Topalli: 74 mandatet e PS-së hodhën në erë planin e Rama-Bashës për të bashkëqeverisur

Shqipëria

Topalli: 74 mandatet e PS-së hodhën në erë planin e Rama-Bashës për të bashkëqeverisur

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 10:06
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe deputeti Astrit Patozi kanë hedhur dyshime lidhur me reagimin e Bashës për zgjedhjet e 25 qershorit. Pasi kanë theksuar se Basha ka heshtur për shumë kohë, ata hedhin dyshime se pazari me Ramën mund të jetë prishur ose ndryshuar. Deputetja Topalli shprehet se, rezultati me 74 mandate i Ramës i dha fund planit për të bashkëqeverisur me Bashën. “I vetmi koncept që ai ka ishte: ose të mos hynte në zgjedhje nëse nuk ishte fitorja e garantuar ose Pazari.

Me këtë gjë në krye, ai hyri në çadër në fillim duke kërkuar dorën e Metës dhe doli nga çadra duke rrokur Ramën. Pas 18 majit nuk pat asnjë fjalë, asnjë shqetësim dhe asnjë vërejtje për zgjedhjet. Në fushatë asnjë fjalë kundra Ramës dhe asnjë fjali për blerje votash. Pas 25 qershorit asnjë ankesë, asnjë fakt, asnjë provë nuk dorëzoi as në KQZ dhe as tjetërkund. Anëtarët e opozitës në KQZ votuan unanimisht rezultatin e 25 qershorit.

Në asnjë qendër votimi, në asnjë zonë elektorale nuk pat asnjë shënim, asnjë vërejtje nga anëtarët (numëruesit) e opozitës. Përkundrazi, LB dhe ER përmes të besuarve të tyre kishin urdhëruar administratën zgjedhore që të mos kishte asnjë debat dhe asnjë kundërshti mes tyre. Me urdhër nga dyshja Rama-Basha ata duhej të votonin me unanimitet. Dhe ashtu u bë. Rama mori më shumë nga çfarë mendonte dhe Basha me pak nga çfarë kishte llogaritur. 74 mandatet e Ramës hodhën në erë projektin për të bashkëqeverisur, por Lulzim Basha qëndroi deri në fund me shpresë se Rama do e fuste në qeveri”, reagoi Topalli.

Njësoj si Topalli, edhe deputeti Patozi thotë se tashmë Basha mund të presë ndonjë kockë nga Rama. “Lulzimi ka vetëm dy mundësi tani: ose ta besojë plotësisht raportin e teknikëve, që i bie të bojkotojë parlamentin dhe të hapi prapë “çadrën e lirisë”. Ose, në rast të kundërt, ta qepë gojën e të mos flasë më për vota të blera dhe të vjedhura, por të lëpijë ndonjë kockë që mund t’i vijë nga Edi Rama, nëse ky i fundit do ta ketë zemrën e gjerë. Kam bindjen se ai nuk do të bëjë, as njërën dhe, as tjetrën. Siç ka ndodhur gjithmonë gjatë këtyre katër vjetëve. Sepse gjëja që urren më shumë në jetë ai është që të marrë vendime”, ka reaguar Patozi.

Po ashtu, Patozi thotë se komentet që bën Basha lidhur me raportin e teknikëve për zgjedhjet nuk ia rrisin por ia zbehin vlerën raportit. “Komentet e Lulzim Bashës mbi raportin e ministrave teknikë për zgjedhjet nuk ia shtojnë vlerën atij. Përkundrazi, ia zbehin fare, nëse ai vërtetë mund të shërbente për diçka në këtë vend. Jo për këto zgjedhje, se ato mbaruan, por ndoshta në të ardhmen. Sepse mes fushatës së qetë dhe pa asnjë denoncim të opozitës dhe “tmerreve” që përshkruan raporti, është në mes një det i tërë në të cilin i vetmi i fundosur këmbë e duar është Lulzim Basha, i cili ka përgjegjësi të plotë për memecërinë e Partisë Demokratike, që nga mesnata e 17 majit e deri në ditën e numërimit të votës së fundit në zgjedhjet e 25 qershorit”, ka shkruar Patozi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat