Prokurorët çojnë në Kushtetuese Kodin e ri të Procedurës Penale: Kompetencat tona i kaluan gjykatave

Shqipëria

Prokurorët çojnë në Kushtetuese Kodin e ri të Procedurës Penale: Kompetencat tona i kaluan gjykatave

Më: 2 gusht 2017 Në ora: 16:41
Prokuroria

Një ditë pasi hyri në fuqi Kodi i ri i Procedurës Penale, unioni i prokurorëve e paditi ligjin në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e 20 neneve. Sipas Unionit, kodi i ri kufizon funksionin dhe kompetencat e prokurorisë, duke i kaluar kompetencat e prokurorit për ndjekjen e çështjes penale tek gjykata. Unioni thotë në padinë drejtuar Gjykatës Kushtetuese se “heqja e ekskluzivitetit të organit të Prokurorisë në ushtrimin e ndjekjes penale përbën shmangie të këtij organi nga ushtrimi i veprimtarisë së tij kushtetuese, duke cenuar edhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”.

Pra, vendimet e pushimit të hetimeve; ndryshimit të akuzës; zgjatjes së afateve të hetimit; kontrolleve dhe ekspertizave e deri tek dërgimi i dosjes për gjykim duhet të kenë patjetër përveç kërkesës së prokurorit edhe miratimin e gjykatës. Me gjithë ankesat e prokurorëve, Kodi i Procedurës Penale nuk është një nga 7 ligjet bazë të Reformës në Drejtësi, ai është një ligj bazë për veprimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka në proces edhe 3 ligje të tjera të reformës në drejtësi, ku më i rëndësishmi është ai i “Vetting”-ut, pasi gjyqtarët kërkojnë të shpallin antikushtetuese pjesën e kontrollit të figurës së njerëzve të drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat