Apeli 'rikthen' në burg Alket Hatinë, por 'baroni i drogës' ...

Shqipëria

Apeli 'rikthen' në burg Alket Hatinë, por 'baroni i drogës' ...

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 10:25
Alket Hatija

Gjykata e Apelit ka 'rikthyer' në burg, Alket Hatijën, të njohur si "baroni i drogës", i arrestuar nga drejtësia shqiptare për llogari të asaj italiane, por edhe të liruar më pas me një vendim gjykate.

Lirimi i baronit të drogës nga drejtësia shqiptare

Pas vendimit të dhënë më 11 korrik 2017 nga Gjykata e Durrësit për lirimin e Alket Hatijsë, sinjale erdhën edhe nga Italia fqinjë, ku 45-vjeçari është dënuar në 2015-ën në mungesë me 20 vite burgim për trafik droge.

Media të ndryshme italiane shkruajtën se ky vendim i gjykatës mund të sjellë arratisjen nga burgu të 45-vjeçarit, i cili në vendin fqinjë etiketohet si “Zoti i Drogës”. Nofkë kjo, që sipas medieve në Itali, Hatija e ka fituar për arsye të aftësisë për të trafikuar sasi të mëdha droge nga Shqipëria drejt vendit fqinjë.

Madje, “Corriere Del Ticino” raporton se: "me shumë mundësi, Alket Hatija është arratisur".

Alket Hatija, 45 vjeç, u arrestua në Durrës me qëllim ekstradimin drejt Italisë dhe Policia shqiptare njoftoi se ai ishtedënuar në vitin 2015-ës, me 20 vjet burgim. “Ai ishte vënë nën akuzë për ‘Trafikimi të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim’”, njoftoi Policia Shqiptare që ia kaloi dosjen Prokurorisë së Durrësit.

Mediat italiane raportuan dje se: Hatija u arrestua nga policia shqiptare pas indikacioneve të karabinierëve të Milanos. Ai u vu në pranga në Durrës teksa ishte nisur për të takuar një mik.

Por, ndodh lirimi nga Gjykata

Me një vendim të dhënë paraditen e 11 korrikut 2017, Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë së detyrim paraqitjes ndaj 45-vjeçarit, duke i dhënë kështu lirinë. Ndërkohë, që Prokuroria kërkoi masën e arrestit në burg deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit.

Lidhur me vendimin, gjykata e Durrësit argumentoi se dënimin që ka marrë në Itali, Hatija e ka kryer në Shqipëri dhe se kërkesa e Prokurorisë, nuk shoqërohej me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”. Kërkesë kjo e cila është kusht për caktimin e masave shtrënguese për efekt të ekstradimit sipas parashikimeve të neneve 493 e 494 të Kodi të Procedurës Penale, sqaron më tej Gjykata.

Apelimi i Prokurorisë

Prokuroria e Durrësit e apeloi një ditë më pas vendimin e Gjykatës së Durrësit, që liroi të shtetasin Alket Hatija, i arrestuar për qëllime ekstradimi në Itali. Në ankesën e saj prokuroria e cilëson vendimin e gjykatës krejtësisht të pabazuar dhe të mbështetur në fakte që nuk ekzistojnë.

Sipas akuzës, të gjitha procedurat e ndjekura, që nga shpallja në kërkim, arrestimi dhe deri tek kërkesa për caktim mase sigurie me qëllim ekstradimin janë konfrom ligjit.

Për këtë arsye Prokuroria e Durrësit i kërkoi gjykatës së Apelit që të rrëzojë vendimin e shkallës së parë dhe të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” për Alket Hatijan, deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit. Tashmë do të jetë Gjykata e Apelit që do të vendosë.

Mediat italiane e cilësojnë Alket Hatijën “një nga zotërit e drogës, i aftë për të bërë të bërë të mundur transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Shqipëria në Milano”.

Hatija, shkruan “La Republica”, jetonte në një vilë me bunker në Berat dhe ruhej vazhdimisht nga persona të armatosur.

Aktiviteti i tij prej narkotrafikanti lulëzonte, aq sa në Shqipëri bënte një jetë luksoze.

Ai konsiderohet përgjegjës për 350 kg heroinë dhe 190 kg kokainë e trafikuar mes Janarit 2003 dhe Marsit 2004 në Milano. Sasi droge kjo që vlerësohet nga 35-45 milionë euro.

Alket Hatija ishte një trafikant i pastër, një ‘kokë e madhe’ nga ata të cilët vetë nuk preknin 1 gr drogë, por që me një telefonatë urdhëronin trafikimin e sasive shumë të mëdha të drogës.

Transporti i drogës nga Shqipëria në Itali bëhej me kamionë dhe makina me targa evropiane, që kalonin kufirin e Veriut të Italisë, si dhe anije.

Gjuetia për Hatijan në Shqipëri

Elementët për të rënë në gjurmët e tij nuk ishin të shumtë. Një emër, dy datëlindje, një foto në një pasaportë dhe një adresë banimi në Itali, në provincën e Campobasso, rruga Kennedy 2. Aty kishte jetuar në vitin 1997, viti kur kishte shkuar për herë të parë në shtetin fqinj dhe punonte si punëtor krahu.

Falë bashkëpunimit me Interpol dhe agjentët e Policisë Shqiptare, autoritetet italiane arritën që ta gjenin narkotrafikantin në qytetin e tij të lindjes.

Megjithatë, arrestimi i tij u bë i mundur vetëm të shtunën, pasi autoritetet përfituan nga një prej udhëtimeve të tij në Durrës.

Duke cituar autoritetet italiane, mediat e vendit fqinj shkruajnë se Hatija kishte arritur që ta transportonte të gjithë sasinë e drogës në territorin milanez në harkun kohor të një viti, nga Janari i 2013 –ën dhe Marsi 2014 -ës. Hetimet zbuluan se 45 – vjeçari kishte arritur të bënte të paktën 59 “rrugë”.

Si transportonte kilogramë të tëra me drogë në Itali

Mënyra sesi operonte ishte tepër e rafinuar. Fliste pak në telefon dhe askush nuk e thërriste kurrë në emër. Droga, e cila vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve, dorëzohej menjëherë. Kështu ‘malli’ nuk qëndronte për kohë të gjatë në ‘duart’ e narkotrafikantit, e pikërisht për këtë arsye nuk përdorte asnjë lloj magazine për të ruajtur lëndën narkotike.

Zakonisht, për ngarkesat më të mëdha, i paraprinte udhëtimet e korrierëve të tij për të verifikuar personalisht që gjithçka të shkonte sipas planit.

E pikërisht në një nga këto raste, bëri edhe gabimin e tij të vetëm, duke treguar pasaportën në mbërritje me anijen në portin e Ankonës. Falë të dhënave të mbledhura në atë rast, shumë vite më vonë, të shtunën e 8 Korrikut ai u arrestua.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat