Shefi i Antimafias italiane: Lufta e përgjakshme mes klaneve mafiozeve në Pulia, për drogën e Shqipërisë

Shqipëria

Shefi i Antimafias italiane: Lufta e përgjakshme mes klaneve mafiozeve në Pulia, për drogën e Shqipërisë

Më: 10 gusht 2017 Në ora: 11:59
Franco Robert

Në rajonin e Pulias në Itali ka plasur një luftë e egër, mes klaneve mafioze. Vetëm ditët e fundit në dy atentate janë ekzekutuar katër persona të rëndësishëm të saj, në Foggia dhe në San Marco. Ngjarjet kanë bërë bujë të madhe në opinionin Italian dhe në media sepse kanë rikthyer skenat e viteve 80-të.

Për këtë luftë të egër të klaneve mafioze që ka shpërthyer në Pulia ka dhënë disa opinione edhe prokurori i Antimafies Italiane, Franco Robert. Sipas tij përplasjet mes klaneve në Pulia, vijojnë prej 30 vjetësh me një bilanc prej 300 vrasjesh, prej të cilave dhe 80%  kanë mbetur pa u zbuluar. Por shkaku i zgjimit të kësaj lufte të egër, duket se vjen nga Shqipëria. Behët fjalë për sasitë e mëdha të kanabisit, që mbërrijnë në brigjet italiane nga vendi ynë.

“Sot konflikti është ndezur rreth trafikut të drogës, sidomos të drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria. Një biznes kolosal që ushqen oreksin e klaneve dhe që përfshin gjithë bregun Adriatik, nisur nga ai foxhian deri në Europë. Mafia foxhiane është një degë e Kamorrës napoletane. Kohët e fundit janë përforcuar strukturat hetimore në territor dhe besoj se do të procedohet më tej. Në prillin e shkuar u hap një seksion i Ros në Foggia që mungonte dhe Prokuroria e Qarkut të Barit është e angazhuar në koordinimin e hetimeve.

Natyrisht duhet bërë më shumë, edhe në planin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndaluar lumin e drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria, sepse janë pikërisht ato që po çojnë në shpërthimin e konflikteve. Ishim në Shqipëri muajin e kaluar për të kërkuar bashkëpunim, takuam në Romë ministrin e Brendshëm shqiptar që premtoi bashkëpunim më të madh. Duhet të fitojmë mbi omertanë dhe për ta bërë këtë duhet krijuar një kulturë e ligjshmërisë që në atë territor është ende periferik”, deklaruar Roberti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat