Lejuan ndërtimin e një lavazhi tek Liqeni Artificial, ‘shkrihet’ komisariati Nr. 1

Shqipëria

Lejuan ndërtimin e një lavazhi tek Liqeni Artificial, ‘shkrihet’ komisariati Nr. 1

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 19:52
Ilustrim

Policia e Tiranës bën me dije se ka vënë në pranga ditën e sotme një 51-vjeçare, pasi akuzohet për ndërtim pa leje.

Siç bëhet e ditur, në pranga është vënë Shiqere Hakaj, 51 vjeçe, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, e cila zotëron aktivitet privat.

Po ashtu, në kuadër të këtij hetimi, blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se kanë proceduar penalisht A. G, 45 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist pranë Inspektorati Mbrojtjes Territorit, Bashkia Tiranë.

Po ashtu, është regjistruar procedim penal edhe për G. P., 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, rruga “Sabri Tefiku”, me detyrë Inspektor i Kontrollit në terren i Policisë Bashkiake Tiranë.

Mësohet se arrestimi dhe procedimi penal i personave të mësipërm është bërë pasi ditën e sotme në vendin e quajtur "Rruga e  Elbasanit", pranë Parkut të Liqenit Artificial, Shiqere Hakaj ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente në një sipërfaqe ndërtimi (lavazh) prej 150 m2.

Sa më sipër nga ana e Inspektorëve të Inspektoratit Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të shtetasve, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Ndërsa, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit sqaron se janë marrë masa administrative për punonjësit e policisë, përkatësisht:

Përjashtim nga Policia i Nd/Specialistit të Policimit në Komunitet që mbulon zonën.

Pezullimin nga detyra e Patrullës së Policisë që mbulon këtë sektor pranë Komisariatit të Policisë Nr.1.

Pezullimin nga detyra e Shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Nr.1.

Pezullimin nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr.1.

Po në lidhje me këtë vepër penale nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat janë kryer veprime procedurale penale dhe po vazhdojnë të kryhen veprime të tjera mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit të Policisë nr 1 Tiranë, të cilët kanë marrë dijeni apo nuk kanë kryer detyrat funksionale sipas procedurave standarde të punës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat