Shehi: Jemi bërë për të qeshur me ministrat teknikë

Shqipëria

Shehi: Jemi bërë për të qeshur me ministrat teknikë

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 09:06
Dashamir Shehi

Dashamir Shehi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, por deputet nga listat e PD-së është treguar kritik me mënyrën se si po sippet selia e blu e drejtuar sërish nga Lulzim Basha. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai shprehet se PD ka 20 vjet që ka vetëm një person. Sipas tij, pas vjeshtës nevojitet një reflektim i thellë ndërsa i duket qesharake ajo që po ndodh me ministrat teknikë.

“Unë kam kohë që i kam thënë, zoti Basha duhet t’i tërheqë se tani nuk ka më kuptim që ata të rrinë. Zgjedhjet mbaruan, ndonjë hata e madhe nuk u bë me ata, ata nuk kanë ndonjë funksion tjetër. Ndaj gjykoj që ka ardhur dita që opozita të ketë duart e lira për të bërë opozitën reale, frontale.

Nga kjo pikëpamje mendoj se ministrat teknikë ka kohë që duhet të kishin ikur, që të nesërmen e zgjedhjeve. Unë nuk jam dakord që ministrat teknikë të rrinë. Këtë pozicion kam mbajtur dhe e kam bërë zyrtar. Kjo i bën një dëm të madh opozitës sepse përditë muhabetet bëhen për ministri.

Ne na ngatërrojnë kot në një qeveri që ka qëndruar katër vjet aty. Nuk mund të merremi me muhabetet e këtyre, nuk na leverdisë fare kjo punë. Edhe zoti Basha kështu gjykonte. Një muaj përpara na tha që do të përgatisin një raport dhe do të ikin. Kanë kaluar tre të hëna që nga ai takim deri më sot dhe mesa duket këto ministri do ti mbajnë deri në shtator. Unë nuk jam dakord, nuk më pëlqen.

Nëse ne jemi opozitë nuk kemi nevojë as për ministra, se u bëmë për tu qeshur, ne po bëjmë në një farë mënyre estradën e Edi Ramës. Ai nuk do t’ia di, ai nuk qeverisë më me qeveri por me popullin! Kështu që pse duhen këta ministra, çfarë bëjnë këto?! Kurrgjë! Më e mira është që ata të ikin, ne ti kemi duart e lira dhe të vazhdojmë punën tonë opozitare, siç pretendojmë për të bërë. Unë gjykoj që nuk duhet të kemi ministra teknikë më, që të mesmen e zgjedhjeve, ky ka qenë- mendimi im dhe e kam thënë publikisht. Ata po të duan le ti mbajnë por mbajtja e ministrave nuk i vlen opozitës, i bën dëm” – thotë Shehi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat