Vetëm më 2017 u kapën mbi 57 ton lëndë narkotike

Shqipëria

Vetëm më 2017 u kapën mbi 57 ton lëndë narkotike

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 10:40
Ilustrim

Haki Çako, drejtor i Policisë së Shtetit, gjatë raportimit të tij para kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, lidhur me punën e bërë në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ka deklaruar se janë të angazhuar që ta përmbushin planin kombëtar të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017 – 2020.

“Policia e Shtetit krahas detyrave të tjera është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj në realizimin e prioriteteve dhe objektivave kryesore të planit kombëtar të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017 – 2020”, ka thënë Çako.

Ai ka treguar se do vazhdoj kontrolli periodik i territorit në funksion të identifikimit të sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike nëpërmjet përqendrimit të forcave dhe mjeteve policore në kontrollin e plotë të territorit në veçanti në fazën e kultivimit paraprak të fidanëve të bimëve narkotike në mjedise të mbyllura dhe në sipërfaqe të vogla në zonat malore.

Drejtori Çako ka bërë të ditur e është bërë ndarja e zonave të përgjegjësisë dhe krijimi i grupeve të monitorimit në nivel Qendror për 12 D.V.P-të, ku përgjegjës të këtyre grupeve kanë qenë Drejtorët Qendrorë dhe anëtarë të grupeve, shefa sektorësh dhe specialistë nga të gjitha strukturat vartëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtoritë Vendore të Policisë. Çdo punonjës policie mban përgjegjësi për një territor të caktuar.

“Gjate këtij viti janë kryer gjithsej 101 696 kontrolle e rikontrolle ku janë përfshirë 40 023 punonjës policie, 9 637automjete policie, 135 540 orë shërbimi. Është ndërtuar harta digjitale e sipërfaqeve të tokave dhe të pyjeve, kullotave, ku janë kultivuar bimë narkotike gjatë vitit 2016 ose potencialisht mund të kultivohen bimë narkotike gjatë vitit 2017”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Policisë Haki Çako.

Sipas tij,  gjate këtij viti janë evidentuar 147 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, janë identifikuar dhe asgjësuar 41 462 bimë narkotike, nga të cilat 28 947 të kultivuara që përbëjnë edhe objektin e punës së Policisë dhe pjesa tjetër e rimbirë ose e mbetur nga viti i kaluar.

Drejtori Çako, duke vlerësuar situatën e kultivimit të bimëve narkotike gjatë kësaj periudhe ka theksuar se qarqet me risk më të lartë për sa i përket numrit të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike janë evidentuar siç është Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Fieri, ku është përqendruar më shumë puna gjatë kontrollit dhe evidentimit.

“Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 57 ton e 809 kg, ose 24 herë më shumë se një vit më parë. Vetëm në dy operacionet e fundit në Vlorë dhe Kavajë janë sekuestruar rreth 17 ton marijuanë. Janë referuar 99 hetime proaktive, të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë dhe pranë Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve“, “Grup i strukturuar Kriminal”. Janë implikuar 1201 autorë, prej të cilëve 719 janë arrestuar, 396 proceduar në gjendje të lirë dhe 52 shpallur në kërkim”, ka deklaruar i pari i Policisë shqiptare Haki Çako./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat