Ironia e fatit/ Humbësit e 2013-ës, kundër humbësve të 2017-ës

Shqipëria

Ironia e fatit/ Humbësit e 2013-ës, kundër humbësve të 2017-ës

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 00:04
PD

Një ditë para votimit për kryetarin e PD, kritikët e Lulzim Bashës kanë zhvilluar takimin përmbyllës në Tiranë.

Bie në sy mungesa e Jozefina Topallit në takimin e lëvizjes, ku janë të pranishëm Astrit Patozi, Besnik Mustafaj, Ridvan Bode, Genc Ruli dhe Majlinda Bregu.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe një nga kritikët e Lulzim Bashës, e ka akuzuar kryetarin e “vetëngrirë” se ka shkatërruar të gjithë të djathtën shqiptare me marrëveshjen që bëri me Kryeministrin Edi Rama para zgjedhjeve të 25 qershorit.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një takimi te Akademia e Arteve me figura të PD që janë kundër Bashës.

“Basha i hoqi PD të drejtën e garës dhe vetëm gara e bën hapësirë lirie PD. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një gare farsë. Me marrëveshjen me Ramën Basha shkatërroi krejt të djathtën. Data 22 nuk shënon fundin e lëvizjes sonë por futjen në një etapë të re”, tha Mustafaj

Ridvan Bode deklaroi se PD ndodhet në një moment delikat, më të vështirin.

“PD ka nevojë për reflektim të thellë dhe të gjërë. PD ndodhet në një moment delikat, më të vështirin. PD më 25 qershor mori humbjen më të thellë. PD e pakënaqur me Bashën”, tha Bode.

Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, tha se nuk i interesonte fare Basha as nuk e urrente atë. Por sipas saj, Basha është një i paaftë për të menduar.

“Nuk e kam zgjedhur si kryetar PD-je në 2013-n dhe nuk jam e zemëruar me të. As nuk e urrej. Luli është thjeshtë një i paaftë për të menduar. Unë e dua PD-në parti të demokrative,” tha Bregu.

Astrit Patozi është shprehur dhe një herë që nuk e njohin garën për kreun e PD-së dhe se ai u tha “me pak fjalë ne jemi partia që duam të zgjedhim kryetarin. Ndërsa ai është kryetari që do të zgjedhë partinë”, duke iu referuar Bashës.

“Kjo nuk është një lëvizje politikanësh por e shumicës së demokratëve, që ndjekën instinktin dhe ndjeshmërinë. Gjatë këtyre ditëve na kanë quajtur dhe kundërshtarë të Lulzim Bashës. Të gjithë ne kemi vetëm një kundërshtarë dhe ai është Edi Rama, i cili na del dhe na tepron” tha Patozi.

Ndërkohë që takimi kundër Bashës vijonte, Komisioni i Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike njofton se ka përfunduar procesi i shpërndarjes dhe marrjes në dorëzim të materialeve zgjedhore në 73 komisionet e ngritura në gjithë vendin, për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Materialet zgjedhore janë marrë në dorëzim nga përfaqesuesit e kandidatëve dhe drejtuesve të komisioneve.

Gjithçka është gati për procesin e votimit që nis nesër në orën 8 dhe mbyllet në orën 19.00, njofton PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat