Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i shoqëruar nga bashkëshortja Karen, pritet të aterojnë në Aeroportin e Podgoricës rreth orës 18:00, ku do të priten nga kryeministri malazias, Dushko Markoviç.
Në mbrëmje, kryeministri Markoviq do të shtrojë një darkë solemne për zëvendëspresidentin Pence, ku do të marrin pjesë dhe kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe kryetari i Kuvendit, Ivan Brajoviç.
Takimi zyrtar ndërmjet zëvendëspresidentit amerikan dhe kryeministrit malazias është planifikuar për të mërkurën, kur do të zhvillohet edhe Samiti i liderëve të vendeve të rajonit në kuadër të Kartës Amerikane të Adriatikut. Tema e këtij samiti do të jetë siguria në rajon.
Në këtë samit, me ftesë të kryeministrit të Malit të Zi janë ftuar të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç, ai i Sllovenisë Miroslav Cerar, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç si dhe përfaqësuesi këshillit ministror të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiç.
Nga kabineti i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është konfirmuar se gjatë qëndrimit në Podgoricë, ai do të takojë zëvendëspresidentin Pence.