Familja e viktimës: Ndaj deputetit Rakipi të veprojë drejtësia

Shqipëria

Familja e viktimës: Ndaj deputetit Rakipi të veprojë drejtësia

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 09:03
Rakipi

Familja Sorra me banim në fshatin Kus, Kashar në Tiranë, ka përcjellë për në banesën e fundit të afërmin e tyre që u aksidentuar për vdekje nga deputeti Aqif Rakipi në autostradën Tiranë-Durrës. 54-vjeçari Seit Sorra, ishte babai i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali.

Të gjithë ishin zhytur në trishtim për atë ikjen e të dashurit të tyre. Vëllai i viktimës shprehet se Seiti ishte shtylla e shtëpisë dhe se merrej me tregti agro-ushqimore për të mbajtur familjen e tij. Sipas tij, Seit Sorra është lënë i pajetë në mes të autostradës nga ana e deputetit, ku ky i fundit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

“Jemi në hall, na ka ndodhur gjëma. Deputeti u lirua, por ai e la vëllanë tim në mes të autostradës pa asnjë shenjë jete. Si gjithmonë, në raste të tilla ata që humbin jetën marrin fajet. Por, duhet parë edhe ana tjetër. Këtu deputeti nuk është pa faj, ai u largua me shpejtësi, pse iku?”, është shprehur vëllai i viktimës, sytë e të cilit ishin mbushur me trishtim për ikjen nga kjo jetë e të vëllait.

Me tej, ai thotë për “Shekullin” se ngjarjen e ka marrë vesh shumë vonë dhe se nuk ka qenë me Seitin momentin kur u përplas. Sipas tij, dëshmitarët kanë treguar që deputeti ka qenë me shpejtësi të madhe dhe e ka bërë copa-copa trupin e 54-vjeçarit. “Unë vetë kam qenë në shtëpi, se çfarë ka ndodhur ma kanë treguar nja dy njerëzit tanë që ishin me Seitin atje. Sipas tyre, ata kanë qenë duke kaluar rrugën dhe makina e deputetit ka qenë me shpejtësi të madhe. Kam dëgjuar nëpër lajme që faji i është hedhur Seitit, por edhe deputeti nuk është pa faj. Ku udhëton ai me atë shpejtësi?

Pse iku ai dhe e la të shtrirë atë sikur mos të ishte një njeri? Policia nuk duhet ta kishte lënë të lirë kaq shpejt. Megjithë këtë, ne presim të flasë përsëri drejtësia. Nuk është e lehtë kjo ngjarje, nuk duhet të kishte lëvizur deputeti”, thekson ai. Më tej ai shton se i vëllai ka qenë duke shkuar për tek tregu agro-ushqimor, për të blerë disa mallra. Ai ndodhej nën shoqërinë e dy kushërinjve të tij, të cilët i kanë shpëtuar fatmirësisht këtij aksidenti të frikshëm.

Dërgesa e fjalëve
Pavarësisht asaj që kishte ndodhur, deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi ka dëshiruar që familjes Sorra t’i shkonte për ngushëllim. Por, nuk ka guxuar të shkojë i vetëm në banesën e tyre. Sipas vëllait të viktimës, deputeti Rakipi kishte dërguar njerëz të tij, ku kërkonte leje për të marrë pjesë në ngushëllimet ndaj familjes së të ndjerit, por, kjo e fundit nuk i ka dhënë një përgjigje përfundimtare, duke bërë që deputeti të mos shkojë në varrim.

“Solli njerëzit e tij, të cilët kërkuan leje që deputeti të vinte për ngushëllim në varreza. Nuk ishim të gatshëm për t’i dhënë një përgjigje në ato momente dhe u larguan ashtu siç erdhën. Ne duhet të mblidhemi njëherë të gjithë së bashku për këtë çështje dhe të diskutojmë nëse e pranojmë apo jo. Kjo gjë nuk është e lehtë, pasi ai mori një jetë tonën dhe kjo duhet diskutuar me gruan dhe fëmijët e Seitit”, është shprehur vëllai i viktimës.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:40 minuta të mëngjesit të së shtunës, 12 gusht 2017, ndërsa nga të dhënat e policisë mësohet se viktima, Seit Sorra 54-vjeç i ka prerë rrugën makinës së deputetit, tip “Benz” me targa AA002 CY.  

54-vjeçari Sorra ka qenë duke ardhur nga Durrësi në Tiranë dhe sapo ka zbritur nga një furgon ka tentuar që të kalojë rrugën, jo në mbikalim por në autostradë, kur është përplasur për vdekje nga makina e deputetit. Sorra mësohet se ka qenë tregtar i zonës, ka ndërruar jetë në vend, pasi përplasja ka qenë fatale. Ndërkohë,deputeti nuk ka qëndruar në vendin e ngjarjes, por është larguar, ndërsa pas 10 minutave është dorëzuar në polici.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat