Vrasja e Gaz Çollakut, njollat e gjakut nuk janë të Denis Shtrazës

Shqipëria

Vrasja e Gaz Çollakut, njollat e gjakut nuk janë të Denis Shtrazës

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 09:55
Denis Shtraza

Ekspertiza e Policisë Shkencore i jep shpresë Denis Shtrazës për të shpëtuar nga akuzat e rrëmbimit dhe më pas vrasjen e Gazmend Çollakut. Gjaku i gjetur në makinën e të akuzuarve, sipas përgjigjes së ekspertizës nuk i përket të pandehurit Denis Shtraza, po ashtu edhe Dalipajt. Përgjigja e ekspertizës është lexuar seancën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Por, nga ana tjetër prokurori i çështjes është shprehur se gjurmët e gjakut të gjetura në mjetin e Shtrazës janë të njëjta me ato të gjetura në fashetat e duarve që ishte lidhur trupi i pajetë i Gazmend Çollaku i cili u gjet në zonën e Fushë Krujës, dhe kjo sipas prokurorit vërtetohet me një sërë ekspertizash shkencore.

Por ky qëndrim i prokurorit të Krimeve të Rënda është kundërshtuar nga Shtraza dhe avokatët mbrojtës të tij, të cilët u shprehën se gjurmët e gjakut nuk i përkasin Shtrazës. Nga ana tjetër, ata hodhën akuza se gjurmët e gjakut në makinën e Denis Shtrazës, mund të jenë hedhur qëllimisht pas kontrollit të bërë në automjet. “Ato gjurmë janë hedhur qëllimisht në makinë. Në kontrollin e parë të bërë në makinë nuk është gjetur asnjë gjurmë e dyshimtë apo ndonjë mjet i paligjshëm”, u shpreh avokati.

Çështja e gjurmëve të gjakut, ka krijuar një debat në seancën e djeshme. Prokuroria këmbëngulte se gjurmët e gjakut janë të të pandehurve, duke i implikuar ata direkt në rrëmbimin dhe vrasjen e Gaz Çollakut. Në kundërshtim me ta, avokatët mbrojtës thanë se gjithçka është e padrejtë. Në të njëjtën kohë, nga kafazi i sallës së Gjyqit, Shtraza tha se ato gjurmë gjaku nuk janë të tijat. “Është sajesë. Gjurmët e gjakut nuk më përkasin mua, e kam thënë dhe do ta kundërshtoj gjithmonë. Nuk e kam vrarë unë Gaz Çollakun”, është shprehur i pandehuri.

Sakaq, seancën e djeshme ishte parashikuar nga ana e Prokurorisë, që të shikoheshin pamjet filmike të kohës kur disa persona rrëmbejnë në një lokal të ndjerin Gazmend Çollaku. Këto pamje do të shiheshin nga të gjitha palët, dhe më pas do të administroheshin si provë. Ndërkohë edhe pse gjykata insistoi disa herë të shiheshin pamjet filmike, teknikët e Gjykatës e patën të pamundur të hapnin pamjet filmike të cilat do të hidhnin dritë për herë të parë për automjetin dhe personat që rrëmbyen Gazmend Çollakun 1 vit më parë në Durrës. Këto pamje nuk u shfaqën dje, për shkak të defekteve në monitorin e Gjykatës. Ndërkohë, seanca e lënë përgjysmë do të vijojë javën që vjen.

Dëshmia

“E kam njohur Gaz Çollakun në burg, ka qenë në vitin 2013. Kemi qenë në një sektor në burg, dhe aty kemi qëndruar si dy çuna durrsakë. Kemi mbajtur dhe Ramazan bashkë. Pasi dola nga burgu i kam çuar cigare në burg Gazmendit dhe ai kur ka dalë nga burgu jemi takuar disa herë në Durrës dhe kemi pirë kafe. I njoh familjen, të fejuarën të cilën e kam pasur në lagjen time. Ditën e rrëmbimit kam qenë në Durrës dhe kam udhëtuar në mesditë nga Durrësi me furgon në Tiranë. Kam takuar një vajzë me emrin Marsela, në lagjen e “21 Dhjetorit”. Kam pirë kafe në lokal të quajtur “Caza”, dhe aty kam takuar rastësisht dhe Ervin Dalipajn. Pasi jam larguar, i kam thënë takohemi pas 3 orësh dhe pastaj kam qëndruar me Marselën.

Mbiemrin e saj nuk mund ta jap, se kam frikë mos i ndodh e njëjta gjë që i ndodhi dhe Ervin Dalipajt, e vrasin. Pasi kam qëndruar 2 orë e gjysmë në shtëpinë e vajzës aty kam mësuar që është rrëmbyer Gaz Çollaku dhe pas 2 orë e gjysmë jam takuar me Ervin Dalipaj, jam takuar tek lokal “Caza” dhe më pas kemi bërë një xhiro nëpër Tiranë me “Benz”. Ndërsa, nga darka më ka thënë Ervin Dalipaj që të çoj unë në Durrës. Kemi ecur ngadalë se binte shi dhe kur arritëm në lagjen e shtëpisë sime, aty më ndali një patrullë policie dhe na ka kërkuar kartat e identitetit dhe në polici kemi dhënë deklaratat tona. Vetëm ditën e nesërme kemi mësuar se Gazmend Çollaku ishte vrarë.

Nuk kam dijeni që ka pasur njolla gjaku në makinë, se makinën e ka përdorur Ervin Dalipaj. As nuk kam dijeni për telefonat në makinën e Dalipaj, pasi unë nuk mbaj telefon personalisht. Theksoj se nuk kam pasur konflikt me Gaz Çollakun. Jam plagosur në vitin 2008 por nuk e kam akuzuar Gaz Çollakun se e ka bërë ai këtë”, është shprehur Denis Shtraza. Ndërkohë, meraku që Shtraza paraqiti dje në Gjykatë ishte largimi dhe marrja në mbrojtje e familjes së tij. Ai tha para Gjykatës se jeta e tyre është në rrezik dhe se pak ditë para se ai të dërgohej për gjykim, në banesën e tij persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri arme.

Dëshmia e Dalipajt

Në seancën e zhvilluar dy javë më parë tek Krimet e Rënda, u lexua dhe dëshmia e Ervin Dalipaj, dhënë për prokurorët 1 vit para se të vritej. Edhe Dalipaj pranon që ka takuar Shtrazën tek “21 Dhjetori”, ndërsa numrin e madh të telefonave të gjetur në makinë ua adreson shokëve të tij. Dëshmia e Ervin Dalipaj u dha më 7 Janar, 2016. “Kam qenë në Tiranë më 6 janar 2016.

Në Tiranë kam qenë në një lokal tek zona e “21 Dhjetorit” dhe tek Tregu Elektrik. Kam qenë me disa shokë të mi. Kam takuar shokun tim Denis Shtraza dhe në mbrëmje vonë jemi kthyer në Durrës. Telefonat nuk e di se kush i ka pasi në makinë hipin shumë shokë dhe nuk e përcaktoj dot se kush i ka”.

Dalipaj ka shpjeguar në dëshminë e tij dhe mbi radion e policisë dhe dokumentet e policit që iu gjetën në makinë. “Radion e policisë e kam pasur unë kur kam qenë efektiv policie dhe është neglizhencë e imja që nuk kam dorëzuar në kohën kur dorëzova detyrën. Por kështu e njëjta gjë dhe me dokumentin e policisë. Edhe atë duhet ta kisha dorëzuar”. Ervin Dalipaj u vra ditën e gjyqit ku do dëshmonte për vrasjen e Gazmend Çollakut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat