dije se ai është trajtuar tri herë gjatë ditës me serume. Ata nuk bënë te ditura shkaqet e paraqitjes së Muçës në urgjencën e spitalit. Besohet se ai nuk e ka pritur shkarkimin nga Llalla pasi thoshte vazhdimisht se kishte marrëdhënie korrekte me eprorin dhe se kishte punuar me ndershmëri dhe korrektësi gjatë gjithë kohës.

Kush është Hysni Vata?

Burime pranë organit të akuzës dhe gjyqtarë të Matit shprehen se formimi profesional i Vatës nis me shkollën e mesme të muzikës, si trompist. Pas kësaj ka mbaruar me korrespondencë fakultetin e Ciklit të Ulët në Shkodër. Dhe në mënyrë të “përshpejtuar” Vata ka mbaruar kursin e plepave në vitin 1996 dhe është emëruar kryeprokuror në Mat. Rast pas rasti është transferuar nga një rreth në tjetrin për shkak të konflikteve që ka krijuar me kolegët, vartësit dhe gjyqtarë e avokatë. Në të shumtën e rasteve kanë dominuar lidhjet e forta politike me eksponentë të njohur të Partisë Demokratike.

Hysni Vata mbahet mend mirë nga socialistët e Burrelit për ekspremizmin e tij politik, për urdhër-ndalimet e shoqërimet e opozitarëve të saj kohe. Janë të shumta ndëshkimet e tij ndaj njerëzve të ndershëm në qytetin verilindor. Kreu i qeverisë e publikoi emrin e Hysni Vatës në “listën Vip” të personave të akuzuar për abuzime me detyrën shtetërore. Vetëm pak orë pas publikimit të listës Kryeprokurori Adriatik Llalla njofton shkarkimin e Vatës. Sakaq pas pak ditësh e trasferon nga Laçi për në vendlindje, Burrel. Rikthimi i Hysni Vatës pas 20 vitesh në “vendin e krimit”, në qytetin ku ka lënë gjurmë negative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat