Vakancat, Gjykata e Lartë rrezikon kaosin

Shqipëria

Vakancat, Gjykata e Lartë rrezikon kaosin

Më: 4 gusht 2017 Në ora: 07:46
Gjykata e Lartë

Edhe Gjykata e Lartë është në vështirësi dhe mund të përfundojë në kaos për shkak të vakancave që ka. Katër gjyqtarë nga Gjykata e Lartë kanë deklaruar dorëheqje tre ditë më parë pasi u ka mbaruar mandati. Ata janë Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani. Gjithashtu mandati i ka mbaruar edhe Andi Çelikut por ka vendosur të qëndrojë deri sa të shkojë pasardhësi. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori ka thënë se ka njoftuar Presidentin Ilir Meta për këtë vakancë të madhe të krijuar në Gjykatën e Lartë, çka mund të shkaktojë kaos pasi janë me qindra dosje që presin të shqyrtohen.

Në njoftimin e Gjykatës së Lartë u bë e ditur se: “Në zbatim të detyrimeve kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, me datë 29.06.2017, thirri mbledhjen e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në të cilën kërkoi deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku.

Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pas konstatimit të plotësimit të mandatit 9-vjeçar me datë 28.07.2017 të gjyqtarëve të sipërpërmendur si anëtarë të kësaj gjykate, vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit për secilin prej tyre. Kryetari i Gjykatës së Lartë, me shkresën nr. 2859 datë 30.06.2017, ka njoftuar Presidentin e Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendimmarrjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë lidhur me mbarimin e mandatit të këtyre gjyqtarëve, duke theksuar se, sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, dhe konkretisht pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.

Gjyqtari Guxim Zenelaj me datë 28.07.2017 dhe gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, dhe Arjana Fullani me datë 31.07.2017, në mënyrë individuale, kanë paraqitur një shkresë drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, më të cilën e njoftojnë për dorëzimin e detyrës si anëtarë të Gjykatës së Lartë, për shkak të mbarimit të mandatit si anëtarë të kësaj Gjykate. Lidhur me dorëzimin e detyrës nga këta gjyqtarë, Kryetari i Gjykatës se Lartë, më datë 31.07.2017 njoftoi edhe Presidentin e Republikës”, thuhet në njoftim.

Saga e vettingut në Gjykatën Kushtetuese

Ligji i Vettingut ka pasur një rrugëtim të vështirë dhe të gjatë. Ky është ligji më i kontestuar i paketës së reformës në drejtësi dhe përherë ka elementë të rinj që kontestohen. Çuarja e ligjit të Vettingut në Gjykatën Kushtetuese, më 25 maj është tentativa e fundit që e ndalon zbatimin e tij. Ky ligj më parë është çuar në Gjykatën Kushtetuese edhe në Partia Demokratike dhe nga Shoqatat e Gjyqtarëve për të rishqyrtuar disa nene të tij. Partia Demokratike në padinë e saj kërkoi pezullimin e ligjit dhe më pas shqyrtimin e tij. Kur kjo kërkesë bëhet, Gjykata Kushtetuese zhvillon më shumë se dy seanca, një për të vendosur mbi pezullimin e ligjit dhe një të dytë mbi shqyrtimin e neneve të kontestuara.

Ankimi i PD-së bëri që Gjykata Kushtetuese të çojë ligjin e Vettingut për shqyrtim të specializuar në Komisionin e Venecias, pasi siç thanë vetë gjyqtarët e Kushtetueses, ata ishin në konflikt interesi pasi ligji parashikon kontroll edhe për këtë trup. Pasi Komisioni i Venecias vendosi që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ligjiin, si organin e vetëm vendimmarrës, Kushtetuesja zhvilloi një seancë dhe la në fuqi ligjin e Vettingut, pa ndryshime thelbësore. Sërish ky ligj do të shqyrtohet por këtë radhë për nene të tjera. Partia Demokratike kishte rezerva shumë të mëdha lidhur me institucionet që do të raportojnë informacion tek dy strukturat e Vettingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimeve dhe Kolegjit të Apelimit. PD argumentonte në ankimimin e saj se informacioni më thelbësor nuk mund të mblidhet nga institucione që janë në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrisë si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat