Vizat, ambasada e Holandës: Raporti ekziston, po shqyrtohet

Shqipëria

Vizat, ambasada e Holandës: Raporti ekziston, po shqyrtohet

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 19:52
Ambasadorja holandeze Dewi van de Weerd

Ambasada holandeze në Tiranë konfirmon ekzistencën e një raporti konfidencial të policisë holandeze, lidhur me rritjen e krimit të organizuar nga persona me origjine shqiptare.

E kontaktuar nga Report TV, ambasadorja holandeze Dewi van de Weerd shprehet se raporti i zbuluar pjesërisht në mediat holandeze ekziston dhe po studiohet nga Ministria e Drejtësisë dhe sigurisë, por ende nuk është paraqitur zyrtarisht.

“Ne jemi të vetëdijshëm për artikujt e shtypit holandez në lidhje me një raport konfidencial të policisë holandeze në lidhje me shkallën e krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë.

Raporti aktualisht është duke u studiuar nga Ministria Holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë, por ende nuk është paraqitur zyrtarisht në Ministri.”- thekson ambasadorja holandeze.

Kësisoj, shqetësimi i ngritur në lidhje me rikthimin e regjimit të vizave në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë nuk ka ende baza zyrtare.

Rregullorja përcakton qartë se asnjë shtet nuk mund të vendosë individualisht për rikthimin e vizave.

Kriter penalizues është kur numri i azilkërkuesve është i madh dhe kur shteti prej nga vijnë këto kërkesa nuk bashkëpunon për riatdhesimet e azilkërkuesve.

Dy ditë më parë në mediat holandeze u publikua lajmi se autoritetet do të kërkojnë rikthimin e sistemit të vizave me Shqipërinë për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve dhe përfshirjes në krime të emigrantëve shqiptarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat