Pensionet/ Ish ushtarakët kundër Gjykatës së Lartë

Shqipëria

Pensionet/ Ish ushtarakët kundër Gjykatës së Lartë

Më: 20 gusht 2017 Në ora: 16:58
Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Thoma Konduri

Ish-ushtarakët kundërshtojnë vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë, që iu heq atyre të drejtën për të ankimuar pensionet në gjykatat e shkallës së parë.

Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Thoma Konduri, bën të ditur se për këtë çështje i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Konduri: “Në Gjykatën Kushtetuese kërkojmë shfuqizimin e vendimit nr.3, i datës 4.11.2016 të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, si një vendim i papajtueshëm me Kushtetutën, i cili ka vendosur që t’u mohojë të drejtën ushtarakëve që të kërkojnë të drejtat e tyre të shkelura për pensionet e parakohshme. Në vendimin unifikues janë 6 gjyqtarë që kanë dhënë 14 vendime pro ushtarakëve”

Konduri sqaron se si pasojë e këtij vendimi, ish-ushtarakët e shpallur debitorë nuk marrin dot më nga ISSH, paratë që u janë mbajtur nga rillogaritjet e pensioneve të parakohshme.

Konduri: “Nuk mund të kërkojnë shkeljet që janë bërë, që Sigurimet Shoqërore t’u kthejnë ato para që u janë mbajtur në kundërshtim me ligjin, për të cilat që në vitin 2007 ushtarakët kanë filluar në mënyrë masive ta kërkojnë të drejtën e tyre dhe me vendimet e gjykatave kanë arritur i kanë marrë”

ISSH ka çuar mbi 500 kërkesa në Gjykatën e Lartë për ish-ushtarakët që kanë fituar gjyqet në shkallën e parë dhe të dytë. Burime zyrtare nga ISSH deklarojnë se nuk kanë asnjë koment për vendimin e Gjykatës së Lartë. Por mësohet se ka qenë një vendim i qeverisë ai që ka detyruar ISSH-në që të ndjek këtë rrugë ligjore në betejën me ushtarakët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat