Kriteret e aplikimit në universitete! Nga taksat te ndarja e fondeve

Shqipëria

Kriteret e aplikimit në universitete! Nga taksat te ndarja e fondeve

Më: 23 korrik 2017 Në ora: 15:31
Ilustrim

Rreth 40 mijë maturantë përfunduan studimet e tyre në gjimnazet e gjithë vendit për vitin akademik 2016-2017.

Për të gjithë ata të cilët kërkojnë të vijojnë më tej studimet dhe që  duhet të njihen me kriteret  e pranimit në universitete, tashmë ato janë të publikuara nga Universiteti i Tiranës, ku vlen të theksohet  se formula  për t’u bërë pjesë e 7 fakulteteve  të  Universitetit të Tiranës  ka ndryshuar  pothuajse në shumicën e  fakulteteve.

Ja disa nga fakultetet të cilat kanë ndryshuar kriteret e tyre të pranimit të studentëve aplikantë

“Fakulteti për Gjuhët e Huaja, një risi për këtë vit ka që të gjitha notat e provimeve gjatë tre viteve të shkollës së mesme duke shtuar dhe notat e provimeve të maturës që janë gjithsej 5  lëndë.  Këto nota  mblidhen së bashku dhe pjesëtohen me numrin e përgjithshëm të tyre. Kjo është formula  e cila do të përdoret për të  pranuar maturantët të cilët dëshirojnë të vijojnë studimet e tyre për degët e Gjuhëve të Huaja. Ndërsa për ata të rinj të cilët  duan të aplikojnë  në Fakultetin e  Histori-Filologjisë do të përdoret një tjetër formulë përllogaritëse .

Të gjitha programet që funksionojnë në këtë fakultet, funksionojnë sipas një parimi të përbashkët, ku 80% e vlerësimit do të jetë nga mesatarja e tre viteve në shkollës së mesme, që duket së përbën edhe bazën kryesore të procesit të vlerësimit, ndërkohë që  20% do të llogaritet nga mesatarja e provimeve  me detyrim të  maturës shtetërore.

Një tjetër formulë pritet të aplikohet në Fakultetin  e Shkencave të Natyrës, ku në ndryshim nga  Fakulteti i Histori-Filologjisë ku bazën kryesorë  të vlerësimit e zë mesatarja e tre viteve të shkollës   në këtë fakultet  në bazë të vlerësimit,  do të ketë 50%  nga mesatarja e përgjithshme e studimeve, e cila ndahet në dy komponentë, 25 % nga mesatarja e përgjithshme dhe 25% mes mesatares së maturës shtetërore.

Ndërsa për Fakultetin Ekonomik  vlerësimi  do të përllogaritet në këtë mënyrë : 50% studentët  e kanë nga mesatarja e notave të studimit gjatë 3 viteve dhe 50% e vlerësimit  janë grup-lëndët përkatëse që ka përzgjedhur fakulteti.

Po në të njëjtën mënyrë edhe për maturantët të cilët kërkojnë të ndjekin studimet e tyre pranë Fakultetit të   Drejtësisë.  Edhe  në këtë fakultet  50% të vlerësimit studentët  e kanë nga mesatarja e notave të studimit gjatë 3 viteve  të shkollës së mesme dhe 50% e vlerësimit  janë grup-lëndët përkatëse që ka përzgjedhur fakulteti.

Kategoritë e studentëve që përjashtohen nga taksa vjetore

Studentët që janë nga radhët e shtresave në nevojë përjashtohen edhe për 2017-ën, nga detyrimet e taksës vjetore për studimet e larta që ndjekin në programet e fakulteteve publike. Në udhëzimet e fundit që MAS ka dërguar pranë institucioneve të arsimit të lartë publik, saktësohet se rimbursimi i kostos së studimeve do të jetë në masën 100 për qind për kandidatët që ndjekin programet 3-vjeçare të ciklit “Bachelor”, si dhe në masën 50 për qind nëse studenti është duke ndjekur një program të ciklit të dytë, “Master profesional”, ose “Master i shkencave”.

Konkretisht, studentët që janë nga shtresat sociale të tilla, si: “persona që nuk dëgjojnë dhe shikojnë, invalidë të punës, invalidë para dhe tetraplegjikë, me statusin e jetimit, romë, ballkano-egjiptianë, persona që kanë humbur njërin nga prindërit dhe familja e tyre trajtohet me ndihmë ekonomike, fëmijë të ish-të dënuarve politikë, fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës, apo të prekurit nga HIV-AIDS, duhet që brenda afateve të përcaktuara nga vetë sekretaritë mësimore të fakulteteve, të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara. Kjo në mënyrë që të përjashtohen nga taksa e shkollimit. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar listën e dokumenteve që duhet të depozitojë gjatë këtij muaji pranë fakulteteve secili student që i përket kategorive të përmendura.

Po e njëjta procedurë do të ndiqet edhe në programet e nivelit të dytë. Sipas shkresës së dikasterit të arsimit, studentët e këtyre shtresave sociale që janë duke ndjekur në programet “Master” do të paguajnë vetëm gjysmën e taksës vjetore të shkollimit. Dorëzimi i dokumenteve për të përfituar duhet të bëhet edhe nga studentët e viteve të dyta e lart, të cilët kanë përfituar edhe gjatë viteve të shkuara.

Në bazë të ndryshimeve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, ekspertët e MAS po përgatisin edhe paketën e re me aktet nënligjore që do të zbatohen mbi tarifat e studimit për vitet në vijim. E derisa këto ndryshime do të jenë gati, përjashtimi nga tarifat e studimit do të vijojë të bëhet sipas kësaj skeme, kur për nivelin e parë të studimeve rimbursimi do jetë maksimal, ndërsa për nivelin e dytë në masën 50 për qind.

Sipas ligjit të arsimit të lartë, kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Në këto kushte, studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër.

Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Ndërsa, kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.

Si ndahet fondi i mbështetjes studentore dhe kategoritë përfituese  

Nga fondi i mbështetjes studentore që do të akordojë shteti për vijimin e studimeve të larta, do të përfitojnë tre kategori, siç janë bursat e studimit për studentët e shkëlqyer, bursat për studentët në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar, si dhe bursat e studimit për studentët që i përkasin shtresave sociale në nevojë.

Grupet e punës në MAS po përgatisin aktet nënligjore, në të cilat do të përcaktohen modalitetet e mbështetjes me bursë të secilës prej këtyre shtresave përfituese. Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht programit të studimit dhe institucionit, në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet. Studenti vazhdon të përfitojë këtë bursë vetëm nëse rezultatet e tij, gjatë gjithë viteve të studimit, vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.

Ndërsa bursat e studimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë, që përbëjnë prioritet kombëtar, u shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave. Për shtresat sociale në nevojë saktësohet se bursat e studimit do u jepen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për të gjithë ata studentë të cilët përfitojnë, duhet të kenë mbyllur  në fakultetin që studiojnë, dosjen e dokumenteve që të përjashtohen nga tarifa e shkollimit, sipas shtresave sociale ku bëjnë pjesë: studentët e verbër, invalidë, studentët me statusin e jetimit, romë, fëmijët e ish-të dënuarve politikë, fëmijë të policëve dhe ushtarakëve të rënë në krye të detyrës,  studentët të cilëve njëri nga prindërit u është ndarë nga jeta dhe familja trajtohet si “familje në nevojë” dhe studentët e prekur nga sëmundja HIV¬AIDS.

Këto janë dokumentet që duhet të kenë dorëzuar studentët për të përfituar nga fondi

Studentët që janë të të verbër/të shurdhër:

Vërtetimin nga Shoqata e të Verbërve.
Fotokopje të noterizuar të vërtetimit të KMCAP.
Fotokopje te noterizuar te dëshmisë së verbërisë/të shurdhër.
Vërtetimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të pagesës së pensionit të verbërisë apo ndonjë dokumenti tjetër që e vërteton (masa e pagesës nga bashkia).
Vërtetimin që është student në fakultetin përkatës.
Fotokopje e kartës së identitetit.
Studentët që janë invalidë:

Certifikate familjare ku vërtetohet lidhja e studentit me invalidin e punës.
Fotokopje e noterizuar e vërtetimit të KMACAP të prindit që është deklaruar invalid pune.
Fotokopje e dëshmisë së invalidit të punës me vulë të njomë të përfituar sipas statusit të invalidit të punës.
Vërtetimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të pagesës së pensionit të invaliditetit.
Vërtetimin që është student në fakultetin ku ndjek studimet e larta.
Fotokopje e kartës së identitetit.
Studentët që janë  me statusin e jetimit:

Dëshminë e statusit të jetimit të fotokopjuar të noterizuar.
Vërtetimin që është student në programin përkatës të studimit.
Fotokopje të kartës së identitetit.
Certifikatë familjare.
Studentët romë, ballkano-egjiptian:

Certifikatë familjare.
Vërtetimin e shoqatës që vërteton origjinën e tyre.
Vërtetimin që është student.
Fotokopje e kartës së identitetit.
Studentët që janë fëmijët e ish-të dënuarve politikë:

Certifikate familjare ku vërtetohet lidhja e studentit me të përndjekurin politik.
Dëshmi penaliteti (i barazvlefshëm me dëshmi penaliteti do të konsiderohet akti që ka njohur statusin e përndjekjes lëshuar nga institucionet e ngarkuara me këtë detyrë sipas legjislacionit të kohës. Vërtetimet e lëshuara nga Ministria e Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe ish-të Përndjekurve Politikë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Rendit Publik) fotokopje të noterizuara.
Vërtetimin e statusit të të përndjekurve politikë (prindërit/prindi) fotokopje e noterizuar.
Vërtetimin nga Instituti i të Përndjekurve Politikë.
Vërtetimin që është student.
Fotokopje të kartës së identitetit.
Studentët që janë fëmijë të policëve dhe ushtarakëve të rënë në krye të detyrës:

Certifikatë familjare.
Vërtetim nga ministria përkatëse që tregon se prindi ka rënë në krye të detyrës. Fotokopje e noterizuar.
Vërtetimin që është student.
Fotokopje të kartës së identitetit.
Studentët të cilëve njëri nga prindërit u është ndarë nga jeta dhe familja trajtohet si “familje në nevojë” :

Certifikatë familjare.
Certifikate e ndarjes nga jeta e njërit prej prindërve.
Vërtetimin e trajtimit me ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore si:“familje në nevojë”.
Vërtetimin që është student në fakultetin përkatës.
Fotokopje të kartës së identitetit.
Për studentët e prekur nga sëmundja HIV¬ AIDS:

Raportin mjekësor që tregon sëmundjen (fotokopje e noterizuar).
Vërtetimin që është student.
Fotokopje e kartës së identitetit.
 

Ashtu sikurse edhe në vitet e tjera edhe këtë vit qeveria nëpërmjet fondit të ekselencës kontribuon edhe për vitin akademik 2017-2018 me fondin prej 150 milion lekësh. Ky fond shkon për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer  të cilët janë pranuar të kryejnë studimin e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë  “Doktoratë “ jashtë vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat