S’ka prova për Klement Balilin, Prokuroria shqiptare akuzë grekëve

Shqipëria

S’ka prova për Klement Balilin, Prokuroria shqiptare akuzë grekëve

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 08:53
Klement Balili

Pas ping-pongut mes institucioneve shqiptare për dosjen e Klement Balilit, i lakuari ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, duket se është bërë shkak që në të njëjtën lojë të hyjnë edhe drejtësia shqiptare me drejtësinë greke.

Burime pranë organit qendror të akuzës thonë për Top Channel se hetimet ndaj 45-vjeçarit janë në vendnumëro që prej të paktën katër muajsh.

Ky ngërç i hetimeve, siç shpjegojnë burimet, vjen për shkak se autoritetet greke nuk u janë përgjigjur ende prokurorëve të Krimeve të Rënda mbi kërkesën për t’i bashkangjitur dosjes provat shtesë.

Sipas burimeve, letërporosia është përcjellë në kohë rekord nga Krimet e Rënda, ku kërkohen akte të tjera të dosjes, sikurse janë procesverbalet e këqyrjes së ngarkesës së hashashit të bllokuar nga policia greke në fund të prillit 2006. Po ashtu, autoritetet greke duhet të përcjellin edhe deklaratat e të dyshuarve si skafistë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj. Siç rezulton nga përgjimet, të dy ata udhëzoheshin në telefon nga Balili për të transportuar një ngarkesë hashashi nga Saranda drejt Greqisë.

Prokuroria pretendon se në dosjen voluminoze, pala greke të shpjegohet sesi u zhvillua operacioni antidrogë 2016, që u finalizua me 21 të arrestuar në total, 16 në Greqi dhe pjesa tjetër në Belgjikë, Bullgari dhe Itali.

Por në dosje janë të administruara gjithashtu edhe përgjimet ku pretendohet se Balili  flet me anëtarët e rrjetit për transportin e drogës, gjatë kohës që ai ishte zyrtar i Drejtorisë së Transporteve.

Shpallja në kërkim e 45-vjeçarit që nga maji 2016 dhe deri në fund të vitit futi në një debat institucionet shqiptare mbi shpalljen në kërkim të tij dhe mosarrestimin.

Tashmë që ndaj Balilit ekziston me vendim gjykate një masë arresti në mungesë dhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh, pikëpyetjet për arrestimin e tij konsiderohen të mbyllura. Me dilema tashmë shikohen përpjekjet e prokurorisë, e cila thotë se nuk mund ta dërgojë dosjen në gjykatë vetëm me përgjime telefonike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat