Moikom Zeqo: Fundi i qeverisë trinitare

Shqipëria

Moikom Zeqo: Fundi i qeverisë trinitare

Më: 17 gusht 2017 Në ora: 14:18
Moikom Zeqo

Një analizë e argumentuar e Akademikut Moikom Zeqo për realitetin aktual politik shqiptar.

Hijet antikushtetuese të marrëveshjes Rama-Basha dhe Qeveria Trinitare pas 25 qershorit. Pse mendon se teza e Ramës për ndërtimin e shtetit është e gabuar dhe pse thotë se pas zgjedhjeve të fundit ka rënë tërësisht alibia e tepsisë dhe timonit dhe përgjegjësia është tërësisht e Ramës. Skepticizmi i Moikom Zeqos dhe parashikimet e tij për qeverisjen e ardhshme…

– Moikom, pavarësisht se keni qenë i pranishëm thuajse përditë në ‘DITA’ për aktualitetin politik flisni më rrallë. Pse ka ndodhur kjo?

– Kam ecur për ca kohë dhe nuk kam folur për politikën.

E kam fjalën, nuk kam folur për politikën shqiptare në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por në të tëra shkrimet e mija në këtë hark kohor tërthorazi por dhe metaforikisht, gjithmonë jam shprehur për politikën shqiptare, kuptohet pa ndonjë entuziazëm, apo logjikë, duke ju shmangur ndonjë kriticizmi tërësor, nihilist deri në fund. Pse? Nuk të jep ndonjë kënaqësi të veçantë fakti që analizat për politikën, nuk përcillen me seriozitet në rrafshin mendor nga vetë klasa politike shqiptare. Vetë kryeministri Rama është shprehur në mënyrë të skajshme, tejet përgjithësuese për “kazanin mediatik” . Të ashtuquajturit opinionistë, apo analist të mediave, në të vërtetë kanë bërë akrobacia fjalësh, të strukturuara sipas thashethemnajave të kafeneve, pra kanë  thënë më tepër marrëzira, që kanë dashur t’i shesin si profecira.

Një arsye tjetër për të cilën kam heshtur është fakti se unë mendoj që klasa politike shqiptare, është ende e paemancipuar, nuk shkëlqen në cilësitë e larta kulturore, apo etike dhe habitërisht nuk e njeh vetë politikën si një dije universale dhe të epërme, si një instrument të ndërlikuar, që kërkon dituri të mëdha jo thjesht komunikimi por sidomos të perceptimit. Saktësisht mund të thuhet që klasa politike shqiptare në tri ngjarje madhore siç është futja në NATO, liberalizimi i vizave , por dhe Vettingu, më tepër është stimuluar nga ndërkombëtarët, pra më tepër ka qenë e shtyrë se sa e vetëdijshme dhe e qartë, çka e bën klasën politike shqiptare të mbetur në këllëfin e mentaliteteve retrograde, të provincionalizmit politik dhe të një ngurrimi instiktiv ndaj ndryshimeve cilësore progresive të politikës.

– Mund të flasim më troç, Moikom?

– Po. Sepse përsa i përket të ashtuquajturit “ kontribut” të politikanëve shqiptarë këta 27 vjet, të tërë qytetarët e dinë se ata të ashtuquajturit përfaqësuesit e popullit kanë qenë protagonistët e një korrupsioni marramendës, që nga viti në vit ka ardhur duke u shtuar, e një arrogance dhe i absolutizimit të statuseve të tyre politik. Edhe zgjedhjet e përgjithshme politike të 25 qershorit krijuan listën e deputeteve të rinj në kuvend, kryesisht emra të panjohur, por gati që të gjithë të pasur, të dalë në mënyrë misterioze dhe alkimike nga listat e kryetarëve dhe të partive, pasojë kjo e deformimit të madh politik të Kushtetutës që u bë në vitin 2008. Nuk besoj që këta deputetë, do të bëhen të famshëm për shkak të publicitetit të mediave, sepse siç ka ndodhur dhe në legjislaturat e mëparshme në Kuvend flasin një numër i kufizuar deputetësh, kurse pjesa më e madhe e deputetëve flasin shumë rrallë, ose nuk flasin fare. Prandaj dhe nuk besoj, për shkak të skepticizmit shkencor se do të ndodhë ndonjë mrekulli dhe këtë radhë deputetët në Kuvend do të jenë absolutisht më të mirët, më të përkushtuarit, pra do të kemi një ndryshim kopernikan të statusit të ligjvënësve shqiptarë në sensin më të mirë të mundshëm. Do të isha shumë i lumtur nëse realiteti i së ardhmes do të ma përgënjeshtronte këtë gjë. Dua me gjithë shpirt të mos jetë kështu. Dua që gjithçka të jetë ndryshe. Por dukuritë politike nuk kanë të bëjnë shumë me dëshirat e një njeriu të letrave.

– Sidoqoftë duhet të pranojmë një realitet të ri politik. Duket se pas marrëveshjes Rama-Basha, gjërat po rrjeshin ndryshe, apo jo?

–  Jam shprehur se në mungesë të respektimit të Kushtetutës politika shqiptare ka eksperimentuar ekuacione të pabesueshme, që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të botës. Marrëveshja Rama dhe Basha në 17 maj befas formuloi një Qeveri Trinitare. Në këtë Qeveri kishte ministra të PS-së, PD-së dhe LSI-së. Ministritë më substanciale siç janë Ministria e Punëve të Brendshme, Arsimi etj., ishin nga ministra të caktuar nga PD, 7 të tillë, që bënin kështu një mazhorancë brenda qeverisë, pa harruar edhe postin e zv/ kryeministrit.   Kushtetuta thotë shprehimisht se të drejtën juridike të qeverisjes e ka partia që fiton zgjedhjet e përgjithshme politike, ose koalicioni gjithashtu fitues.  Në 2013 dihet se PD i humbi zgjedhjet e përgjithshme dhe doli në opozitë. Nuk ndodh në asnjë vend të botës, që një parti humbëse e zgjedhjeve elektorale të ketë numrin më të madh të ministrave në një qeveri të PS-së por dhe të LSI-së, që në realitet i kishin fituar zgjedhjet në 2013. Kjo Qeveri Trinitare nuk qe në thelb qeveri teknike. Tjetër status juridik dhe kushtetues ka qeveria teknike.

– Pse thoni se nuk ishte qeveri teknike?

– Sepse, nuk qe aspak qeveri teknike, miku im. Ministrat kishin përkatësi të spikatur partiake dhe ishin në qeveri pikërisht për hir të kësaj përkatësie partiake. Prandaj nuk duhet përdorur alibia as terminologjia e ministrave teknikë. Zgjedhjet politike të 2017-s bënë një zhvendosje të pazakontë të pozicionit të tre partive kryesore të politikës. Të mos harrojmë që këto zgjedhje u administruan formalisht nga Qeveria Trinitare.  Megjithëse Qeveria qe Trinitare dy partitë pjesëmarrëse në këtë qeveri PD dhe LSI zhvilluan retorika të ashpra kundër PS-së. Këtu kemi një non sens kushtetues. Këtë gjë nuk duhet ta pranojë dhe nuk e pranon Kushtetuta. Në 25 qershor PS fiton një mazhorancë të madhe. Nga 25 qershori e deri në çastin që po shkruaj këto rreshta ka funksionuar Qeveria Trinitare, për afro 100 ditë. Si ka mundësi të vijonte punën një qeveri e tillë ku tashmë edhe PD, por sidomos edhe aleati shumë i rëndësishëm i vitit 2013, LSI, qenë kundër fitores, dukshëm të madhe të PS-së?  Prandaj mund të thuhet se një eksperiment i tillë politik që u bë nga një marrëveshje e çuditshme, madje e papritur në shumë kuptime midis Ramës dhe Bashës më 17 maj, jo vetëm që nuk rezultoi e dobishme, funksionale, por nuk qe në asnjë mënyrë mbushamendëse dhe morale. Vetëm respektimi i Kushtetutës do të bënte të mundur që të mos ftillëzohej një ide e tillë që nuk ngjan politike, por ngjan gati si një performancë postmoderniste.

– Çfarë prisni nga qeveria e re dhe sa optimistë jini për të?

– Në pritje të qeverisë së re, nuk dua të parashtroj pandehma, që e kapërcejnë skepticizmin. Më ka lënë një shije jo të mirë të shtjellimit serioz politik, ideja e dy metaforave që në mënyrë të banalizuar u quajtën metafora e timonit dhe e tepsisë. Kur pushteti është tepsi dhe ka një tepsi të pushtetit, asnjeri, sado naiv nuk mund ta kundërthojë këtë gjë. Çdo lloj ndarje e tepsisë, qoftë dhe ndërmjet, të ashtuquajturve të vetëve. Prapëseprapë është një ndarje e tepsisë. Të gjithë e kuptojnë këtë gjë. Të gjithë e kuptojnë këtë gjë. Përsa i përket timonit, gjithashtu të gjithë e dinë se vendimmarrja e kryeministrit në çdo qeveri është e pakundërshtueshme. Kryeministri si kreu i ekzekutivit ka në vendimmarrjen e tij të drejtën e Vetos. Asnjë lloj ministri, që merr pjesë në formulimin e një qeverie, të ardhur nga partitë aleate, apo nga sektori i qeverisë civile nuk ka fuqi reale, ta kundërshtojë. Nuk di asnjë kryeministër shqiptar të këtyre 27 viteve të jetë kundërshtuar nga ministrat e tij. Më thoni një emër kryeministri që gjoja nuk e ka patur asnjëherë timonin vetë. Tashmë alibia se të tjerët e kanë penguar për timonin për kryeministrin shqiptar nuk ekziston më. Përgjegjësia është e plotë.

– Dakord. Këtu me sa duket bën pjesë edhe reduktimi i disa ministrive, sikurse flitet?

– E përkrah idenë e Ramës për shkurtimin e numrit të ministrive, për bërjen e strukturave të reja nëpër ministritë e rikonceptuara, por këtu dua të tërheq vëmendjen se strukturimi, organizimi administrativ është një proces që kërkon një optikë dhe një njohje jashtëzakonisht të thellë të gjërave. Nuk mund të bëhet mekanikisht. Nuk mund të bëhet thjesht si ndërrimi i kuajve të karrocës. Nuk mund të bëhet sipas parimit të “besnikërisë” ndaj të parit . Duhet bërë sipas kapaciteteve të mëdha profesionale.  Duhet bërë sipas autoritetit dhe zhvillimit të karrierës së personaliteteve të shquara të administratës shtetërore, ashtu siç e ka parashikuar dhe ka folur Maks Veber. Paradigma e administratës Veberiane që e shikojmë të zhvilluar në shtete të qytetëruara të Europës është gati e  asfiksuar  në Shqipëri. Por unë i uroj  sukses kryeministrit, sepse dua të nisem nga e mira, që të krijojë një administratë e cila të jetë në mënyrë të pakrahasueshme më profesionale se administrata e mandatit të tij të parë.  Dua gjithashtu që administrata e mandatit të dytë të Ramës të jetë me të vërtetë më njerëzore dhe më humaniste ndaj qytetarëve.

– Si? Kini ndonjë sugjerim konkret?

– Natyrisht që kam. Ndërkohë guxoj të bëj një vërejtje që lidhet me konceptin. E dëgjoj shpesh Ramën që thotë “do të bëj shtet”. Çdo të thotë “do të bëj shtet”? Domethënë është të pranosh urbi et orbi se në Shqipëri nuk ka shtet, se ky shtet do të bëhet. Është jo thjesht një gabim të shprehuri. Është një gabim koncepti. Shqipëria ka shtet. Në Shqipëri shteti ekziston. Shteti modern shqiptar i themeluar nga Ismail Qemali në 28 nëntor 1912 deri më sot njihet botërisht si shtet.  Është pikërisht kjo njohje institucionale dhe ndërkombëtare, që bën që në emër të shtetit kryeministrat apo presidentët e Shqipërisë të përfaqësohen. Është tjetër gjë të thuash se “do ta forcojmë shtetin” . Kjo është logjike. Në këtë pikë nuk mund të kem asnjë kundërshtim. Përkundrazi. Rama ka të drejtë, të konceptojë rolin e tij në ekzekutiv si forcues, apo ndikues të drejtpërdrejtë për forcimin e shtetit, gjë që nuk na lë ne të drejtën aspak për ta kundërshtuar, por përkundrazi ta përkrahim në këtë pikë. Pra dhe unë jam një përkrahës dhe jo një pengues. Por ndërkohë nuk duhet harruar aspak që forcimi i shtetit shqiptar është një proces shumë i ndërlikuar dhe i shumëfishtë në të gjitha pikëpamjet.

Nuk mund të kemi forcim të shtetit shqiptar thjesht duke ndërtuar një administratë. Administrata sado e përsosur nuk është shteti. Forcimi i shtetit është konceptual. Nuk është formal. Nuk është dekorativ. Forcimi i  shtetit është substancial. Nuk mund të kemi shtet të fortë pa demokraci dhe liri. Nuk mund të kemi shtet të vërtetë me shtetarë te korruptuar, pa harruar edhe korrupsionin endemik që ka kapluar dhe kancerizuar shoqërinë shqiptare. Nuk mund të kemi shtet të nderuar me media të kapura nga klientelizimi i oligarkëve. Nuk mund të kemi shtet, që meriton respektin më të lartë, pa një shoqëri civile të shkëlqyer. Nuk mund të kemi shtet kur cenojmë çdo gjë publike. Shteti kërkon një vetëdije të lartë kombëtare dhe juridike. Nuk mund të kemi një shtet të fuqishëm pa një integrim të vërtetë ndërkombëtar, pa të drejtën europianizuese të qenies dhe të zhvillimit.  Nuk mund të kemi shtet duke shkatërruar çdo gjë në emër të një privatizimi total, apo të formulave që kanë rezultuara të dëmshme të neoliberalizmit siç janë përdorimi vend i pavend i PPP  (partneritet publik privat). Nuk mund të bëhet shtet nëse i reduktojmë funksionet e shtetit vetëm në diplomacitë e jashtme, në politikën e mbrojtjes, duke i konceptuar si privatizime masive gjëra absolutisht shumë të rëndësishme siç është arsimi kombëtar, ekonomia kombëtare, institucionet publike siç janë transporte, hekurudhat, flotat tregtare, aviacioni etj.. Në këto pika, duke përfshirë dhe interesin për bujqësinë konceptualisht kemi të bëjmë me atë qe quhet kultura e forcimit apo e zhbërjes së shtetit.

Shteti forcohet, kur është sa më i kulturuar. Shteti është i fuqishëm kur përfaqësohet nga personalitete të mëdha të kulturës, shkencës, artit. Nuk mund të ketë shtet të fuqishëm pa kulturë të fuqishme. Nuk mund të ketë shtet pa vizion. Të paditurit kanë vizionin e antishtetit. Mitologjia e privatizimit total është antishtet. Kjo është një çështje, kuptohet e hapur për diskutim, por është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është e patjetërsueshme.

– Mbase jini më shumë kriticist se duhet ndaj qeverisë, si një njeri i lirë që jeni, Moikom?

– Jo, unë nuk e teproj kur kritikoj.  Asnjëri nuk mund të bëjë profetin në këtë botë. As unë. Sinqerisht dua të gëzohem dhe të dëgjoj për gjëra të mira. Por asgjë nuk mund të bëhet pa kriticizëm. Kriticizmi është jetik. Më kujtohet se dikur Jeferson, një nga njerëzit më të ditur të Amerikës tha njëherë se “midis një shoqërie që ka vetëm shtete dhe nuk ka media dhe një shoqërie që ka vetëm media dhe nuk ka shtet, parapëlqente këtë të dytën ndonëse sinteza dhe bashkëjetesa e shtetit me mediat do të ishte gjëja më e mirë”. Po ç’është kriticizmi? Nuk është  thashethem, nuk është paragjykim. Kriticizmi është të shtjelloj vetëdijen qytetare për të qenë i përgjegjshëm dhe pjesëmarrës në qeverisje. Kufizimi i qeverisjes me administratën  është një marrëzi. Shembujt e kriticizmit ne i kemi nga bota e qytetëruar. Po rilexoj kohët e fundit librat e mendimtarit të madh Amerikan Zbigniev Brzezinksi, i cili vdiq më 26 maj 2017. Ky mendimtar, ky “thinker” nuk e kishte ndjenjën e servilizmit. Servilizmi dhe klientelizmi në politikë çoi në katastrofë. Përkundrazi kriticizmi i lirë fuqizon akoma më shumë lirinë dhe demokracinë. Është tipologjike se si ky mendimtar kritikon libra të mendimtarëve të tjerë në Amerikë, që duket sikur zotërojnë gjithçka. Ai kritikon gati dhe atë që quhet doktrina “neocon” (neokonservatorizmi). Kjo lloj doktrine, mbështetet në një vizion alternativ ndërmjet disa analiztëve të famshëm të politikës. Një nga këta ishte Francis Fukuyama, i cili në 1992 në librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, shpalli fundin e historisë politike dhe një dialektikë gati të pavarur të vetë ekonomisë duke u bërë kështu një apologjet dhe një përkrahës i “neocon”-it shumë popullor.  Libri i dytë i botuar në 1996 “Përplasja e qytetërimeve dhe rindërtimi i Rendit Botëror” i Samuel P. Huntington, i cili gjithashtu krijoi një zotërim mendor në politikën amerikane dhe të ditës. Të dy idetë absolutiste, lidheshin me një përparësi gati apriori të zhvillimit të gjërave dhe historisë.

Por Brzezinksi i kritikon të dy librat duke i quajtur një doktrinë manikeiste, që më shumë shkaktojnë një konfuzion se sa një qartësi për të ardhmen.  Po kështu Brzezinksi duke qenë dhe këshilltar strategjik i presidentëve të Amerikës ka qenë shumë kriticist në rrafshin e politikës ndërkombëtare të SHBA-së, madje ka shtjelluara kritika dhe  për president bashkëkohës. Por nga kriticizmi i këtij mendimtar nuk erdhi asnjë gjë e keqe. Në fakt kriticizmi vetëm gjallëroi mendimin politik amerikan. E bëri më të gjallë, më të zhdërvjellët. Rrjedhimisht më të fuqishëm.

– Le të kthehemi sërish në terrenin konkret të politikës aktuale, pra në Shqipëri dhe në Ballkan, Moikom…

– Ke të drejtë. Tani le të imagjinojmë dhe një herë, pra të kemi fuqinë për të imagjinuar se ç’ka po ndodh në Shqipëri. A kemi ne vërtetë një mendim politik të kualifikuar dhe të ditur? Apo kemi thjesht një empirizëm politik? Një pragmatizëm shpesh të neveritshëm? Është hedhur në tregun politik ideja e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, sipas një formule federaliste, të një lloji “Jugosllavie të re” ku do të jenë dhe serbët dhe shqiptarët.  Madje gazeta Dita në datën 8 korrik 2017 botoi shkrimin e një historiani Oliver SCHMITT me titull “Si është investuar BE dhe Gjermania tek dyshja Rama-Vucic”. Është ky Shchmitt i cili ka bërë historinë e Skënderbeut i cili ka bërë historinë e Skënderbeut me teza tepër problematike dhe të diskutueshme. Pse ky Shchmitt impenjohet jashtë profesionit të tij për të ndikuar në një projekt të tillë politik? Shumë analistë shqiptar, politikologë padyshim e kanë parë të shqetësuar tezën e një projekti të tillë, aq më tepër kur vetë presidenti Vuçiç i Serbisë është shprehur se nuk do ta njohë statusin e Kosovës si shteti i ri. Por ky subjekt duhet të ishte diskutim i deputeteve, i përfaqësuesve më të lartë të shtetit shqiptar, i njerëzve të kulturës, jo vetëm në Shqipëri por dhe në Kosove e kudo ku ka shqiptarë. Një nivel  kaq i lartë diskutimit krijon vetvetiu dhe standardin e mirëpritur të forcimit të shtetit, të koncepteve universale juridike dhe të së drejtës të të tërë qytetarëve shqiptarë, për ata, që jetojnë sot, por dhe për ata që do të vijnë në të ardhmen.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat