Prokuroria kërkon burg për djalin që vrau babanë për një karrocë llaç

Shqipëria

Prokuroria kërkon burg për djalin që vrau babanë për një karrocë llaç

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 13:35
Pamje nga vendi ku ndodhi krimi

Prokuroria për krimet e Rënda kërkon në gjykatë masë sigurie arrest me burg për 21-vjeçarin Mirald Metallari, i cili vrau të atin dhe plagosi nënën e tij.

Me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga kontakti i parë është mësuar se shtetasi Mirald Metallari, pas një konflikti çasti që ka patur me të atin , shtetasin Miftar Metallari, ka marrë armën e këtij të fundit dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur.

Po ashtu, në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dal nëna e tij shtetasja Nurie Metallari e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete. Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, ka rezultuar se shtetasi Mirald Metallari menjëherë pas ngjarjes është larguar me një automjet të markës “Ford”, për të transportuar nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari në spitalin e traumës Laprakë.

Me marrjen e këtij njoftimi, nga ana e Policisë u bë ndalimi i mjetit në rrugën “Lord Bajron, ku njëkohësisht u bë edhe ndalimi i shtetasit Mirald Metallari si dhe është bllokuar arma e zjarrit tip pistoletë, model “TT”.

Dëshmia e Mirald Metallari

Më datë 24.07.2017 rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin (Miftarin) për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Mirald-i ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë 2 (dy) motrat e tij, të cilat kanë dal jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit .

Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dal me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën shtetasen Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndaloj dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja. Nëna e tij ka dashur përsëri ta ndaloj, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarri në drejtim të saj në një distancë prej 3 (tre) metrash. Ndërkohë, i ati, Miftari, ishte duke ardhur në drejtim të Mirald-it, ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës.

Më pas Mirald-i thekson se ka shkuar te e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë, e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital.

Me vete ka patur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë, kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali e ka ndaluar një patrullë policie, dhe e ka shoqëruar atë në mjetin e policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Në deklarimin e tij ky shtetas thekson se armën ua ka dorëzuar vet punonjësve të policisë. Në shpjegimet e tij ky person sqaron se nuk ka patur konflikte të mëparshme me të atin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat