Meta mban fjalimin e parë në presidencë: Falenderoj Nishanin. Demokracia, jetike për një vend si i yni

Shqipëria

Meta mban fjalimin e parë në presidencë: Falenderoj Nishanin. Demokracia, jetike për një vend si i yni

Më: 24 korrik 2017 Në ora: 20:00
Presidenti Ilir Meta

Teksa mbajti fjalën e tij të parë në Presidencë në cilësinë e kreut të Shtetit, Ilir Meta vlerësoi punën e paraardhësit të tij Bujar Nishani.

“Falenderoj Bujar Nishanin për atë çfarë ka dhënë, për qetësinë dhe qëndrimin e ekuilibruar institucional dhe njerëzor, me të cilin kam pasur kënaqësinë, të bashkëpunoj edhe si kryetar i Kuvendit.

Shteti shqiptar në 105 vite të ekzistencës së tij, ka mbi vete peshën e një ekzistence të lashtë. Lavdia e përbotshme e Skënderbeut, urtësia e Ismail Qemalit, mendimi vizionar i Sami Frashrit, humanizmit i Nënë Terezës janë arsye krenarie dhe reflektimi të thellë dhe të vazhdueshëm.

Përvoja politike më inkurajon të pohoj se gjithnjë ia ka vlejtur të bësh lëshimet dhe kompromiset e nevojshme për hir të mbarësisë kombëtare. Dua të riafirmoj sërish se jam besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit, si gjuha e vetme e suksesshme e politikës, si gjuha që ndërton komunikim, bashkim mes qytetarëve dhe mirëqenie. Demokracia është jetike për një vend si i yni.

Do të punoj pa reshtur që shoqëria demokratike në Shqipëri të konsolidoj vlera dhe liritë themelore si dhe të jetë vigjilente ndaj çdo cenimi të tyre.

Demokracia e ka dimension jetik lirinë e medias si formë e patjetërsueshme e shprehjes së opinionit, të kritikës në anën e interesit më të mirë publik.

Shoqëria civile do të ketë gjithmonë vëmendjen dhe bashkëpunimin e institucionit të Presidentit të Republikës”, tha Meta.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat