Pasi e masakruan, i djegin makinën shefit të Policisë Kufitare Vlorë

Shqipëria

Pasi e masakruan, i djegin makinën shefit të Policisë Kufitare Vlorë

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 11:37
Sadik Ceka

Pak ditë më parë e masakruan me hekur, duke e lënë me plagë të shumta, por shefit të Policisë Kufitare në Vlorë, Sadik Ceka i kanë djegur sot edhe makinën, qe mesa duket eshte nje tjeter paralajmerim per te.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa ende nuk dihen autorët dhe shkaqet për të dyja ngjarjet.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet në lidhje me zjarrin, duke kërkuar edhe për të zbardhur ngjarjet ku është përfshirë Sadik Ceka.

Njoftimi i Policisë Vlorë:

Më datë 19.08.2017 rreth orës 03.40, Salla Operative Vlorë njoftohet se në lagjen ”Pavarësia”, është duke u djegur një automjet.

Shërbimet e policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar duke u djegur mjetin tip ”Skoda”, në pronësi të shtetasit S.C., (punonjës policie, me funksion shef i stacionit të pikës kufitare Triport).

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si edhe për identifikimin e autorit/ve të kësaj vepre penale.

DHUNIMI

Shefi i pikës kufitare Triport në qytetin e Vlorës mësohet se ka marrë pesë plagë në pjesën e kokës dhe në trup, nga dhuna e ushtruar prej tre autorëve të sulmit. Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave përgjegjës dhe arrestimin e autorëve, ndërsa përmes një njoftimi zyrtar, konfirmohet se 49-vjeçari nuk ka qenë në shërbim në momentin e ndodhjes së ngjarjes.

Ndërkohë, burime nga Policia kanë konfirmuar për “Panorama” se deri tani janë pesë personat e shoqëruar mbi ngjarjen në fjalë dhe nga deponimet e tyre pritet të hidhet më shumë dritë rreth asaj çfarë ndodhi pranë banesës së të dëmtuarit, por dhe në identifikimin e autorëve.

Hetimet janë përqendruar në pistat që lidhen me detyrën e 49-vjeçarit Ceka, por edhe ndonjë grindje që ky i fundit mund të ketë patur kohët e fundit me persona të caktuar.

Sadi Ceka nuk ka dashur të flasë për mediat apo të shprehet rreth ngjarjes, ndërsa në deponimin e tij në polici ka konfirmuar se nuk i ka njohur personat që e dhunuan, lidhur kjo edhe me faktin se ata kanë qenë të maskuar në momentin e ushtrimit të dhunës ndaj tij.

Nga ana tjetër, 49-vjeçari ka konfirmuar se nuk ka patur probleme apo ndonjë konflikt kohët e fundit që mund të jetë bërë shkak për ngjarjen.

Shefi i pikës kufitare Triport, gjatë deponimit të tij në polici, ka konfirmuar se ka qenë duke hyrë në banesë, në momentin kur tre persona e kanë qëlluar menjëherë duke mos i lënë mundësi për t’u shmangur apo që të reagonte.

“Pavarësisht se jam mundur të mbrohem”, ka theksuar Ceka në polici, goditjet e tyre kanë qenë të forta në kokë, por edhe në trup.”

49-vjeçari ka theksuar se nuk ka patur probleme, ndërsa detyrën e tij e ushtron prej disa vitesh duke mos patur shqetësime apo kërcënime të ardhura në adresë të tij.

Ndërkohë, Ceka ka evituar deklaratat në media duke mos dashur të shprehet rreth ngjarjes dhe ia ka besuar zbardhjen e saj Policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat