Partia ZGJIDHJA: UKT vidhet e plaçkitet çdo ditë nga banditët e “Rilindjes”

Shqipëria

Partia ZGJIDHJA: UKT vidhet e plaçkitet çdo ditë nga banditët e “Rilindjes”

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 17:19
Zgjidhja - Logo

Partia ZGJIDHJA përmes një deklarate për mediet ka shkruar se UKT ( Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë) vidhet e plaçkitet çdo ditë në Tiranë nga banditët e “Rilindjes”. ZGJIDHJA thekson se pasi qeveria rriti ndjeshëm biletat e urbaneve në kryeqytet, ka rritur tanimë edhe çmimet për ujin.

Deklarata e plotë e partisë ZGJIDHJA:

ZGJIDHJA kundërshton me forcë planin e “Rilindjes” për të rritur në mënyrë drastike çmimin e ujit në Tiranë. Ashtu siç bënë me çmimin e biletës së transportit urban, shtimin e shumë taksave të reja e të “çuditshme”, Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë vendosur të rrisin edhe çmimin e ujit, sërish sipas praktikës së faktit të kryer. Tarifat fikse mujore dyfishohen për të gjithë klientët familjarë dhe të tjerë. Në të njëjtën kohë familjarët, bizneset e vogla dhe të mesme dhe furrat e bukës do paguajnë një çmim 45-50 % më të lartë se çmimi i sotëm për çdo metër kub ujë.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës (UKT) vidhet e plaçkitet çdo ditë dhe administrohet nga një bandë kusarësh të “Rilindjes”. Kjo ndërmarrje faturon vetëm 20 % të sasisë të ujit. Pjesa tjetër prej 80 % janë vjedhjet dhe humbjet teknike. Bizneset dhe konsumatorët më të mëdhenj të ujit në Tiranë, klientela e Veliajt dhe e Ramës paguajnë më pak nga sa paguan një familje që ushqehet me asistencë sociale, më pak nga sa paguan një pensionist. UKT mund të katërfishojë të ardhurat vetëm duke përmirësuar menaxhimin dhe rrjetin. Por kjo qeveri e mbushur me tutkunë, të korruptuar e kusarë nuk ndjek rrugën e llogjikshme e në favor të qytetarëve, por shfrytëzon rastin ti mbysi ata në tarifa e fatura të reja. Sa më i shtypur e i varfër të jetë populli, aq më të lumtur janë Rama e Veliaj, aq më i sigurt e jetëgjatë ndihet pushteti i tyre.

Përpara pak ditëve, Rama nxori Veliajn dhe deklaroi fushatën për të kursyer ujin e pijshëm dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Por dardha e Ramës e ka si përherë bishtin prapa; synimi ka qenë rritja drastike e çmimit të ujit. Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet ditën e mërkurë, për të miratuar tarifat e reja të ujit të pijshëm. “Rilindja” dhe Erion Veliaj nuk e kanë shumicën. ZGJIDHJA iu bën thirrje këshilltarëve të Tiranës, që të tregojnë se janë në anën e popullit të varfër dhe ta kundërshtojnë me vendosmëri dhe me forcë planin e Ramës dhe Veliajt. Pa votat e tyre, qeveria nuk mund ta vërë dot në zbatim, këtë barrë të re dhe të rëndë për qytetarët e Tiranës.

#ZGJIDHJApërPOPULLIN

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat