Berisha zbulon kush është 'I Madhi në Tiranë' ku trafikantët e drogës dorëzonin pjesën

Shqipëria

Berisha zbulon kush është 'I Madhi në Tiranë' ku trafikantët e drogës dorëzonin pjesën

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 00:45
Ish-Kryeministri Sali Berisha

Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka drejtuar qartazi gishtin mbi zyrtarin e lartë të qeverisë, që trafikantët e drogës i dorëzonin pjesën e fitimit të tyre. Duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe disa vartës të tij, që i cilëson si "narko-çakot", ai arrin tek Kryeministri, të cilin e ka pagëzuar si "Noriega". 

"Më i madhi në Tiranë është Noriega, të tjerët janë më të vegjël se ai! - shkruan Berisha, pas publikimit të përgjimeve policore të trafikantëve të marihuanës në media sot. 

"Të dashur miq. Përgjimet e fundit të shërbimeve inteligjente, të trafikantëve të lumit të drogës që vërshon drejt Italisë, kanë zbuluar se ata, shuma të mëdha parash ndajnë me të "mëdhenjte" pra me narko-çakot dhe me "më të madhin fare" në Tiranë, i cili është një dhe vetëm një: Noriega dhe vetëm Noriega!

Më poshte keni shkrimin dhe tekstin e zbardhjes së përgjimeve të trafikantëve!" nënvizon Berisha.

"Trafikonin tonelata drogë me avion: Këto pako me para, janë për më të madhin në Tiranë!

Dhjetëra tonelata droge që kapet në Itali, Greqi, e shtete të tjera, të cilat kanë si pikënisje Shqipërinë ashtu siç kanë deklaruar edhe shërbimet inteligjente ndërkombëtare, trafikantët kanë bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë.

Gati në të gjitha përgjimet e trafikantëve të kanabisit në bisedat e tyre flitet për lidhje me zyrtarë të lartë në Tiranë, apo drejtues kryesorë të policisë. Rasti më i fundit është ai i grupit të trafikantëve të Vlorës, që u kapën në vitin 2015 pasi u zbulua se përdornin një avion sportive, për ta trafikuar hashashin nga Shqipëria drejt Italisë.

Në trafik rezultoi i përfshirë edhe një shef policie, por trafikantët flasin për njerëz “të mëdhenj”, madje për “të madhin fare” në Tiranë.
Përgjimet janë kryer me anë të një aparati të vendosur në makinën e Sokol Burhamajt, organizatorit të trafikut, por edhe me metoda të tjera. Një pjesë e tyre, që është zbardhur tregon pikërisht lidhjet e trafikantëve me zyrtarë të lartë që u garantonin qetësinë për të kultivuar plantacione të tëra me kanabis.

Ky grup trafikantësh u zbulua falë një hetimi të policisë italiane për dy familje shqiptare, Lamaj dhe Hametaj, që trafikonin drogë me avionë nga Vlora në Brindisi, referohet Panorama”. Familja Lamaj përdorte një avion “Aeropakt A22S”, në të cilin autoritetet italiane arritën të vendosin një përgjues.
Mjete përgjimi u vendosën edhe në tre makina tip “Audi” që përdoreshin nga trafikantët.

Operacioni i koduar me emrin “Fluturimi i Lirë” nisi më 24 gusht me arrestimin nga autoritetet italiane të Vilson Lamajt dhe të italianit Italo Loreto. Ata po zbrisnin në një pistë të braktisur në komunën e Ostunit avionin me 128 kilogram kanabis që e kishin marrë në zonën e Lumit të Vlorës.

Përgjimi i datës 10 korrik 2015
Nga përgjimet ambientale në automjetin “Audi A3” me targë DL … NH, më datë 10 korrik 2015, ora 02:23 rezulton një bisedë mes Fatos Burhamajt (Lamajt) dhe Sokol Burhamajt.

Fatosi: I kanë thënë për një person shumë të madh në Tiranë, më i madhi.

Sokoli: Eh, ka marrë 50.000 euro. I ka marrë njëri që ishte atje… ca persona të tretë që kishin dhjetë parcela, 1 mijë a 3 mijë rrënjë kishin vetëm atje.
Ndërsa më 7 gusht 2015 dy vëllezërit Sokol Burhamaj (Lamaj) dhe Vilson Lamaj flasin për sasinë që do të mbillet. Në bisedën e tyre flitet sërish për implikimin e zyrtarëve të shtetit.

Sokoli: Do të bëhen stallat me rresh me eternity. Vetëm ne do të qëndrojmë atje. 5 – 6 persona me kallash. Do të bëjmë 10 mijë rrënjë. I vendos të thahen atje ku janë bletët. Unë them të bëjmë 1 ton. 10 mijë rrënjë bëjmë 10 ton hashash. Janë 10 ton hashash, vëlla.

Vilsoni: Janë shumë punë or mik

Sokoli: Një ton ia japim shtetit dhe të tjerat i kemi për vete.

Vilsoni: Këtij i duhen mbushur xhepat mirë në mënyrë që të thotë “aaa, po, kam xhepat plot”.

Sokoli: Po çfarë të të thotë tjetër shteti ty.

Vilsoni: Të themi 10-20 mijë rrënjë të vogla dhe më pas kalojmë nga e madhja. 7 – 8 persona dhe çdonjëri ka punëtorin e vet në kopësht.

Nga hetimet nuk rezulton që ata t’i kenë përmendur me emra zyrtarët e lartë. Ndërkohë që hetimet e prokurorisë zbardhën edhe rolet e secilit prej anëtarëve të grupit të ndarë në dy pjesë, në Shqipëri dhe Itali.

Pas zbardhjes dhe këtij publikimit të këtij përgjimi të palës italiane, pyetja shtrohet; kush është ky zyrtar në Tiranë, “Më i madhi".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat