Operacioni "TND" - Denoncoi tek Rama korrupsionin, kapen në flagrancë 3 tatimorët

Shqipëria

Operacioni "TND" - Denoncoi tek Rama korrupsionin, kapen në flagrancë 3 tatimorët

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 16:10
ilustrim

Tre specialistë të Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Tiranë janë arrestuar pasi i kanë marrë administratores së një subjekti privat në Spille të Kavajës shumën prej 40 mijë lekë.

Mbrëmjen e 21 korrikut, vetë subjekti privat kishte bërë denoncimin drejtëpërdrejtë tek Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Z.Edi Rama.

Më pas Drejtoria e krimit ekonomik në Tiranë bashkëpunim dhe me prokurorinë e Kavajës organizuan operacionin e koduar “TND” duke arrestuar në flagrancë

-Ermal Harizaj, 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë.
-Ervin Pupuleku, 29 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë.
-Arben Disha, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë

“Arrestimi i këtyre personave u bë, pasi, më datë 21.07.2017, ora 17.00, të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll, pranë një subjekti privat në Spille Kavajë, me administratore shtetasen A. M., duke shpërdoruar detyrën i kanë marrë administratores shumën prej 40 mijë lekë ( të rinj )  Vijon puna për dokumentimin nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën ndaj bizneseve “deklaroi drejtori i policisë së Tiranës, Ardi Veli në një prononcim për median mesditën e 22 korrikut.

Operacioni  policor u kodua “TND” dhe nga videoja e vene ne dispozicion nga policia tre specialistët e Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Tiranë u janë vënë prangat brenda në subjektin privat.

Policia e Shtetit u bën thirrje çdo sipërmarrjeje apo subjekti tregëtar, që gjendet në kushte shtërguese si pasojë e sjelljes abusive të punonjësve të shtetit, të denoncojnë pa ngurim dhe i siguron të gjithë për gadishmërinë për të reaguar në kohë reale  e në mbështetje të çdo viktime të shpërdorimit të detyrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat