Më në fund Rama reagon për zjarret: Shteti në krye të detyrës, por kapacitetet tona janë të ulëta

Shqipëria

Më në fund Rama reagon për zjarret: Shteti në krye të detyrës, por kapacitetet tona janë të ulëta

Më: 10 gusht 2017 Në ora: 12:39
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar më në fund për zjarret që po shkatërrojnë pasurinë kombëtare dhe po kërcënojnë fshatra të tëra. Ai ka theksuar në shënim të tij në Fb se shteti është në krye të detyrës, megjithëse "kapacitetet tona mbeten të ulta përballë këtij kërcënimi kaq serioz".

Nga ana tjetër, Rama nuk ka harruar t'u përgjigjet sulmeve nga opozita për këtë çështje: "Sidoqoftë, faktet flasin vetë qoftë për punën kolosale që është bërë në kushte tejet sfiduese, qoftë për kujet e krismat digjitale të atyre që duhet të japin llogari e jo të kërkojnë llogari."

MESAZHI I RAMES NE FB

Vijojnë aksionet për vënien nën kontroll dhe shuarjen e vatrave të zjarreve në këto ditë temperaturash ekstreme, të cilat kanë ndikuar rëndshëm në një situatë të paprecedentë zjarresh në mbarë mesdheun. Për përballimin e situatës janë angazhuar deri më sot 8261 vajza e djem nga Emergjencat Civile, Forcat Zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, stafet e bashkive si edhe vullnetarë, të mbështetur me 973 mjete tokësore dhe 5 mjete ajrore (2 helikopterë dhe 3 avionë). Situata mbetet e vështirë edhe për ditët në vijim që vala e të nxehtit të jashtëzakonshëm do të jetë prezente në territorin tonë.

S'ka dyshim se kapacitetet tona mbeten të ulëta përballë këtij kërcënimi kaq serioz dhe në katër vitet e ardhshme do të përpiqemi seriozisht për rritjen e këtyre kapaciteteve. Sidoqoftë, faktet flasin vetë qoftë për punën kolosale që është bërë në kushte tejet sfiduese, qoftë për kujet e krismat digjitale të atyre që duhet të japin llogari e jo të kërkojnë llogari. Nga 280 vatrat e zjarrit në të cilat ka qenë e nevojshme ndërhyrja e strukturave shtetërore, sot janë aktive vetëm 8 prej tyre dhe ky numër pritet të ulet në orët në vijim falë gatishmërisë maksimale, koordinimit të plotë dhe bashkëpunimit të lartë mes institucioneve vendore e qendrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat