Basha pranon se është mashtruar nga Rama për zgjedhjet

Shqipëria

Basha pranon se është mashtruar nga Rama për zgjedhjet

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 11:04
Kreu i opozitës, Lulzim Basha

Kreu i opozitës, Lulzim Basha më në fund ka reaguar lidhur me zgjedhjet e 25 qershorit. Partia Demokratike dhe vetë lideri i saj nuk reaguan për asnjë nga denoncimet e rënda që u bënë para datës së zgjedhjeve, ditën e zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve kur KQZ gjatë rinumërimit nxori manipulimet e votave në mënyrë masive. Kryetari i opozitës ka heshtur gjithë këtë kohë, ndërsa drejtues të tjerë të partive më të vogla kanë denoncuar tjetërsimin e votave. Heshtja e gjatë e Lulzim Bashës për standardin e zgjedhjeve është interpretuar si pjesë e marrëveshjes së arritur mesnatën e 17 majit me kryeministrin Edi Rama.

Kreu i PD-së ka reaguar dje pas publikimit të raportit për zgjedhjet të hartuar nga ministrat “kujdestarë”, raport në të cilin theksohej shit-blerja masive e votave, mbështetja e partive të mazhorancës nga grupe kriminale, bashkëpunimi i këtyre grupeve me policinë, përdorimi i mjeteve shtetërore për fushatë, përdorimi i administratës publike në takimet elektorale, etj. Lulzim Basha në reagimin e tij të parë i ka deklaruar zgjedhjet e manipuluara nga kryeministri Edi Rama me para droge dhe korrupsioni. Basha njëkohësisht ka pranuar se kryeministri Rama e ka mashtruar mesnatën e 17 majit kur u arrit marrëveshja dhe PD mori postin e zv.kryeministrit dhe gjashtë ministra si garanci për mosmanipulimin e votave.

Basha në reagimin e djeshëm thotë se, Rama nuk përmbushi detyrimet që mori përsipër para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, të cilët ndërmjetësuan marrëveshjen. Basha në këtë mënyrë iu rikthye akuzave dhe denoncimeve të bëra gjatë kohës së protestës 3 mujore para Kryeministrisë. Njëkohësisht, për këtë reagim të vonuar të Bashës kanë reaguar dy deputetë demokratë, të cilët thonë se pazari i planifikuar i Bashës me Ramën është prishur për shkak të numrit të lartë të mandateve që mori PS-ja në zgjedhjet e 25 qershorit. Topalli u shpreh dje se 74 mandatet e PS-së e zhbëri planin e Ramës dhe Bashës për bashkëqeverisje.

Reagimi i Bashës

Kryetari i PD-së tha dje se zgjedhjet janë manipuluar me të gjitha metodat dhe sipas tij, raporti i ministrave teknikë e dëshmon këtë. “Raporti i ministrave teknikë është dëshmia më e fundit që provon se zgjedhjet u manipuluan. Ky raport plotëson panoramën e denoncimit të manipulimit të zgjedhjeve nga çdo faktor publik vendas dhe i huaj. Raporti dëshmon se në këto zgjedhje u përdor çdo metodë dhe mjet i mundshëm për ndikimin e votës: u ble vota me para dhe favore, u kërcënuan direkt dhe indirekt votuesit me dhunë fizike, psikologjike dhe presion ekonomik, u manipulua numërimi i votave.

Në zgjedhje u aktivizuan kriminelët, u përdorën paratë e drogës, dhe paratë e korrupsionit qeveritar. U përfshi administrata dhe u përdorën mjetet dhe burimet publike. Ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime; drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin dhe nuk ju bindën udhëzimeve të tyre; institucionet përgjegjëse vepruan sa për sy e faqe ose nuk u angazhuan fare”, tha Basha, duke theksuar edhe faktin se Rama e ka gënjyer kur është bërë marrëveshja. Kreu i opozitës shton se, Rama nuk përmbushi detyrimet që mori përsipër para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

“E gjitha kjo ndodhi për mungesë totale të vullnetit politik nga Edi Rama për të përmbushur detyrimet që mori përsipër përpara shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar”, reagoi Basha nëpërmjet Facebook- ut. Ai shton se pasojat e 25 qershorit janë reflektuar kudo dhe sipas tij parlamenti nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve. Sipas Bashës, zgjedhjet e 25 qershorit u dhunuan dhe manipuluan nga Edi Rama dhe makineria e tij e mbështetur nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës dhe të korrupsionit.

“Është fakt: Zgjedhjet u dhunuan dhe manipuluan nga Edi Rama dhe makineria e tij e pushtetit e ndihmuar nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës dhe të korrupsionit. Pasojat e 25 qershorit po ndihen çdo ditë. Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve por shitblerjen masive të votës dhe përdorimin e kontigjentit kriminal dhe parave të drogës të cilët janë sot varrmihësit e demokracisë së brishtë shqiptare”, theksoi lideri i PD-së.

Reforma

Kryetari i Partisë Demokratike po ashtu paralajmëroi ndryshimin e sistemit zgjedhor. Basha në reagimin e tij flet për reformim thelbësor të sistemit zgjedhor, duke përfshirë këtu votimin dhe numërimin elektronik. “Reformimi thelbësor i sistemit zgjedhor, përfshi votimin dhe numërimin elektronik, është prioritet i Partisë Demokratike.

Partia Demokratike qëndron e palëkundur në bindjen e saj se vendi ka nevojë për një reformë të thellë të sistemit politik, për të risjellë ndarjen, kontrollin dhe balancimin e pushteteve; për të garantuar të drejtat e individit dhe kontrollin demokratik të pushtetit nga opozita; për ta vënë politikën në shërbim të njerëzve dhe jo anasjelltas. Demokratët janë të vendosur për përmbushjen e këtyre qëllimeve jetike për të ardhmen e vendit.

Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe një demokracie funksionale kërkojnë përfshirjen e gjithë shoqërisë, duke filluar me vetëdijësimin se shkelja dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve është jo vetëm dhunim i një të drejte themelore njerëzore dhe politike, por edhe shkaku kryesor i keqqeverisjes dhe arrogancës politike që vuan vendi ynë prej kohësh”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat