Patozi pas votimeve: Urime Lulzim! farsa jote kapërceu imagjinatën

Shqipëria

Patozi pas votimeve: Urime Lulzim! farsa jote kapërceu imagjinatën

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 23:40
Deputeti demokrat Astrit Patozi

Deputeti demokrat Astrit Patozi ka komentuar përfundimin e procesit të votimit për kreun e ri të PD-së.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Patozi shkruan se farsa e liderit të “ngrirë” Lulzim Basha kapërceu çdo imagjinatë.

Më tej ai heq një paralele me pjesëmarrjen e zgjedhjeve brenda PD-së të vitit 2013, ku ironizon duke thënë se sa më e madhe humbja, aq edhe më e madhe dashuria për liderin e partisë.

Statusi i Patozit

“URIME LULZIM!
Urime Lulzim! Nuk na ke zhgënjyer kurrë. Farsa jote realisht po kapërcen çdo imagjinatë.

Unë e parandjeva dhe e paralajmërova në drekë, por të jem i sinqertë, nuk e kisha menduar që do të mbërrinte deri këtu.

Ndaj jam i gatshëm të kërkoj ndjesë për fantazinë e pamjaftueshme.

Sipas komisionit të Jeminit kanë votuar rreth 20 mijë demokratë më shumë se 4 vjet më parë.Konkluzioni: Sa më e thellë humbja, aq më e madhe dashuria për udhëheqësin e lavdishëm të partisë dhe popullit. Sepse është rasti tipik kur dhimbja kthehet në forcë.
Por për shembullin e Koresë së Veriut nuk kam gabuar. Ky është modeli që sot po instalohet në Partinë Demokratike.

Ndërkaq, më kujtohen vitet 70-80 kur, sa më shumë varfëroheshin shqiptarët, aq më shumë shtoheshin sukseset e diktaturës. Por të gjithë e mbajnë mend se çfarë ndodhi më pas, Lulzim...” shkruan Patozi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat