Pensionet për emigrantët, si bëhet llogaritja me ligjin e ri

Shqipëria

Pensionet për emigrantët, si bëhet llogaritja me ligjin e ri

Më: 25 korrik 2017 Në ora: 09:10
Ilustrim

Në kuadrin e reformave të ndërmarra vitet e fundit në shtetet e Bashkimit Europian, janë bërë ndryshime thelbësore në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, të cilat lidhen kryesisht me zgjatjen e moshës së përfitimit të pensionit, duke e korrektuar me koeficientin e jetëgjatësisë, si dhe mënyrën e llogaritjes së pensionit, të cilat prekin sigurisht dhe emigrantët shqiptarë. Edhe pse këto ndryshime janë pritur me protesta në vendet fqinje (Itali e Greqi) ku jetojnë e punojnë më shumë emigrantë shqiptarë, ato parashikojnë përpos rritjes së moshës, edhe rritjen e pagesave të pensioneve. Për punonjëset femra të punësuara në sektorin privat, nga 60 vjeç që ishte mosha për pension pleqërie normale deri më 31 dhjetor 2011, filloi një rritje graduale e moshës duke arritur 62 vjeç në vitin 2012. Deri më 31 dhjetor 2015 mosha për gratë është rritur në 63 vite e 9 muaj, për të shkuar 66 vite e 7 muaj vitin e ardhshëm. Po kështu mosha e daljes në pension për burra, nga 65 vjeç që ishte deri më 31 dhjetor 2011, u bë 66 vjeç më 1 janar 2012, u rrit me 66 vite e 3 muaj nga 1 janar 2013, aktualisht është 66 vite e 7 muaj ku në vitin 2018, barazohet dhe mosha e grave me 66 vite e 7 muaj.

Llogaritja

Nisur nga këto ndryshime, për përfitimin e pensionit, aktualisht ka dy mënyra të llogaritjeve. Punonjësit e siguruar deri në datën 31 dhjetor 1995, të cilët kanë të drejtën e daljes në pension, në qoftë se mund të plotësojnë të paktën 20 vjet kontribute (1040 kontributet javore) dhe punonjësit e siguruar pas datës 31 dhjetor 1995, të cilët kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë mund të kenë jo më pak se 5 vjet e kontribute (260 javë), e përfitojnë pensionin në moshën 70 vjeç e 3 muaj. Po kështu, për pensionin e invaliditetit, e përfitojnë punonjësit që rezultojnë me paaftësi të përhershme për të kryer ndonjë punë për shkak të një sëmundjeje apo defekti fizik a mendor me humbje e mbi 74 për qind të aftësisë për pune, të cilët duhet të kenë jo më pak se 260 javë (pesë vjet kontribute) nga të cilat 156 javë (tre vite kontribute) në pesë vitet që i paraprinë datës se paraqitjes së aplikimit.

Pensionet për emigrantët e riatdhesuar

Para hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2002, për punonjësit e kthyer nga vendet jo anëtare të BE-së në shtator të vitit 2002, pavarësisht nga marrëveshjet reciproke ndërmjet vendeve, ata kishin të drejtën për të marrë një rimbursim të kontributeve të paguara deri në atë kohë (Ligji 335/1995). Në këtë mënyrë, para hyrjes në fuqi të ligjit, emigrantëve shqiptarë të riatdhesuar dhe të gjithë ekstrakomunitarëve që kishin punuar jashtë, me dokumentacion të rregullt, u kthehej e gjithë shuma e kontributeve të paguara, duke shlyer në këtë mënyrë detyrimin e shtetit italian kundrejt këtyre personave. Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit, ndryshoi dhe trajtimi i emigrantëve të riatdhesuar, tani jo më me kthimin e shumës së kontributeve të paguara, por në disa favore për përfitimin e pensioneve të punonjësi ekstrakomunitar me kontratë të ndryshme nga ajo sezonale, gëzon të drejtën për përfitimin nga sigurimet shoqërore, të maturuar jashtë Shqipërisë dhe përfiton të tilla të drejta, edhe kur nuk ekziston një marrëveshje reciproke me vendin e origjinës.

Dokumentacioni

Për të marrë statusin e të riatdhesuarit, janë të domosdoshme një sërë dokumentesh, të tilla si vërtetimi nga njësia vendore e pushtetit lokal të zonës, ku të përmbajë datën e saktë të hyrjes përfundimtare në atdhe, si dhe adresën aktuale të tij dhe fotokopja e pasaportës, duke përfshirë dhe faqen ku ndodhet vula e fundit e kthimit në Shqipëri. Gjithashtu, për riatdhesimin kërkohet edhe vërtetim nga organet kompetente (Drejtoritë e Tatimeve), në atdhe që kanë ndërprerë aktivitetin e punës si dhe dokumenti i çregjistrimit nga komuna, ku emigranti ka qenë banues në Itali a Greqi.

Përfitimi, 2 rastet

Për përfitimin e pensioneve të pleqërisë, duhet të dallojmë dy raste, sipas së cilëve, pensioni llogaritet me sistemin kontributiv apo me sistemin retributiv (me pagat).

Në rastin e parë, punonjësit ekstrakomunitarë, të punësuar mbas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në rast riatdhesimi, të llogaritura me sistemin kontributiv, me plotësimin e 66 viteve e 7 muaj (është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë), edhe nëse nuk kanë plotësuar kërkesat e parashikuara, pra edhe nëse nuk kanë plotësuar 20 vite kontribute. Kjo kategori emigrantësh mund të përfitojë pension nga vendi i huaj edhe kur ka një vjetërsi kontributive, jo më pak se pesë vite.
Në rastin e dytë, punonjësit ekstrakomunitarë, të punësuar para periudhës 1 janar 1996, mund të përfshihen, në rast riatdhesimi, me pension pleqërie, të llogaritur me sistemin retributiv, ose të përbërë, vetëm kur plotësojnë 66 vjeç e 7 muaj, (është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë) si për burrat, ashtu dhe për gratë, vetëm kur plotësojnë jo më për burrat, ashtu dhe për gratë, vetëm kur plotësojnë jo më pak se 20 vite kontribute. Për përfitimin e pensionit, si të riatdhesuar është si kusht që këta emigrantë të jenë kthyer përfundimisht në Shqipëri, duke lënë rezidencën në BE, ashtu dhe lejen e qëndrimit.

27 % e popullsisë në mërgim, programi për të kthyerit

Vendosmëria e shteteve anëtare të BE-së për të mos pranuar dhe në të njëjtën kohë për të kthyer të gjithë shtetasit shqiptarë që emigrojnë në mënyrë të paligjshme, ka bërë të domosdoshme intensifikimin e masave nga ana e qeverisë shqiptare për riintegrimin e tyre në shoqëri. Për këtë qëllim Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka aplikuar këtë vit programe për riintegrimin e shtetasve të kthyer. Shqipëria ka rreth 27 për qind të popullsisë së saj migratore, dhe për këtë ka lindur nevoja që të gjitha çështjet që adresojnë dinamikat e migracionit, të jenë koherente dhe të mirintegruara në një politikë gjithëpërfshirëse. Politikat e qeverisë synojnë një menaxhim sa më të mirë të fluksit migrator, inkurajim të lëvizjeve me punësim të rregullt, reduktim të kostove individuale dhe publike për emigracionin jo të rregullt, dhe riintegrimin e atyre emigrantëve që kthehen, si dhe familjeve të tyre. Sipas ministrisë, nuk ka asnjë mundësi që një emigrant që tenton në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së, të qëndrojë atje dhe të marrë statusin e azilantit. “Në radhë të parë është e domosdoshme që çdo qytetar shqiptar të kuptojë se ka zero shanse për emigracionin ilegal për të gjetur punë në vendet e BE-së, ndërsa vetëm pasja e një zanati të certifikuar dhe aplikimi sipas politikave të legjislacionit të vendeve të BE-së janë rruga e vetme për të emigruar”, thekson MMSR. Ndërkohë, sa u përket emigrantëve të kthyer, dhe këtu bëhet fjalë për personat që janë në moshë aktive pune, qeveria ka parashikuar si një masë për riintegrimin e tyre në shoqëri sërish arsimin profesional falas, si e vetmja mënyrë për të marrë një zanat dhe për t’i krijuar mundësi vetes që të punësohen si në tregun e brendshëm të punës, ashtu edhe atë evropian sipas ligjeve të BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat