Ringritja e partisë/ Grupi anti-Basha: Zgjedhjet në shtator, PD: Pas një viti

Shqipëria

Ringritja e partisë/ Grupi anti-Basha: Zgjedhjet në shtator, PD: Pas një viti

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 09:57
Mbledhja e PD-se

Grupi anti-Basha kërkon mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar për ndryshime në PD, pas humbjes së thellë të 25 qershorit, por zgjedhjet e reja do të zhvillohen vetëm në shtator të vitit që vjen.

Të vetmit që i përfundoi mandati ishte ai i kryetarit Lulzim Basha, i cili u rikonfirmua sërish në këtë post në 22 korrik 2017. Kuvendi i PD-së zhvilloi punimet 4 vite më parë, ku anëtarësia e Këshillit Kombëtar në datën 27 shtator 2014 zgjodhi forumet e reja drejtuese, dy nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe sekretariatin e ri të PD-së. Në bazë të statutit të partisë, mandati i tyre katërvjeçar përfundon në shtator të vitit që vjen. Ndaj, sipas drejtuesve aktualë të PD-së, nuk mund të ketë zgjedhje jashtë asaj çfarë parashikon dokumenti themeltar i PD-së, statuti i saj.

Madje, para disa ditësh sekretari organizativ  i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, bëri të qartë se në muajin shtator nuk do të ketë zgjedhje për kupolën drejtuese të Partisë Demokratike, por puna sipas tij do të fokusohet vetëm tek analiza për humbjen e 25 qershorit. Bozdo kërkoi gjakftohtësi dhe maturi në bërjen e analizës, pasi sipas tij, nga këtu duhet të fillojë ringritja e PD. “Pas analizës – theksoi ai – do të nisë procesi për ristrukturimin e Partisë Demokratike. Praktikisht – deklaroi ai – procesi do të zhvillohet në vitin 2018 dhe mund të përkojë me kohën ku në bazë të statutit, kupolës drejtuese duke nisur nga Këshilli Kombëtar, kryesia, sekretarët dhe nënkryetarët u përfundon mandati”. “PD ka organet e saj, kryetarin, kryesinë, këshillin funksional. Këto janë organe në detyrë, të cilat ripërtërihen atëherë kur mandati tyre mbaron, njëherë në 4 vjet. Kjo do të thotë që sekretariati me kryesinë dhe me drejtuesit e tjerë do të fokusohen në shtator me bërjen e analizës, më pas do të shkojnë drejt një procesi të riorganizimit të PD dhe më vonë, diku nga maji, do të mblidhet dhe Kuvendi i ri i PD, pasi ka mbaruar procesi i riorganizimit të degëve, i cili do të sjellë zgjedhjen e organeve drejtuese të PD”, – deklaroi sekretari organizativ i PD-së. Por, grupimi anti-Basha ka propozuar një projektstatut të ri, sipas tyre për demokratizimin e PD-së.

Pak ditë parë ky grupim bëri me dije se do të vijojë për një përpjekje serioze e konstruktive brenda PD-së për demokratizimin e brendshëm të partisë, për rikthimin në vlerat themelore të kësaj partie, për konsolidimin e saj ideologjik, për të dhënë shpresë për PD-në dhe vendin. Gjithashtu në njoftim thuhej se anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe kryesisë së PD-së, dhe anëtarë të PD-së në të gjithë degët e saj mbarë Shqipërisë janë të detyruar të marrim unanimisht vendimin për vazhdimin e lëvizjes për bashkimin dhe demokratizimin e Partisë Demokratike nga brenda radhëve të saj. Në deklaratë kërkohej edhe analiza e humbjes së zgjedhjeve dhe votave në 25 qershor. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat