Mashtrimi 1.5 milionë USD, pranga ish-kreut të ‘Kurum’. Akuzat që e fundosën

Shqipëria

Mashtrimi 1.5 milionë USD, pranga ish-kreut të ‘Kurum’. Akuzat që e fundosën

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 08:24
Kurum pranga

Dy ish-drejtues të lartë të kompanisë “Kurum International” akuzohen nga prokuroria e Elbasanit për një skemë mashtruese me vlerë 1.5 milionë dollarësh.

Me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy ish-drejtues të lartë të kompanisë “Kurum International”, të dyshuar se kanë krijuar një skemë mashtruese me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me një dëm ekonomik ndaj shtetit në një vlerë rreth 1.5 milionë dollarësh.

Gjykata, bazuar në kërkesën e prokurorisë, ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare të kompanisë “Kurum”. Sipas burimeve zyrtare, ish-administratori i kompanisë “Kurum”, Koray Zeytinoglu dhe ish-Drejtori i Skrapit, Yucel Aksu dyshohet se nëpërmjet faturave fiktive, kanë deklaruar se kanë kryer aktivitet shitblerje në vitin 2011 me disa kompani të tjera, të regjistruara në qytetin e Laçit.

Në bazë të dyshimeve të arsyeshme, mbështetur në prova, Prokuroria kërkoi nga Gjykata caktimin e masës “Arrest me burg” për këta dy shtetas, e cila u pranua nga ana e gjykatës. Prokuroria tha se mbrëmjen e djeshme është bërë i mundur ekzekutimi i masës nga ana e Policisë për ish-administratorin e Kurum, Koray Zeytinoglu, ndërkohë që është shpallur në kërkim ish-Drejtori i Skrapit, Yucel Aksu, i cili rezulton të jetë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë.

HETIMI

Hetimi nisi nga Prokuroria e Kurbinit, e cila kishte regjistruar procedimin penal për “Falsifikim të vulave e stampave”, “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve penale” për 4 kompani që kishin të deklaruar si vend ushtrimi aktiviteti për mbledhjen e përpunimin e skrapit në qytetin e Laçit. Këto kompani ishin “Kurbini sh.p.k”, “Erad&XHT”; “R&B2011” dhe “Kavaja Co”.

Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Kurbinit, u krijuan dyshime të arsyeshme se këto kompani shërbenin si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm të ish-drejtuesve të kompanisë “Kurum International”, e cila ushtronte aktivitetin në qytetin e Elbasanit. Për këtë arsye, hetimi kaloi për kompetencë pranë Prokurorisë së Elbasanit.

Kjo e fundit, deri në këtë fazë të hetimit, ka konstatuar se gjatë vitit 2011, shoqëria tregtare “Kurum International” SH.A, aktualisht me zyrë qendrore në Tiranë, ka kryer aktivitet fiktiv të blerjes së lëndës së skrapit, nga 4 (katër) shoqëritë tregtare të cilat figurojnë si palë shitëse.

Të gjitha faturat tatimore të shitjes së lëndës së skrapit për vitin 2011, të përpiluara me palë shitëse këto 4 (katër) shoqëri dhe blerës, shoqërinë “Kurum” SH.A, (e cila e ka pasur qendrën e aktivitetit në Elbasan), janë të falsifikuara. Këto shoqëri asnjëherë nuk kanë kryer realisht aktivitet shitblerje skrapi ndërmjet tyre. Të gjtha këto fatura tatimore janë përpiluar nga shoqëria “Kurum International” SH.A, në mënyrë fiktive, me qëllim për t’u deklaruar dhe njohur nga organet tatimore si TVSH e zbritshme, TVSH për këto furnizime (blerje) skrapi.

Sipas prokurorisë, kompania “Kurum” ka qenë dhe është aktualisht e regjistruar si subjekt tatimpagues pranë Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë. ‘Nëpërmjet këtij aktiviteti kriminal, pra duke deklaruar në organin tatimor fatura tatimore të blerjes së lëndës skrap të falsifikuara, fiktive, shoqëria “Kurum” SH.A, ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme TVSH-në përkatëse për këto blerje.

Njëkohësisht, kjo shoqëri ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, duke ulur fitimin dhe për rrjedhojë edhe tatim fitimin që ka paguar pranë organit tatimor’, bëri me dije prokuroria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat