Ish-deputeti kërcënoi gruan, flasin të afërm të familjes: Kosta ka një lidhje të fortë…

Shqipëria

Ish-deputeti kërcënoi gruan, flasin të afërm të familjes: Kosta ka një lidhje të fortë…

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 19:19
Hamit Kosta

Gjykata e Elbasanit la dje në burg ishdeputetin e PS-së, Hamit Kosta. Ai u arrestua tri ditë më parë, pas denoncimit për kanosje të ish-bashkëshortes së tij Elda Tabaku, e cila punon si drejtoreshë në një nga kopshtet e qytetit të Elbasanit.

Prokurori i çështjes ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Kostën, për veprat penale “kanosje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Kërkesa e akuzës e argumentuar edhe në prova e fakte, duket se ka bindur edhe trupin gjykues, çka vendosi që ish- deputetin ta lërë në burg.

Ky i fundit ka këmbëngulur se nuk është e vërtetë akuza e ngritur nga ana e 38- vjeçares Tabaku se ai e kishte kanosur atë me fjalë dhe me armë. Edhe gjatë seancës së djeshme, Hamit Kosta ka deklaruar se nuk e kishte kanosur ish-bashkëshorten e tij, por veçse kanë diskutuar për dy fëmijët e tyre.

Pavarësisht këmbënguljes së tij, Gjykata vendosi ta lërë në burg 62- vjeçarin. Tri ditë më parë, ish- deputeti Hamit Kosta u arrestua pasi pas kallëzimit, iu krye një kontroll në mjetin e tij tip “Hamer” me targa PE 2505 A.

“Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Hamit Kosta, 62 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen “5 Maji”, me automjetin e tij tip “Hamer”, me targa PE 2505 A, dyshohet të ketë kanosur me fjalë dhe me armë zjarri shtetasen E.T., 38 vjeçe, banuese në Elbasan.

Gjatë kontrollit të mjetit iu gjet një armë zjarri pistoletë me gjashtë fishekë, model 9 mm, të vendosur në krehrin e saj”, bëri të ditur Policia e Elbasanit pas arrestimit të 62- vjeçarit Kosta. Hamit Kosta, deputet i legjislaturës 2005-2009, u zgjodh si përfaqësues i Partisë Socialiste.

Ai ishte pjesë e grupit të deputetëve të përjashtuar nga PS-ja, pasi votuan për zgjedhjen e Bamir Topit president. Për këtë arsye, Kosta u largua nga PS-ja dhe iu bashkua PDK-së së drejtuar nga Nard Ndoka, që ishte pjesë e koalicionit të qeverisë së drejtuar nga ishKryeministri Sali Berisha, shkruan Panorama.

Më parë, Kosta ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin. Para lidhjes me 38-vjeçaren, Kosta ka qenë i martuar dhe ka edhe tre fëmijë të tjerë. Tashmë pritet që ish-deputeti të dalë para togave të zeza të apelit, nga ku do të argumentojë edhe një herë pretendimin e tij në lidhje me këtë çështje.

Të afërm të familjes pohuan dje se Kosta ka një lidhje mjaft të fortë me dy vajzat e tij. Ai është një baba mjaft i përkushtuar ndaj tyre, duke përmbushur kështu të gjitha detyrimet që i takojnë atij, ndonëse të miturat jetojnë me nënën e tyre. Çifti mësohet se është ndarë pas 10 vitesh së bashku, por nuk ka të dhëna për konflikte të vazhdueshme mes tyre pas ndarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat