Gjinushi: Qeverisja PS-PD më e dëmshmja për vendin

Shqipëria

Gjinushi: Qeverisja PS-PD më e dëmshmja për vendin

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 08:51
Skender Gjinushi

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi shprehet se bashkëqeverisja PS-PD do të ishte më e dëmshmja për Shqipërinë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, kreu i PSD-së komenton rezultatin e zgjedhjeve dhe qeverisjen e ardhshme. Sa i përket zgjedhjeve, Gjinushi shpreh një kritikë edhe për ndërkombëtarët, duke thënë se mbështesin çdo deformim të sistemit që mund të bëjnë partitë e mëdha, pa parë pasojat. Ndërkaq, ai pohon se do të bashkëpunojë me PS-në në rast se do të kishte një ftesë nga Rama. Partia e Skënder Gjinushi përfaqësohet në Parlament nga deputeti Tom Doshi.

Zoti Gjinushi para 25 qershorit keni deklaruar se do të merrnit 3 deputetë, gjë që nuk ndodhi dhe nga ana juaj nuk ka pasur as komente, as kontestime. Çfarë ndodhi?

Dihet tashmë që ndryshoi sistemi zgjedhor në mënyrë arbitrare në kulimin e fushatës, gjë që është e papranueshme që të bëhet, aq më tepër që u bë pa bazë ligjore. Ky sistem është një sistem proporcional rajonal, me prag shumë të lartë të fshehtë. 3 përqindëshi është i deklaruari, i padeklaruari është nga 3 deri në 25 për qind. Si rregull partitë futen në grupime, futen në koalicione, sepse çdo parti që është nën 6-7 për qind është e para e eliminuar po të futet e vetme në zgjedhje. Dikush mund të thotë se, pse partia nuk i kalon 6-7%. Sigurisht që mund ti kalonte por kjo duhet thënë 7 muaj përpara dhe jo në çastin e fundit, dhe aq më pak nuk ndërrohen me marrëveshje partish për të dëmtuar partitë e tjera.

Kjo u pranua në Shqipëri dhe sepse është bërë traditë tashmë  që kur bien dakord PS-PD të gjithë pajtohen, sado të paligjshme mund të jenë vendimet. Ndërkombëtarët kanë fituar huqin që përshëndesin çdo lloj marrëveshje pa parë pasojat. Edhe nëse politikisht marrëveshjet gjithmonë mbështeten, juridikisht duhet parë që kur ajo shkel Kushtetutën, shkel parimet bazë të demokracisë atëherë kjo pjesë duhet kritikuar, madje duhet ndaluar. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri kështu që është krejt normale që edhe ne të kalonim në plan tjetër. Ne nuk më të pretendonim më shumë dhe u përqendruam në 2-3 qarqe por përsëri ndryshoi edhe qëndrimi i PS-së. Partia Socialiste iu rikthye si gjithmonë taktikës së vjetër që do 71 për vete dhe këtë e kërkon edhe në dëm të aleatëve.

Çfarë dëmi ju solli juve kërkesa e PS-së për të formuar e vetme 71 mandatet?

Së pari përkrahu këtë sistem të deformuar, ishte ajo që imponoi. Së dyti bëri propagandën e madhe kundër partive të vogla pa dallim “feje,krahine dhe ideje” dhe në mënyrë krejtësisht cinike futi në një thes PSD-në me LSI-në apo PDIU-në kur ne kemi qenë 4 vjet në opozitë dhe kur PS-ja ndante tepsinë me LSI-në dhe përsëri kemi mbajtur qëndrim korrekt. Ne kemi qenë ata që kemi thënë 4 vite më parë që LSI-në nuk duhet marrë në koalicion pikërisht se është e tepsisë, sepse prishi kalin e betejës së 2013-së që ishte Antikorrupsioni dhe me LSI-në nuk mund të dalësh flamurtar i anti-korrupsionit.

Ne nuk e gjetëm gjuhën e bashkëpunimit në këto zgjedhje dhe përsëri u ndodhëm në atë që është e mirënjohur tashmë që në 2001, që ne luftojmë për fitore të së majtës ndërsa PS-ja uron një rezultat sa më të dobët për PSD-në dhe punon që ky të jetë i tillë deri në ekstrem. PS në fushatë është gjithmonë anti-PSD, sheh vetëm interesin e vet, gjë që është normale por nuk mund të përdorë mjetet, kapacitet e saj se si të heq vota nga aleatët dhe si të mos lejojë të votohet për aleatët.

Pati jo vetëm dëshmi por edhe akuza se në këto zgjedhje është përhapur edhe më shumë fenomeni i shit-blerjes së votës. E keni konstatuar edhe ju këtë shqetësim?

Shitblerja e votës unë nuk e them dot a është rritur apo është ulur por një është e qartë se nuk ka shënuar përmbysjen e rezultatit. Nuk është se PD-ja fitonte por në çdo rast, çdo deformim është negativ, është shkalla më e lartë e deformimit të votës dhe aspekti më i shëmtuar do të thoja. Nëse më parë kjo ndodhte me votat e hedhura në kuti tani ndodh pa vajtur vota në kuti dhe sigurisht që këtë e bëjnë ata që zotërojnë shumë para dhe që kanë mbrojtje.

PSD-ja ka marrë një mandat, ish-deputetin e PS-së, Tom Doshin. Edhe në kushtet që ju përmendët më sipër, do të keni një bashkëpunim me PS-në nëse ju fton?

PSD i qëndron së majtës, dhe në këto katër vjet kemi qëndruar jashtë Parlamentit ne sërish kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë sepse i qëndrojmë asaj që kemi thënë në fushatë, alternativa e majtë është më e mirë se alternativa e djathtë. Në këtë aspekt PSD-ja ka qenë gjithmonë e hapur të bashkëpunojë me të majtën.

Nga sa thatë edhe ju, marrëdhëniet e lidershipi të PS-së me ju nuk janë të sinqerta. Pse i qëndroni atëherë?

Sepse ne jemi të majtë, PSD është e majtë dhe qenia e majtë nuk ka të bëjë me kryetarin e PS-së apo me kryetarin e PD-së, nuk është as lidershipi i PS-së, as i PD-së vijë demarkacioni nëse je i majtë apo i djathtë. I majtë dhe i djathtë përcaktohet në bazë të ideologjisë, programeve dhe ne votën ia kemi kërkuar gjithmonë të majtëve. Të majtët në turbullirën, në dominimin mediatik dhe propagandën shumë të fortë që është bërë që nga viti 2005, që nuk na duhet të tjerët ose duhen për bukuri vetëm dhe tani u arrit deri atje që thuhet se çdo parti e vogël është edhe e dëmshme, gjë që është e papranueshme dhe e pandershme sepse partitë nuk ndahen nga madhësia por nga cilësitë dhe vlerat, aq më shumë pas 25 vjetësh.

Partia Socialiste mori timonin e vetme, siç e kërkoi kryesocialisti Rama. Mendoni se kjo do të jetë qeverisje më e suksesshme krahasuar me të kaluarën? Si e parashikoni ju qeverisjen e PS-së?

Në të gjithë botën problemi nuk është nëse shumicën e ka një parti, dy apo tre parti. Problemi është se sa ky koalicion i krijuar është ngritur mbi platformë, mbi program, është ngritur për mirëqeverisjen e vendit apo thjeshtë është një pazar, një zgjedhje pragmatiste dhe akoma më keq një kompromis i momentit për të përfituar të dyja palët. Suksesi apo mos suksesi varet nga serioziteti i atyre që drejtojnë partitë përbërëse të një koalicioni. Në kushtet e një demokracie të brishtë mungesa e një shumice absolute është pozitive, nuk është negative, sepse ka edhe një kontroll të brendshëm sepse demokracinë në fund të fundit kontrolli e ruan.

Por maxhoranca do të ketë një opozitë të fortë…

Opozita si detatashment i fortë do të jetë, aq më pak një opozite që nuk i pushon goja, që nuk di rregulla loje. PS i bie të përballet me disa parti në Parlament. Por sfida është kjo, reforma në drejtësi për të cilën nuk po flitet më shumë dhe një nga çuditë e marrëveshjes së 18 majit është që flitet për reformën kushtetuese dhe zgjedhore dhe nuk flitet për reformën në drejtësi, që u bllokua në mënyrë permanente nga PD dhe LSI dhe u gjet alibia që nuk shkohet në zgjedhje me këtë qeveri. Rama mori 71 vota por reformat duan 84 dhe ato kushtetuese duan 93 vota. Tek ne reformat apo ligjet që lidhen më institucionet janë votuar me konsensus, edhe në vitet e vështira ’98, ’99. Më e penguara deri më tani është reforma në drejtësi sepse asnjë nga ligjet e mëparshme nuk ka zgjatur 4 vjet.

Ende po qarkullojë ide dhe mendime se mund të ketë një bashkëqeverisje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ju çfarë opinioni keni, e shihni të mundshme këtë?

Përpjekje për ta bërë ka pasur dhe ka por është bashkëqeverisja më e dëmshme që mund ti bëhej Shqipërisë. Kjo do të thotë ti vësh kapak reformës në drejtësi, të kthehet në një relikte dhe korrupsionin ta kthejnë tek të tretët e të katërtët. Kur flitet veçanërisht për korrupsionin në nivele të larta është mbyllur e gjitha. Ka një frazë, përgjegjësinë e qeverisjes e ka marrë PS-ja, votën për qeverisje e ka marrë PS-ja por jo thjeshtë PS-ja, është një program i së majtës dhe ky program ndryshon diametralisht nga ai i PD-së, nëse e specifikojmë tek ekonomia. Pra, bashkëqeverisje nuk mund të ketë se janë të papajtueshëm në program, pa hyrë pastaj në efikasitetin qeverisës.

Ndërsa për reforma të rëndësishme që duan 84 vota duhet bashkëpunim dhe për këtë lloj bashkëpunimi është folur. Edhe përfaqësuesi i departamentit që foli këto ditë, fliste pikërisht për këtë, fliste për pozitë, opozitë. Pastaj a përfshinë në qeveri edhe përfaqësues të opozitës, se ka edhe kështu figura të opozitës që njohin si të tillë, e mund ti marrë qeveria e majtë, por sërish kjo nuk quhet bashkëqeverisje. Kjo është zgjidhje tjetër se ndodh me figurat të caktuara për një arsye të caktuar. Vazhdimi i reformave nuk do bashkëqeverisje, reformat sidomos reformat e mëdha që kanë të bëjnë me integrimin, në Shqipëri në çdo periudhë është bashkëpunuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat